BREAKING NEWS

Lëkundjet me magnitutë 6.8 shkundin gjithë vendin/ Tjetër tërmet i fortë godet Turqinë, shënohen 4 viktima

Lëkundjet me magnitutë 6.8 shkundin gjithë vendin/ Tjetër
x

Kultura

Festivali Multikulturor i Beratit, me aktivitete të larmishme artistike

Festivali Multikulturor i Beratit, me aktivitete të larmishme artistike

Festivali Multikulturor i Beratit erdhi në edicionin e tij të gjashtë, me një program të pasur në ditët e tij. Koncepti i tij është ndërthurja e formave të ndryshme të shprehjes së artit dhe vendosja e tyre në funksion të hapësirës dhe kohës. Rrugëtimi i festivalit vazhdoi dhe këtë vit në edicionin e gjashtë në datat 18, 19, 20 korrik, duke e transformuar qytetin historik me vlera të mëdha të trashëgimisë kulturore, në një qytet me aktivitete të larmishme dhe gjithëpërfshirëse për komunitetin vendas dhe jo vetëm. U zhvilluan koncerte muzikore nga grupet austriake, greke dhe shqiptare, DJ që luajtën rryma të ndryshme, art pamor, street art, cirk dhe shumë aktivitete të tjera. Natën e parë të festivalit performoi grupi austriak Leyya, të njohur për muzikën e tyre urbane dhe kozmopolite. "Kinema nën Yje” solli për publikun filma të realizuar në qytetin e Beratit dhe jo vetëm. Kori i Vajzave në drejtimin e dirigjentes Suzana Turku ishte gjithashtu në Festivalin Multikulturor të Beratit. Ansambli Medimare solli në qytetin e Beratit muzikën tradicionale greke dhe mesdhetare, të përcjellë në një formë te re dhe dinamike. Repertori i tyre përmbante muzikë tradicionale, moderne dhe kompozime të vetë ansamblit. Alt’n Beats ishte me muzikën e tyre në natën e dytë të Festivalit Multikulturor në kalanë e Beratit. Festivali dhe këtë vit u zhvillua në qytetin e Beratit, deklaruar qytet muze në vitin 1961 nga qeveria shqiptare, që iu shtua listës së trashëgimisë kulturore të UNESCO-s në 2008, si një shembull i rrallë i një qyteti të periudhës otomane. Kalaja përbën një nga pamjet më të mrekullueshme të qytetit. Ajo ka ruajtur të pandryshuar planin e saj origjinal të shekullit IV para Krishtit. Me kalimin e kohërave ajo ka pësuar disa ndryshime gjatë shekujve VI, VIII, XV dhe XIX. Ajo nuk është vetëm një nga kështjellat më të mëdha të banuara, por një arkiv në gurë, e cila ofron një varietet stilesh dhe kontribute të epokave të ndryshme romako-bizantine, shqiptare dhe otomane. Ndërtesat brenda kalasë janë ndërtuar gjatë shekullit të XIII dhe për shkak të arkitekturës së tyre karakteristike janë ruajtur si monumente kulture. Kalaja ka shumë kisha bizantine si dhe disa xhami të ndërtuara gjatë epokës otomane, e cila filloi në vitin 1417.