BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

Filmi “Ngjarje” me aktorë nga Shqipëria dhe Kosova, në “BEAST International Film Festival”

Filmi “Ngjarje” me aktorë nga Shqipëria dhe Kosova,

Filmi artistik “Ngjarje”, me regji nga Lorin Terezi është në konkurrim në një festival ndërkombëtar filmi, që po zhvillohet në Portugali. Me një kastë aktorësh nga Shqipëria, si dhe nga Kosova, filmi me regji nga Lorin Terezi sipas Qendrës Kombëtare të Kinematografisë është përzgjedhur, që të konkurrojë në këtë festival në kategorinë “Filmi më i Mirë”. “Filmi me metrazh të shkurtër "Ngjarje", regjia Lorin Terezi, prodhuar nga shtëpia kinematografike "Kaçak", është përzgjedhur për të konkurruar në kategorinë "Filmi më i Mirë" në edicionin e 4 -të “BEAST International Film Festival”, Portugali, i cili zhvillohet online nga data 24-28 mars”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë ( QKK). Filmi “Ngjarje” i regjisorit Lorin Terezi me një kastë aktorësh nga Shqipëria, por dhe Kosova është një komedi e zezë. Skenari i filmit është shkruar nga Lorin Terezi dhe Anila Balla. Bashkëskenarist dhe regjisor Lorin Terezi më herët tregoi, se në film një fshat i harruar merr vëmendje dhe bëhet i njohur vetëm pas gjetjes së një viktime. “Për të shkruar skenarin që jam bashkautor me Anila Ballën ne na ngacmuan ngjarjet që ndodhin edhe tek ne, ku gjenden viktimat, trupa të vdekur që janë të paidentifikuar në rrethinat dhe fshatra të Tiranës. Kjo ka qenë dhe inspirim për ne që të nisnim të shkruanim dhe skenarin e filmit artistik “Ngjarje””, tregon për punën me filmin regjisori Lorin Terezi, një nga emrat që ka spikatur me punën e tij në fushën e kinematografisë në vendin tonë me projekte të ndryshme.

Puna me filmin

Në rolet e filmit “Ngjarje”, që është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë përmendim aktorët si Mirjana Deti Laço, Bilbil Kasmi, Kreshnik Ferra, Pëllumb Dervishi, si dhe aktorja Lena Kryeziu Bokshi që vjen nga Prishtina. Xhirimet e filmit me regji nga Lorin Terezi janë bërë në fshatin Shkallë të Shëngjergjit në Tiranë. Për filmin “Ngjarje” regjisori Terezi ka treguar se mes të tjerave në këtë film, për fshatin të tjerët kujtohen vetëm për ngjarjen makabre që ndodhi. “Përveç historisë, ne e shikojmë dhe se si është harruar fshati, që bëhet protagonist përmes kësaj ngjarje që ka ndodhur aty, por që është makabre. Pra kur të tjerët kujtohen për këtë fshat, kjo është sepse aty ndodhi një ngjarje makabre, dhe është trupi i një viktime. Më parë ai ishte një fshat i harruar”, tregon regjisori. Filmi “Ngjarje”, një komedie zezë sipas regjisorit Terezi i zhvillon ngjarjet në një fshat të harruar të Tiranës. Aty gjendet një viktimë, një trup i vdekur dhe fshati sipas regjisorit Lorin Terezi bëhet protagonist, dëshmitar i kësaj ngjarje. “Fshatarët flasin dhe dëshmojnë për trupin që gjetën si krenarë që ata bashkëpunuan me policinë, por dhe dolën në ekranet e televizionit”, tregonte më parë Terezi. Puna me filmin është gjithmonë me shumë vëmendje për regjisorin Lorin Terezi. Më parë për punën e tij me filmat, ai ka shprehur se kinemanë e ka primare dhe më pas vjen teatri në aktivitetin e tij si regjisor. Regjisori Lorin Terezi u lind në Tiranë. Ai mbaroi Akademinë e Arteve në Tiranë për Regjinë e Teatrit. Më vonë u diplomua në të njëjtin universitet për Regjinë e Filmit dhe të TV-së. Ky është filmi i dytë i shkurtër i regjisorit Lorin Terezi, me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Regjisori Terezi, i cili është diplomuar në Akademinë e Arteve më parë në aktivitetin e tij realizoi filmin me titull “Tirana 100 km”.