Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Kultura

“Europa Nostra” letër krerëve të shtetit, specialistët: E rëndë për institucionet tona, nuk e kuptojnë rëndësinë e vlerave të trashëgimisë

“Europa Nostra” letër krerëve të shtetit,

Amfiteatri i Durrësit, një grup kishash të Voskopojës dhe Vithkuqit janë përfshirë deri tani në listën e “7 më të rrezikuarave” në Europë nga organizata “Europa Nostra”. Prof. Dr. Hermann Parzinger, president ekzekutiv “Europa Nostra” në një letër dërguar drejtuesve të shtetit dhe kryetarit të bashkisë, shprehet se duke u nisur nga vlerësimi unanim, i shfaqur nga Paneli Këshillues për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, me probabilitet shumë të lartë Teatri Kombëtar do të përzgjidhet si një nga “7 vendndodhjet më të rrezikuara”.

Për arkitektë dhe restauratorë specialistë të trashëgimisë, gjendja me probleme ka treguar se sa pak është bërë për monumentet e kulturës në vend. Një vendim absurd e quajnë arkitektët dhe restauratorët vendimin e qeverisë për të shembur Teatrin Kombëtar, ku sipas tyre tashmë është një objekt me vlera jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për Europën. Përmes një letre prof. dr. Hermann Parzinger, shprehte shqetësimin për planet alarmante për të prishur TK, por sipas arkitektëve institucionet shqiptare po tregojnë se nuk njohin vlerat historike, arkitektonike dhe të trashëgimisë. Dr. Kliti Kallamata arkitekt dhe resturator shprehet se në një qeveri, nuk ka ndodhur ndonjëherë, që presidenti i “Europa Nostra” të dërgojë dy letra për të njëjtin problem.

“Letra e dytë është e rëndë për çfarë po ndodh. Në një mënyrë kaq direkte dhe kaq të qartë nuk i është dërguar në asnjë vend dhe në asnjë lloj qeverie për objektet, ku të gjitha qeveritë përpiqen të ruajnë vlerat e trashëgimisë që kanë, tek ne nuk bëhet. Kryesore është Ministria e Kulturës, që është përgjegjëse për monumentet e kulturës, është Instituti i Monumenteve të Kulturës, janë institucione shtetërore përgjegjëse për trashëgiminë. Dhe të katandisemi ne në këtë fazë, sa të detyrohet presidenti i “Europa Nostra” të shkruajë dy letra me një gjuhë të tillë dhe të qartë, duke thënë mos merrni hapa të tilla të gabuara, kjo është e rëndë për institucionet tona”, shprehet arkitekti dr. Kallamata. Në reagimin e tij arkitekti i njohur Kliti Kallamta shton më tej se deri më tani nga institucionet shqiptare është treguar, se nuk ka pasur bashkëpunim me “Europa Nostra”. “Bashkëpunim “Europa Nostra” gjeti me ne dhe jo me qeverinë. Ka gjetur me ne organizatat, që jemi anëtare të “Europa Nostra” dhe punojmë për këtë qëllim për trashëgiminë kulturore, për ruajtjen e saj dhe respektivisht në vendet respektive. Pikërisht për këtë edhe për amfiteatrin e Durrësit me organizatën e Lidës, por dhe me kishat e Voskopojës dhe në Vithkuq kanë gjetur bashkëpunimin dhe gjuhën e përbashkët me ne, kur nuk ka gjetur një gjë të tillë me qeverinë, me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe me Ministrinë e Kulturës, që po i konsiderojnë si të papërgatitura profesionalisht për të kuptuar rëndësinë e vlerave, të cilat kanë marrë përsipër që të mbrojnë”, shton më tej arkitekti.

Për monumentet mos të mungojë puna

Reagimeve në mbrojtje të trashëgimisë kulturore në vend i bashkohet dhe dr. Latif Lazimi, arkitekt që për 40 vjet është marrë me restaurimin e banesave në qendrat historike. Sipas tij për trashëgiminë kulturore në vend nuk është treguar vëmendje prej vitesh. “Për monumentet asnjëherë nuk duhet të mungojë puna për mirëmbajtjen dhe restaurimin e tyre. Unë dëgjoj dhe shikoj që rrënohen banesa vazhdimisht, kjo nuk e nderon as Ministrinë e Kulturës as Institutin e Monumenteve të Kulturës. Dhe kudo në vendin tonë ka monumente, që kërkojnë ndërhyrje për tu restauruar”, pohon arkitekti restaurator Lazimi.

Presidenti ekzekutiv i organizatës “Europa Nostra” shprehet në letër se asnjë nga 29 vendndodhjet e përzgjedhura më parë në programin "7 vendndodhjet më të rrezikuara" nuk është prishur. Por për arkitektin Lazimi është me rëndësi që TK vlerësohet nga “Europa Nostra” për vlerat e tij. “Është me shumë interes edhe për një fakt, që Teatrin Kombëtar e vlerëson si monument të rëndësishëm për vlerat e tij për të gjithë hapësirën europiane jo vetëm shqiptare. Ky është vlerësim i madh për Shqipërinë, sepse këto monumente përmbajnë vlera të rëndësishme arkitektonike dhe historike, që kalojnë kufijtë e Shqipërisë, por dhe i takojnë dhe kulturës europiane”, pohon arkitekti dhe restauratori Lazimi. Sipas specialistëve të ndryshëm ndërsa të huajt po bëjnë thirrje për të ruajtur vlerat e trashëgimisë, nga institucionet po vazhdon moskujdesi, ku jo pak probleme janë dhe në qendrat historike.