BREAKING NEWS

Pak kohë para zgjedhjeve, vjen një tjetër ‘shuplakë’ e fortë për Monika Kryemadhin / Damian Gjiknuri jep lajmin, ja çfarë ka ndodhur në Vlorë

Pak kohë para zgjedhjeve, vjen një tjetër
x

Kultura

Filmi i animuar shqiptar, regjisorët: Nuk ka ku të shfaqet, festivalet janë e vetmja dritare, duhet më shumë buxhet nga QKK

Filmi i animuar shqiptar, regjisorët: Nuk ka ku të shfaqet, festivalet

Në vitin 1975 u prodhua i pari film multiplikativ shqiptar “Zana dhe Miri”. Në Kinostudio që nga ai vit në vijim janë prodhuar filma të ndryshëm, por pas viteve ’90 problemet me të cilat u përball animacioni në vend nuk ishin të pakta. Jo vetëm buxhetet që jepen për projektet e ndryshme nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë nuk janë sa duhet për realizimin e filmit të animuar, por shqetësuese është mungesa e shfaqjes së tyre në ekranet televizive në vend. Regjisorë të ndryshëm të filmit të animuar shprehen se dhe ky vit duket se nuk premton shumë, që kjo situatë të ndryshojë me filmin e animuar. Ata thonë se më shumë është pasioni i tyre me filmin, që ata po vazhdojnë me projektet. Regjisorët Bertrand Shijaku dhe Eliona Thomaraj shprehen se për prodhimet e animacionit në vendin tonë duhet më shumë vëmendje. Bertrand Shijaku regjisor -piktor i filmit të animuar, filmin e parë ka atë me titull "Bilbili dhe mbreti". Para realizimit të këtij filmi të animuar Betrand Shijaku ka qenë bashkautor dhe në dy filma të tjerë të animuar, pastaj që nga ajo kohë ka realizuar shumë filma të tjerë. Por në një reagim të tij ai thotë se jo vetëm buxheti që duhet të jetë më i lartë, por dhe projekte të filmit të animuar duhet të financohen më shumë nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. “Buxheti për filmin e animuar duhet të jetë me i madh dhe përzgjedhja e projekteve të jetë më e mirë. Unë e çova projektin në kohë normale të rregullt, ndërkohë të tjerët nuk sollën. Qëndruan një vit pushim dhe vitin tjetër që e sollën unë nuk fitova dhe ata fituan në QKK. Pra respektimi i afatit që të jenë korrekt në QKK. Edhe bordi duhet të ndryshojë. Për mua të jetë një bord për filmin me shqiptarë”, thotë Shijaku.

Shfaqja e animacionit

Në reagimin e tij si regjisor i animacionit Bertrand Shijaku vijon më tej se para viteve ’90 ishte një sistem tjetër, por për filmin e animuar të pakta janë dhe mundësitë se ku duhet të shfaqen këto prodhime që bëhen tani. Sipas Shijakut, festivalet janë të vetmet dritare për filmat e animuar shqiptarë. “Para ’90 kishte tjetër vëmendje për filmin e animuar, tjetër sistem dhe atë kohë nuk shfaqeshin filmat e huaj si sot. Kinematografia është industri. Tani këto fonde që jepen, më shumë janë për të mbajtur gjallë traditën me animacionin. Unë për shembull punoj më tepër për pasion. Pas realizimit unë vetë e shfaq filmin në festivale, sepse televizionet në vend nuk e marrin filmin e animuar. Filmin e shfaq vetëm në festivale filmi në vend dhe në botë, këto janë dy mundësitë për të shfaqur filmat. Apo dhe ndonjë aktivitet i rrallë që zhvillohet, por kryesisht vetëm në festivale dhe kjo është dritare e filmit të animuar sot”, vijon regjisori Shijaku. Eliona Thomoraj prej disa kohësh është duke punuar me filmin animuar. Këtë vit Thomoraj do të prezantojë dhe një premierë të filmit të animuar, por tregon se prej vitesh animacioni në vend është në mbijetesë. “Animacioni në mbijetesë, sepse që nga filmat fundit të viteve ‘90 në 30 vite të mos bësh një film ku ka dialog dhe flasin personazhet është e tmerrshme, është regres”, pohon ajo. Ndërsa pritet që filmi i saj të jetë premierë, regjisorja Thomoraj thotë se në ambiciet e saj dëshiron që të realizojë një cikël të plotë me filmin e animuar. “Me ambiciet e mia do të doja të krijoja një film serial të animuar dhe të kishim vazhdimësinë të po të njëjtit film”, thotë ajo. Por ashti si regjisori Bertrand Shijaku edhe Eliona Thomoraj shprehet se problemi sot është dhe shfaqja e filmit të animuar. “Nuk kanë ku shfaqen filmat e animuar, për ti ofruar fëmijëve tanë art shqip”, vijon ajo. “Zana dhe Miri” si filmi i parë i animuar shqiptar është përgatitur nga autorët realizues Vlash Droboniku dhe Tomi Vaso.