Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Kultura

Festivali “Dokufest” shfaq 4 filma në Tiranë, edicioni i 19-të zhvillohet online

Festivali “Dokufest” shfaq 4 filma në Tiranë, edicioni i

Festivali “Dokufest” edhe këtë vit erdhi në Tiranë me filmat, që janë pjesë e tij. Platforma “Harabel” mirëpriti “Dokufest” në Tiranë në mjedisin “Reja”, në një mbrëmje kushtuar kinemasë. Sipas organizatorëve “Dokufest” erdhi për të shfaqur një pjesëz prej tij, një përzgjedhje filmash nga programi i vitit 2020, si një prolog i asaj që më pas zhvillohet në qytetin e Prizrenit, e që këtë vit do të përcillet përmes internetit (online). Veprimtaria në Tiranë solli katër filma me metrazh të shkurtër, prodhime të kinematografisë të viteve të fundit. Filmat që u shfaqën ishin të kinemasë së huaj dhe asaj kosovare. Ashtu si dhe lajmëronte më herët platforma “Harabel”, në përfundim të tyre aktiviteti vijoi me një bashkëbisedim mes drejtuesve të festivalit dhe publikut, përgjatë të cilit u shpalos programi i “Dokufest”, si dhe u fol rreth shndërrimit online, për arsye të udhëzimeve shëndetësore tashmë mbarëbotërore. Drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit Iris Elezi vlerësoi këtë aktivitet, që u bë në Tiranë me filmat që prezantoi “Dokufest”. Në një reagim të saj Elezi gjithashtu e njohur dhe e vlerësuar në punën e saj me kinematografinë, tha se festivali “Dokufest” jo vetëm që është më i miri në trevat shqiptare, por dekadën e fundit ka rritur dhe talentin e kineastëve të rinj. “Ishte një tjetër natë magjike në Tiranën tonë kur “Dokufest” vjen na merr për dore, dhe me programacionin e tyre të mrekullueshëm na ofron botën, duke treguar dhe njëherë që nuk është vetëm festivali më i mirë në trevat shqiptare. Por është dhe prodhuesi më i mirë i talenti filmik shqiptar, sepse për dekadën e fundit ka rritur talentin e kineastëve të rinj”, thotë Elezi. Sipas organizatorëve, veprimtaria në Tiranë u zhvillua në përputhje me rregullat e vendosura në mbrojtje të shëndetit. Titujt e filave që u prezantuan në Tiranë për të pranishmit mbrëmjen e datës 4 gusht te “Reja” ishin: “3 Logical exits” / “3 dalje logjike” (Mahdi Fleifel, Danimarkë, Libi - 2020); “Black sun” / “Diell i zi”, (Arda Çiltepe, Turqi, Gjermani- 2019); “Salloni” (Zgjim Terziqi, Kosovë- 2019) dhe “Sun dog” / “Qen dielli” (Dorian Jespers, Belgjikë- 2020).

 “Dokufest”, në edicioni e 19-të

Edicioni i 19 i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtë "Dokufest" këtë vit zhvillohet nga data 7 deri më 25 gusht. I zhvilluar prej vitesh në qytetin e Prizrenit, ku kanë marrë pjesë dhe konkurruar filma të kinemasë shqiptare dhe asaj të huaj, këtë vit festivali do të zhvillohet online për shkak të pandemisë. Disa ditë më parë drejtori artistik i festivalit “Dokufest” Veton Nurkollari tha se organizimi i këtij viti ka qenë më ndryshe, por jo më i vështirë. “Sfidues ka qenë, sepse është një format që po e bëjmë për herë të parë dhe është dashur të mësojmë mjaft. Besojmë se do të jetë një edicion interesant edhe pse do të na mungojë mjaft atmosfera unike e “Dokufest”, në qytetin e Prizrenit. Ne kemi përzgjedhur tri tema ose nocione me të cilat synojmë të nxisim interesim në mënyrën se si konsumohet arti dhe kultura, në sferën digjitale. Pra, një transmetim nga forma fizike në atë online, ose thënë ndryshe një tranzicion drejt transformimit, qoftë të shprehive se si konsumohet arti dhe kultura, por edhe të shoqërisë në këto ndryshime të thella dhe të shpejta, të cilat po ndodhin”, ka pohuar ai. Qytetarët këtë vit në platformën digjitale nëpërmjet faqes zyrtare të “DokuFest” do të kenë mundësi të ndjekin programin e festivalit.