BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

Festivali “MetroSounds” nis të dielën, artistë nga Shqipëria dhe Kosova në edicionin e tretë

Festivali “MetroSounds” nis të dielën, artistë nga

Festivali muzikor “MetroSounds” vjen në edicionin e tretë nga teatri Metropol. Pas dy edicioneve më parë, “MetroSounds 3” nis të dielën. Ndryshe nga dy edicionet më parë që janë zhvilluar nga teatri Metropol, edicioni i tretë do ta shtrijë programin e tij muzikor me një prezantim online për publikun. Festivali këtë vit ka në netët e tij artistë të ndryshëm nga Shqipëria dhe Kosova, dhe do të zhvillohet nga data 28 shkurt deri më 21 mars. Teatri Metropol shprehet se performancat muzikore me artistët që janë pjesë e këtij festivali, në edicionin e tretë mund të ndiqen në rrjete të ndryshme sociale. “Ndryshe nga edicionet e mëparshme, ky edicion sjell dy risi. Formën e transmetimit dhe zhanret e performuara. Performancat e festivalit do të mund ti ndiqni në kanalet e teatrit Metropol në Facebook dhe youtube, çdo të diel, ora 20:00. Programi muzikor i “MetroSounds 3” ka për qëllim të prezantojë dhe promovojë kulturën alternative shqiptare nëpërmjet katër perfomancave shumë të veçanta nga artistë të rinj nga Shqipëria dhe Kosova, DJ dhe bende bashkëkohorë”, thuhet nga teatri Metropol, për festivalin që zhvillohet online për publikun. Festivali “MetroSounds 3” nis me performancën e DJ të njohur Oda Haliti. Sipas teatrit, me performancën e saj artistja na fton në një udhëtim zanor. ““MetroSounds 3” do të vijë e kuruar si në aspektin muzikor, skenografik dhe performativ. E nisim këtë festival online me performancën e Oda Halitit ( KS). Bëhuni gati për një performancë fantastike live nga Oda Haliti, e cila na fton në një udhëtim zanor eksperimental”, shprehet teatri. Në skenën e muzikës elektronike mungon shumë prezenca e femrave. Si në vendin tonë ashtu edhe në skenën botërore, dallohet që shumica e DJ dhe producentëve janë meshkuj. Në Shqipëri dhe Kosovë, DJ femra mund të numërohen shumë pak. Një nga këto DJ është pikërisht Oda Haliti, e njohur thjesht si DJ Oda.

Vizioni i festivalit

Teatri Metropol shprehet se vizioni i festivalit “MetroSounds” është të rrisë dhe bashkojë komunitetet në rritje të adhuruesve të muzikës, duke sjellë performanca dhe përvoja kuptimplota të cilat frymëzojnë. “Le të përdorim fuqinë emocionale të artit për të forcuar komunitetet tona artdashëse dhe për t'i shërbyer të mirës më të madhe shoqërore në këto kohë të vështira”, shprehet teatri. Festivali muzikor “MetroSounds” zhvilloi edicioni  e dytë në shkurt të 2020 në skenën e teatrit Metropol. Produksioni i ri i teatrit erdhi në edicionin e dytë për publikun, në bashkëpunim me “Ballkan World Music Management”. “MetroSounds” u zhvillua si një festival muzikor, i cili shtriu programin e tij nga data 1 deri më 20 shkurt në sallën “Shekspir” të Metropolit. Programi i “MetroSounds 2” përbëhej nga një përzgjedhje artistike, e cila ishte e ndërtuar për të na vënë në kontakt me identitetin dhe përkatësinë tonë mesdhetare. Për disa mbrëmje në skenë ishin artistë të huaj, por dhe shqiptarë. Koncertet u zhvilluan në datat 1, 6, 13, 15 dhe 20 shkurt për publikun.  Para fillimit të edicionit të dytë, teatri Metropol bënte me dije se përpos emrit kryesor, festivali do të mbante dhe nënshkrimin “A Mediterranean Tale/ Përrallë Mesdheu”, dhe sillte copëza kulturash të ndryshme. “Si i tillë ky program sjell copëza kulture nga fqinjët tanë më të afërt, si një formë për të vlerësuar dhe dialoguar me kulturat, që na rrethojnë nëpërmjet muzikës”, shprehej institucioni. Këtë vit për shkak të pandemisë, performancat e artistëve janë xhiruar dhe çdo të diel do të prezantohen online.