BREAKING NEWS

PS vijon “luftën”, Presidenti drejt 'fundosjes'/ Zbulohet data e përfundimit të hetimeve për shkarkimin e Metës, ja kur përfundon puna e Komisionit Hetimor

PS vijon “luftën”, Presidenti drejt 'fundosjes'/
x

Kultura

Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit me dy ekspozita të rëndësishme, mbledh dhe mjeshtrit e vizatimit shqiptar

Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit me dy ekspozita të

Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit do të zhvillohet për herë të tretë në Tiranë. Punimet në pikturë të artistëve të njohur nga bota dhe shqiptarë do të prezantohen në muajin qershor, në Muzeun Historik Kombëtar. Festivali i këtij viti që do të zhvillojë edicionin e tretë do të sjellë dhe ekspozitën e vizatimit shqiptar, me punë nga artistë të njohur. Puna për këtë aktivitet, që vjen nën nismën e piktorit të njohur Helidon Haliti, njëkohësisht president i Shoqatës Ndërkombëtare të Akuarelistëve për Shqipërinë, ka nisur prej disa muajsh. Kuratori Helidon Haliti thotë se festivali e bën Shqipërinë të jetë në vëmendjen e artistëve nga e gjithë bota. Si kurator i festivalit që do të zhvillohet nga data 16 deri në 25 qershor, mjeshtri i akuarelit Helidon Haliti thotë se këtë vit janë ekspozita të rëndësishme. “Në festivalin e këtij viti vijnë diku te 50 mjeshtra ndërkombëtarë të akuarelit dhe janë 16 shqiptarë. Risia do të jetë, që janë dy ekspozita. Përveç festivalit të akuarelit me punime që kanë bërë artistët kryesisht këtu në Shqipëri vitin e kaluar dhe vitet e tjera, bëhet një rezyme çfarë ata kanë bërë. Risia absolute e këtij festivali është sepse mbledh dhe 50 mjeshtrat e vizatimit shqiptar. Përkrah zhanrit të akuarelit ne fillojmë një zhanër, që është primari, pra vizatimi”, thotë piktori i njohur Helidon Haliti. Në një nga sallat e muzeut do të jenë 50 mjeshtrat e vizatimit shqiptar, duke nisur me vizatime nga Ibrahim Kodra, Ismail Lulani, Guri Madhi, Gazmend Leka, Edi Hila, Ardian Isufi, Mikel Temo, etj. Sipas piktorit Helidon Haliti kjo ekspozitë do të ketë dhe albumin përkatës, që është mbaruar dhe është në proces stampimi. Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit është vlerësuar shumë nga artistët dhe publiku. Një tjetër sukses i piktorit të njohur Helidon Haliti, një nga artistët shqiptarë me vlerësime brenda dhe jashtë vendit.

 Mjeshtrit e akuarelit në ekspozitë

Punët në akuarel që do të prezantohen këtë vit janë nga artistë në shtete si India, Italia, Kina, Turqia, Urugai, Koreja e Jugut, Kosova etj. Ndër mjeshtrit e akuarelit të huaj dhe shqiptarë që marrin pjesë me punët e tyre në ekspozitën që do të hapet në Muzeun Historik Kombëtar përmendin Atanur Dogan, Amit Kapoor, Alvaro Castagnet, Alexandra Bryska, Armand Xhomo, Artur Semofolov, Angela Barbi, Anna Nicodemo, Arnold Bllaca, Helidon Haliti, Ergys Demo, Husain Alsawan, etj. Kurator i këtij festivali mjeshtri i akuarelit Helidon Haliti thotë se punët që do të prezantohen datojnë, që nga viti 2015. Sipas tij, janë punime në akuarel që shumë prej tyre prezantohen për herë të parë. “Në ekspozitë janë punime që janë bërë në Shqipëri që në vitin 2015 kur ne filluam të zhvillonim këtë festival të akuarelit. Shumica e punëve që do të prezantohen janë për herë të parë për publikun. Më parë artistët kanë ardhur fizikisht dhe kanë bërë një ekspozitë me punët që kanë sjellë, më pas ne kemi demostruar live, kemi shkuar në shkolla të ndryshme, por covid na mbajti larg. Në fakt ne më parë e bëmë një ekspozitë online për të mos ndaluar aktivitetin që ishte dhe një risi, sepse sot shumica e njerëzve po e imitojnë. Ne nuk mbetemi me kaq, por sjellim një risi, një ekspozitë prestigjioze që do ta shikoni me të gjithë mjeshtrat e vizatimit”, shprehet piktori Helidon Haliti. Nëse hapen kufijtë artistët që janë në shtete të tjera janë të lirë, që të vijnë në vendin tonë. Disa nga punimet e festivalit janë dhuruar nga artistët kur kanë qenë në Shqipëri dhe i përkasin shoqatës “Vizart”, një pjesë tjetër kanë arritur ti dërgojnë pikturat me postë para kufizimeve nga pandemia. Festivali është një aktivitet, që zhvillohet nga shoqata “VizArt” çdo dy vjet.