BREAKING NEWS

Surpriza ‘të pakëndshme’ 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë jep detajet sa raste të reja janë shënuar me COVID

Surpriza ‘të pakëndshme’ 24 orët e fundit, Ministria
x

Kultura

Enver Shëngjergji: Ligjet shkruhen bukur në letra, por nuk zbatohen si duhet, ka një përkeqësim me të drejtën e autorit

Enver Shëngjergji: Ligjet shkruhen bukur në letra, por nuk zbatohen si

Ligjet në letrat shkruhen, por nuk zbatohen. Kështu shprehen kompozitorë të njohur të krijimtarisë muzikore në vendin tonë, për problemet që janë më të drejtën e autorit në fushën e muzikës. Në reagimet e tyre krijues të njohur të muzikës shprehen se për të drejtën e autorit në krijimtarinë muzikore nuk pyetet. Edhe në takimet që u bënë gjatë vitit që kaloi me ministren e Kulturës Elva Margariti për këto probleme, sërish krijuesit u shprehën se është një katrahurë dhe nuk ka vëmendje sa duhet. Edhe kompozitori i njohur Enver Shëngjergji pohon këtë muaj të parë të vitit 2021, që gjendja është më e keqe se sa vitet e fundit. Për dekada me radhë kompozitori dha një kontribut të çmuar në krijimtarinë e këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore. Në një reagim të tij kompozitori i njohur Enver Shëngjergji thotë se vazhdojnë problemet, që ndikojnë shumë në këtë situatë. “Gjendja në 2021 është shumë më keqe se para 3-4 vitesh kur filloi të funksiononte e drejta autorit. Nëse ne morën të ardhura në 2020 ato i takonin vitit 2019. E drejta autorit në vendin tonë është përkeqësuar. Madje më duket se nga Ministria e Kulturës duan të heqin dhe SUADA-n, dhe derisa nuk paguhet si duhet do të thotë që e drejta autorit në vend nuk funksion si duhet”, pohon në reagimin e tij kompozitori i njohur Enver Shëngjergji. Më tej në reagimin e tij Shëngjergji thotë se nuk po mblidhen të ardhurat si duhet nga ata që shfrytëzojnë muzikën shqiptare, ku bën pjesë dhe krijimtaria e tij. Sipas Enver Shëngjergjit, televizionet nuk paguajnë të drejtën e autorit. “Kujt i vlen e drejta autorit kur nuk vilet nga institucionet në vend, që shfrytëzojnë krijimtarinë tonë muzikore, që nuk paguajnë asgjë. Kush po pyet për krijimtarinë tonë muzikore dhe të drejtën e autorit. Këtu nuk po paguan ai që është televizion shtetëror dhe imagjinoni për të tjerët”, thotë Shëngjergji.

Përkeqësim i situatës

Në tetor të 2020 u zhvilluan takime të ministres së Kulturës me autorët, ku u diskutua dhe për sportelin unik ( SUADA). Në këto takime autorët folën për problemet, që po hasin. Në reagimin e tij kompozitori Enver Shëngjergji thotë se ligji nuk funksion. “Ligjet në letra shkruhen bukur tek ne, por për të zbatuar nuk zbatohet asgjë. Kujt i vlejnë ligjet e shkruara në vend kur ato nuk zbatohen? Madje këtë vit e drejta autorit është në rënie, thonë sikur duan ta shkrijnë SUADA-n, ta heqin dhe ta marri dikush tjetër. Nëse bëhet kjo që thotë Ministria e Kulturës autorët mbesin pa marrë asgjë nga e drejta. Ministria e Kulturës mos ti ngacmojë gjërat dhe ti përkeqësojë. Për SUADA-n nuk kam shumë njohuri, por di që siç ka qenë e drejta e autorit ka funksionuar, pak-pak por autorët e merrnin një shpërblim për të drejtën e tyre në muzikë. Me ato vështirësi që ishte, por diçka është shpërndarë”, pohon ai. Më parë edhe të tjerë kompozitorë si Haig Zacharian, Miron Kotani etj, janë shprehur për problemet me të drejtën e autorit. Në takimin që u bë vjet në tetor, Kotani tha se 30 vite ndryshime ligjesh, administrimi, drejtorësh, etj, por në fund ende janë autorët që presin dhe sipas tij problematikat janë të ndryshme. Kompozitori Enver Shëngjergji ka kryer studimet në Institutin e Lartë të Arteve në vitet 1966-1969. Nga viti 1970 deri në vitin 1974 ka punuar pedagog në këtë institucion. Në vitin 1979 emërohet shefi i muzikës në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi”. Në vitin 1992-1995 emërohet pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Është vlerësuar me këngët “Udhëtuam së bashku”, “Mbrëmja e fundit”, “Vajzat e fshatit tim”, “Nën kurorën e ullirit”, “Ninulla”, “Lulet e Mollës”, etj, po ashtu ka marrë çmime dhe në krijimtarinë popullore me këngët “Gëzimi i Bareshës”, “Dardha në të bardha”, “Vaji i Nizamit”, “Qëndistarja flamurit”, etj. Për vite me radhë ai ka bashkëpunuar me emra të njohur të këngës si: Alida Hisku, Lindita Theollori, Afërdita Zonja, Bashkim Alibali, Kozma Dushi, Marjana Leka, Myfarete Laze, por dhe një bashkëpunim të madh ka dhe me këngëtarët e muzikës popullore si Fatma Zyberi, Rakipe Karaj, Naim Kërçuku, Valdete Hoxha, Zeliha Sina, etj.