Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në Shqipëri: Ju tregoj se çfarë do të ndodhë pas 10 ditësh në Tiranë

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Kultura

Festivali i komedisë “KoKo Fest”, edicioni i shtatë me gjashtë shfaqje në Korçë

Festivali i komedisë “KoKo Fest”, edicioni i shtatë me

Festivali i komedisë “KoKo Fest” vjen këtë vit në edicionin e shtatë, në qytetin e Korçës. Një aktivitet, që prej vitesh ka bërë bashkë artistë të njohur dhe shfaqje të ndryshme teatrore janë dhënë për publikun. Ndër vite regjisorë dhe aktorë janë shpërblyer edhe me çmime të ndryshme në Korçë, ku këtë vit janë gjashtë shfaqje teatrore, që do të ndiqen dhe vlerësohen nga një juri me personalitete të teatrit shqiptar. Festivali i këtij viti nis më datë 6 shtator për të përfunduar me datë 11 dhe është me pjesëmarrjen e trupave artistike nga Korça, Tirana, Shkodra, Durrësi dhe Tetova. Komedia, që do ta hapë këtë festival në edicionin e shtatë është ajo me titull “Pas vdekjes”, me regji nga Hervin Çuli dhe me aktorët e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës. Drejtoresha artistike e festivalit Zamira Kita bën me dije se këtë vit për shkak të pandemisë “KoKo Fest” do të zhvillohet në skena të improvizuara në ambient të hapur. Sipas drejtoreshës artistike Zamira Kita këtë vit shfaqjet do të jenë te oborri i Muzeut Kombëtar të Arsimit, Hani i Pazarit dhe parku “Rinia”, vende që do të mirëpresin publikun korçar dhe vizitorët. “Komedia “Pas vdekjes” e teatrit të Korçës me regji nga Hervin Çuli, që hap festivalin do të luhet në oborrin e Muzeut Kombëtar të Arsimit. Më pas do të jetë tek “Hani i Pazarit” komedia me titull “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas” me regji nga Donard Hasani. Shfaqja nga Tetova “Tregimi Zoologjik” me regji nga Gent Çajani do të jetë te parku Rinia, në vijim tek “Hani i Pazarit” do të jetë shfaqja e teatrit të Shkodrës “Zona e pritjes”, me regji nga Fatos Berisha. Aktorja Olta Daku me “Shirli Valentina” me regji nga Driada Dervishi do të jetë për publikun tek parku Rinia. Festivalin e mbyll shfaqja e teatrit të Metropolit “Sot, 8 ditë” me regji nga Elona Hyseni, që do të luhet tek oborri i Muzeut Arkeologjik në Korçë”, thotë drejtoresha artistike e festivalit Zamira Kita.

Juria me personalitete

Me pjesëmarrjen e trupave artistike nga Korça, Tirana, Shkodra, Durrësi dhe Tetova, ky festival nuk i ka ndryshuar rregullat për sa i përket garës dhe çmimeve, ku trupat profesioniste do të marrin vlerësime nga juria e përzgjedhur. Juria e këtij viti është me aktorët Timo Flloko, Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo, Rajmonda Bulku, si dhe me Albert Mingën. Por drejtoresha e festivalit Zamira Kita bën me dije se këtë vit “KoKo Fest” rezervon një surprizë për një nga regjisorët dhe aktorët e njohur, në vendin tonë. “Mevlan Shanaj do të jetë i ftuar special në festival, sepse “KoKo Fest” ka një surprizë për të këtë vit”, thotë Kita. Festivali do të nisë në 6 shtator, ndërsa për shkak të numrit të kushtëzuar të publikut shfaqjet do të luhet për disa ditë me radhë, për të krijuar mundësinë që të gjithë të shijojnë humorin e “Koko Fest”. Sipas drejtoreshës Zamira Kita kjo bëhet për shkak të pandemisë, ku do të zbatohen të gjitha rregullat që janë vënë. “Sigurisht që ka vështirësi, sepse duhet të ruhen të gjitha rregullat e distancimit social. Ne do të shërbejmë maska për njerëzit në festival. Njerëzit do të jenë në largësi nga njëri -tjetri dhe shfaqjet do të jenë me pak publik. Maksimumi 50 - 60 veta, por duke qenë larg njëri- tjetrit dhe disa nga shfaqje do të jepen disa herë. Përshembull komedia “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas” do të jepet tre net për publikun në Korçë. Juria do ta shikojë vetëm një natë, që është për konkurrim ndërkohë që vepra do të vijojë për publikun, sepse ka pak njerëz në një natë. Ne nuk mund të plotësojmë dot dëshirën e atyre që duan të shohin teatër në një natë dhe do ta japim shfaqjen disa net”, thotë drejtoresha Zamira Kita. Festivali i komedisë “KoKo Fest” në zhvillimin e tij mbështetet nga Bashkia e Korçës.