BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

Festivali “Romanca Shqiptare”, Endri Sina: Problem buxheti dhe pandemia, shpresojmë ta zhvillojmë në vjeshtë

Festivali “Romanca Shqiptare”, Endri Sina: Problem buxheti dhe

Kompozitorët e njohur Haig Zacharian dhe Endri Sina kanë mbajtur gjallë të kompozuarin dhe kënduarin e romancës shqiptare. Me festivalin “Romanca Shqiptare”, që prej vitesh zhvillohet në vendin tonë ata i kanë dhënë hapësirën e munguar muzikës sonë. Në vitin 2018, festivali “Romanca Shqiptare” zhvilloi edicionin e njëmbëdhjetë, në skenën e Universitetit të Arteve. Më pas për shkak të problemeve me buxhetin nuk u zhvillua në vijim, ku problemet u shtuan dhe me pandeminë pasi aktivitetet në salla u ndaluan. Në këto kushte organizatorët janë me shpresën, që të arrijnë të zhvillojnë festivalin “Romanca Shqiptare” këtë vit në vjeshtë, që përkon dhe me edicionin e 12. Kompozitori i njohur Endri Sina njëkohësisht dhe një nga organizatorët e festivalit shprehet se po mundohen, që të gjejnë financime dhe nëse do të krijohen kushtet “Romanca Shqiptare” do të zhvillohet në vjeshtë. “Ne nuk kemi aplikuar te projektet për këtë vit në Ministrinë e Kulturës, për zhvillimin e “Romancës Shqiptare”. Kjo pasi duhej dhe të ishte një projekt me grupe të mëdha dhe të ishin bashkë, vetë romanca nuk futej në një projekt të madh dhe hoqëm dorë. Vjet ishte dhe pandemia nuk u zhvillua, por këtë vit shpresojmë që ta zhvillojmë nga vjeshta. Me shpresën të sigurojmë diku buxhet dhe ndoshta janë hapur dhe sallat. Por deri tani nuk mund të them një gjë konkrete. Zakonisht ne festivalin e zhvillonim në muajin maj. Edicioni i fundit ka qenë në 2018 dhe në 2019 nuk u zhvillua për shkak të mungesës së financimeve dhe vjet nuk u zhvillua dhe për shkak të pandemisë, ku as online nuk arritëm dot”, tregon kompozitori. Festivali ka rëndësi në jetën artistike, sepse promovohen autorët shqiptarë, por gjithmonë kërkesa është dhe për nivelin muzikor. Por ndër vite sipas kompozitorit Endri Sina zhvillimi i festivalit nuk ka qenë i lehtë. Kompozitori Sina tregon mes të tjerave, që me kaq pak buxhet sa jepet nuk është varianti më i mirë për të mbajtur gjallë muzikën. “Festivalin e kemi mbajtur gjallë me një buxhet shumë të ulët, aq sa kemi mundur të sigurojmë. Ka një strukturë që muzika luhet me dy veta që ekzekutojnë. Është shumë komode dhe praktike për tu bërë, por jo se ky është varianti më i mirë i të mbajturit muzikën gjallë”, tregon kompozitori Sina.

Romanca shqiptare në vite

Në edicionin e 11 që u zhvillua në 2018, veprat e 15 autorëve shqiptarë erdhën për të pranishmit në festivalin “Romanca Shqiptare”. Festivali i romancës shqiptare në drejtimin e kompozitorëve Haig Zacharian dhe Endri Sina është një aktivitet sa tradicional aq dhe elitar i muzikës shqiptare. U zhvillua për shumë vite rresht pas viteve ‘90 nga shoqata “Tonin Harapi”. Pas viteve 2000 për arsye të ndryshme nuk arriti të ketë vazhdimësi, duke krijuar tashmë një hapësire boshe në rrugëtimin e muzikës së re shqiptare. Kjo mangësi në fushën e krijimtarisë vokale nxiti krijues dhe interpretues në idenë e riaktivizimit të këtij festivali. Dobia dhe impakti i këtij lloj festivali në jetën koncertore muzikore kombëtare e kishin bërë të domosdoshme riaktivizimin e tij si dhe rikthimin e kompozitorëve, apo këngëtarëve drejt gjinisë së romancës vokale. Kjo lloj gjinie vokale instrumentale bën pjesë në grupin elitar të muzikës së dhomës dhe njëkohësisht krijon mundësi komunikimi të lehta në shtrirje (qytete të ndryshme) për shkak të formatit të thjeshtë (solist-shoqërues).