BREAKING NEWS

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet
x

Kultura

 Festivali i 59 i Këngës në RTSH jo në Pallatin e Kongreseve, 26 këngët në konkurrim në mjedis të hapur pranë sheshit “Italia”

 Festivali i 59 i Këngës në RTSH jo në Pallatin e

Festivali i 59 i Këngës në RTSH këtë vit do të zhvillohet në një mjedis të hapur, pranë sheshit “Italia” në Tiranë. Kjo u bë me dije gjatë një takimi, që zhvilloi stafi drejtues i festivalit në mjediset e RTSH, ku ishin të ftuar edhe autorë e interpretues. Në takim u shpalos platforma e festivalit të 59-të, i cili do të mbahet këtë vit në kushte të veçanta, për shkak të rrethanave të krijuara nga Covid- 19. Drejtori i festivalit Martin Leka, prezantoi stafin e këtij edicioni, i cili do të mbajë firmën e regjisorit të njohur Pali Kule, skenar të gazetarit Blendi Salaj, i cili do të bashkëdrejtojë këtë edicion me aktoren Jonida Vokshi. Producent muzikor është Sokol Marsi. Këtë herë jo në skenën e Pallatit të Kongreseve siç është zhvilluar çdo vit, festivali do të mbahet në mjedis të hapur midis datave 17-26 dhjetor, në varësi të kushteve të diktuara nga pandemia dhe moti. Interpretuesit kanë mundësi të përcjellin këngën e tyre artistikisht, nëpërmjet performancave që do të lejojnë jo më shumë se 7 persona në skenë, përfshirë interpretuesin, duke respektuar protokollin e masave anti-covid të përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë. Në reagimin e tij regjisori i njohur Pali Kuke tha ndër të tjera se Festivali i Këngës në RTSH nuk e ndërpreu traditën e tij as në vitin 1997, ku bëri me dije se në natën e parë do të jenë për publikun të 26 këngët pjesëmarrëse. “Festivali nuk u ndërpre as në ’97. Me dashurinë për t’i trajtuar secilin nga artistët në mënyrë të barabartë, do të tentojmë të jemi live, por nuk do të rikthehemi dy herë për një këngë. Janë 26 këngë, që do të dalin në natën e parë. Në natën e dytë do të vijnë në një frymë tjetër”, tha mes të tjerave regjisori Pali Kuke për këtë edicion të 59 të Festivalit të RTSH, që zhvillohet në një kohë të vështirë për shkak të pandemisë. Këngëtarët do të këndojnë live në skenën që do të krijohet për festivalin, ndërsa muzika do jetë e regjistruar me bazë muzikore.

 Juria në festival

Drejtor i festivalit, Martin Leka tha se juria do të jetë vetëm me anëtarë shqiptarë, që do të votojnë në mënyrë transparente. “Do të jenë njohës të mirë të këngës dhe tekstit. Nën shembullin e jurisë që përzgjodhi 26 këngët në RTSH do të jetë edhe juria”, tha ai. Komisioni për pranimin e këngëve, i përbërë nga Alma Bektashi, Jonida Maliqi, Agim Doçi, Klodian Qafoku, Eugent Bushpepa, pasi dëgjoi të gjithë produksionet e mbërritura në RTSH vendosi për 26 këngët pjesëmarrëse në edicionin e 59. Në festival janë në konkurrim këngët “Peng” nga Devis Xherahu, “Valixhja e kujtimeve” me Orgesa Zaimin, “Kush je ti dashuri” me Festina Mejzinin, “E morën botën” nga Franc Koruni, “Pendesë” me Inis Nezirin, “Kam me t’ba me kajt” Sardi Strugaj, “Më jep jetë” nga Gjergj Kaçinari, “Nëse vdes” me Durim Morinën (Mirudi), “Tjerr” nga Evi Reçi, “Vashëzo” vjen me interpretimin e Rosela Gjylbegut, “Vallja e jetës” nga Klevis Bega (Kastro Ziso), “Do t’ja dal” me Klinti Çollakun, “Karma” me Anxhela Peristerin, “Si ajo” me Wendi Mancakun, “Ty” Fatos Shabani, “Vajzë” me Florent Abrashin, “Njësoj” Enxhi Nasufi, “Ajo vajza” Kamela Islamaj, “Zjarri im” vjen me këngëtaren Era Rusi. Kënga “Jo” është në festival me interpretimin e këngëtarit Erikson Lloshi, “Më mbron” vjen nga Xhesika Polo, “Ora e jetës” me këngëtaren Manjola Nallbani, “E lirë” me Giliola Haverikun, “Nënë” nga Viktor Tahiraj, “Vendi im” nga Agim Poshka dhe “Meteor” nga Stefan Marena. Sipas organizatorëve, buxheti i edicionit të 59 do të jetë rreth 100 milionë lekë të vjetra, por kjo nuk do të cënojë cilësinë e këngës.