BREAKING NEWS

“Pa koment”,Rama poston foton nga takimi i Bashës dhe jep mesazhin e fortë

“Pa koment”,Rama poston foton nga takimi i Bashës dhe jep
x

Kultura

Filmi “Legjenda e vendit t'shenjtë” premierë, Eliona Thomaraj: Hyn në kategorinë e filmit familjar

Filmi “Legjenda e vendit t'shenjtë” premierë, Eliona

Filmi “Legjenda e vendit t'shenjtë”, me skenar dhe regji nga Eliona Thomaraj pritet të jetë premierë këtë muaj. Filmi sjell në ekran një legjendë shqiptare. Një projekt kinematografik me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, ku pjesë e tij është dhe aktori i ndjerë Sulejman Dibra. Të tjerë aktorë janë dhe Eliona Thomaraj, Andri Ibrahimaj dhe Jon Ibrahimaj. Filmi “Legjenda e vendit t'shenjtë” rrëfen legjendën e kishës së Laçit, nga shekulli i III deri në shekullin e X të erës sonë. Regjisorja Thomaraj e cilëson një film familjar dhe shprehet se pas problemeve që kanë kaluar më parë dhe për shkak të pandemisë, këtë muaj filmi do të jetë premierë. Si regjisore Thomaraj pohon se ka këndvështrimin e saj se si rrëfehet ngjarja në film dhe tregon se zgjodhëm targetin e filmit të animuar, ku surrealja të lejon të bësh mrekullira pa dalë nga konteksti. ““Legjenda e vendit t’shenjtë” hyn në kategorinë e filmit familjar, pasi temat e legjendave duan patjetër edhe shpjegimin përkatës alegorik. Subjektet e legjendave nuk janë përralla naive, por janë të bazuara në një pjesëz të realitetit, pastaj hiperbolizohen figurat apo bëmat e tyre. Pra me film familjar nënkuptojmë një gamë më të gjerë shikueshmërie, prindër dhe fëmijë së bashku. Këtë muaj filmi do të ketë patjetër premierën e tij, më parë kemi pasur probleme, ku dhe pandemia ndikoi”, pohon Thomaraj. Regjisorja ElionaThomaraj edhe më parë ka folur për punën e saj me kinematografinë, duke shpresuar që të ketë më shumë mbështetje kinematografia shqiptare. Për filmin e saj, Thomaraj tregon se filmi “Legjenda e vendit t’shenjtë” flet për historinë e Shën Vlashit në vitin 365, kur u mbyt në gurë të gjallë nga Agrikola, sundimtari pagan i Sebastes. “Martirizimi i Vlashit bëri që ai vend të shenjtërohej nga vendasit ndër shekuj. Historia vazhdon në vitin 1112, kur disa murgjër të urdhrit françeskan donin të ndërtonin një kishë në Sebaste (Laçi ). Veglat fluturonin natën e shkonin mbi shpellën ku u martirizua Vlashi. Kur populli dhe murgjit u hasën me këtë mrekulli, vendosën ta ndërtojnë kishën atje ku ndodhet edhe sot e kësaj dite kisha e Shna’Ndojt”, shprehet mes të tjerave Thomaraj për historinë në filmin e saj që pritet premierë.

Puna me filmin

Filmi që ka financimin e QKK pritet të jetë premierë këtë muaj, por regjisorja Eliona Thomaraj tregon është një projekt që hyn në kategorinë e filmit familjar dhe lindi si nevojë e ruajtjes se trashëgimisë popullore kulturore. Regjisorja që do të sjellë në ekran një legjendë shqiptare, mes të tjerave shprehet se populli ynë ka trashëguar brez pas brezi gjuhën, zakonet dhe kulturën e vet. “Kjo vlerë e jashtëzakonshme që u përcoll gojë më gojë nga mëma tek bija e nipër e mbesa deri në ditët e sotme, ku legjenda e gojëdhëna erdhën të gjalla derisa u mblodhën dhe u shkruan folkloret e ndryshme të krahinave tona shqiptare. Pikërisht kjo vlerë jona më detyroj artistikisht të merrja në mbrojte dhe ti shpluhurosja nga raftet legjendat tona madhështore në film të animuar familjar, për të ruajtur autencitetin tonë, për ti ofruar fëmijëve tanë artin tonë të trashëguar brez pas brezi”, thotë ajo. Drejtor animator në film është Bledar Gërcaliu, kompozitor Mark Luli, kostumografe Elva Bella. Producentë Andri Ibrahimaj dhe ElionaThomaraj. Pas këtij filmi regjisorja tregon se po mendon për një tjetër projekt, ai me titull "Legjenda e vlla'maleve", që do të konkurrojë në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë.