BREAKING NEWS

“Pa koment”,Rama poston foton nga takimi i Bashës dhe jep mesazhin e fortë

“Pa koment”,Rama poston foton nga takimi i Bashës dhe jep
x

Kultura

Festivali “MetroSounds”, programi muzikor me qëllim prezantimin dhe promovimin e kulturës alternative shqiptare

Festivali “MetroSounds”, programi muzikor me qëllim prezantimin

Artistë nga Shqipëria dhe Kosova ishin pjesë e festivalit muzikor “MetroSounds”. Teatri Metropol organizoi festivalin në edicionin e tretë, që këtë vit ishte në formatin online për shkak të situatës me pandeminë. Episodi i parë i këtij festivali muzikor online nisi me performancën live të artistes së talentuar nga Prishtina, Oda Haliti, e njohur për setet e saj eksperimentale që nisin nga muzika disco në techno, kombinuar me muzikë elektronike “acid”. Sipas teatrit, me performancën e saj artistja ftonte në një udhëtim zanor. Edicioni i tretë e shtriu programin e tij muzikor me një prezantim online për publikun, dhe mbrëmja e parë ishte data 28 shkurt për të vijuar dhe në mbrëmjet e muajit mars. Sipas institucionit, festivali i këtij viti në edicionin e tretë ishte programuar me 4 performanca të artistëve. “Programi muzikor i “MetroSounds 3” ka për qëllim të prezantojë dhe promovojë kulturën alternative shqiptare nëpërmjet katër perfomancave shumë të veçanta nga artistë të rinj nga Shqipëria dhe Kosova, DJ dhe bende bashkëkohorë”, shprehej institucioni, në ditët e festivalit muzikor. Për teatrin Metropol, vizioni i festivalit “MetroSounds” ishte të rrisë dhe bashkojë komunitetet në rritje të adhuruesve të muzikës, duke sjellë performanca dhe përvoja kuptimplota të cilat frymëzojnë. “Le të përdorim fuqinë emocionale të artit për të forcuar komunitetet tona artdashëse dhe për t'i shërbyer të mirës më të madhe shoqërore në këto kohë të vështira”, shprehet teatri Metropol. Performancat e festivalit publiku i ndoqi në kanalet e teatrit Metropol, në Facebook dhe youtube, çdo të diel, ora 20:00. Festivali muzikor “MetroSounds” zhvilloi edicioni e dytë në shkurt të 2020, në skenën e teatrit Metropol.

Artistët pjesëmarrës

Performanca e dytë e “MetroSounds 3” ishte një grup muzikor nga Tirana, i formuar në 2015. Banda përbëhej nga Christopher Ndrio (kitarë), Ergi Shkëlzeni (bass), Emiljano Lubonja (bateri) dhe Klejd Guza (sintetizator), i cili u bashkua më vonë në 2017. Gjatë kësaj kohe, ata kanë luajtur në koncerte të shumta live, akte eksperimentale dhe festivale, brenda dhe jashtë vendit. Duke eksperimentuar në zhanre të ndryshme, grupi ka krijuar stilin dhe tingullin e tij unik. Performanca e tretë e festivalit ishte “Uj pa gaz” nga Lindi Hoxha. Lindi ka pasur një karrierë të gjatë muzikore, duke filluar si kitarist klasik i cili kaloi në bateri dhe kitarë elektrike me grupin Tajçido, dhe më pas mori përsipër prodhimin e muzikës elektronike, duke publikuar EP-në e tij të parë me etiketën "tici taci" në 2016. Teatri shkruan se si multi instrumentist që është, Lindi është përshtatur në mënyrë të përsosur për tingullin “tici taci” dhe kompozimet e tij karakterizohen nga shumë instrumente, të cilat performohen live. “Duke punuar një tingull vërtet karakteristik gjatë 4 viteve të fundit, Lindi tani publikon "Nepotik" albumin e tij të parë të plotë si “Uj pa gaz””, shprehet teatri mes të tjerave. Lindi ka performuar dhe qenë mikpritës i shumë DJ-ve nga e gjithë Evropa, duke përfshirë edhe legjendën e muzikës elektronike angleze, të ndjerin Andrew Weatherall. Performanca e fundit e edicionit të tretë të “MetroSounds” ishte nga “Gillespie”, që është një bandë rock 'n roll nga Kosova, e themeluar në vitin 2005 dhe me ndikim në skenën “underground” të muzikës rokenroll në Kosovë. Teatri shprehet se “Gillespie” ka publikuar tre albume: Një ditë e zakonshme (2005), Numroj n’numratore (2010) dhe Diku, dikur… (2017). Muzika e “Gillespie” ka fituar disa çmime dhe vlerësime lokale, rajonale dhe ndërkombëtare, dhe këngët e tyre kanë qenë pjesë të shumë listave rajonale dhe ndërkombëtare. Përveç Kosovës dhe Shqipërisë, “Gillespie” ka performuar në shumë vende në rajonin e Ballkanit perëndimor dhe në Evropë.