BREAKING NEWS

Rama përjashton rreth 35 deputetë nga lista e 25 prillit, ja emrat e PS, PD, LSI dhe partive të tjera që pritet të kandidojnë në 12 qarqet

Rama përjashton rreth 35 deputetë nga lista e 25 prillit, ja emrat e
x

Kultura

Filmi shqiptar “Bolero në vilën e pleqve”, me çmimin “Best Female Scriptwriter” në festivalin e Kanadasë

Filmi shqiptar “Bolero në vilën e pleqve”, me

Filmi shqiptar “Bolero në vilën e pleqve” me regji nga Spartak Pecani merr një tjetër çmim, në “Toronto International Women Film Festival”. Pjesëmarrës deri më tani në festivale të ndryshme të filmit në botë, çmimi për skenarin në festivalin e filmit në Kanada shkoi për “Bolero në vilën e pleqve”. Si bashkëskenariste Linda Fejzaj shprehet entuziaste për filmin dhe vlerësimin me çmimin “Best Female Scriptwriter”, në Kanada. Ajo thotë se ky çmim erdhi nga puna e një stafi profesionist. “Çmimi si skenaristja më e mirë femër me skenarin "Bolero në vilën e pleqve" erdhi nga puna e një stafi super solid, profesionist, dritëplotë, mendjehapur, vizionar, të lirshëm dhe shpirtdhënës dashamirës, tolerant dhe kërkues njëkohësisht”, shprehet Fejzaj. “Toronto International Women Film Festival” është festivali i katërt që filmi merr pjesë, dhe deri tani tre çmime të marra, dy në të cilët vlerësohet si skenari më i mirë. Si bashkëskenariste Linda Fejzaj shprehet se nëse hyrjen në festivalin e parë i tha vetes është fat, në vazhdimësinë dhe ecurinë e filmit është profesionalizmi ai që i ka dhënë dritë dhe vendin që meriton. “Nuk di pse që në fillesa kisha një bindje se do të kishte sukses, jo vetëm se ne kemi zgjedhur një vepër të mirë, shumë të mirë të Fatos Kongolit, por dhe përkushtimi për të bërë më të mirën nuk njohëm kohë, me kohë e pa kohë”, shprehet Fejzaj në një reagim të saj pas çmimit, në festivalin kanadez. Filmi me skenar nga Spartak Pecani dhe Linda Fejzaj është një kompleks ndjenjash, marrëdhëniesh që nxjerrin në pah realitetin, të vërtetat që ndonjëherë është frikë ti thuash me zë të lartë, me motive të veprës së autorit Fatos Kongolit me të njëjtin titull. Bashkëskenariste në film Linda Fejzaj thotë se bashkë me regjisorin Spartak Pecani i është rikthyer disa herë materialit, dhe deri këtu u arrit falë një punë të jashtëzakonshme. “Me z. Pecani i jemi rikthyer dhjetëra herë, sepse ai nuk di të ndalet, nuk di të thotë mjaft. Subjekti është një bazë për ecurinë. Mendoj se kemi arritur deri këtu falë një pune të jashtëzakonshme, duke hyrë në lëkurën e të gjitha personazheve tona për të sjell një film të vlerësuar”, tregon Fejzaj.

Puna me veprën e Kongolit

“Bolero në vilën e pleqve” me regji të Spartak Pecanit është prodhuar nga shtëpia kinematografike “Eclipse S.A” & coproduction “AM Production” dhe po vazhdo rrugëtimin e tij me vlerësime në festivale. Si bashkëskenariste Linda Fejzaj thotë se u bënë vite që punon me veprën e Kongolit, ku dhe zgjedhja e skenarit tjetër nga Pecani është vepra e tij të cilën po punojnë. “Ju do të pyesni a jam e lumtur me këtë arritje? Në çmimin e Varshavës u ndjeva e kënaqur, e çmimi i Parisit si filmi më i mirë ka qenë një tjetër wow, që më bindi se ne kishim bërë më të mirën që mundëm. Ky çmim i Torontos është vazhdimësia që Shqipëria meriton. Unë fle dhe zgjohem me skenarin dhe ky sukses duhet të vinte domosdoshmërisht, jo vetëm për mua, Spartakun, Agimin, Robertin, Margaritën, Gentianën, Oltat, Meritën, Afrimin, Ledjonin, Margentin, Endrin, Gertën, po dhe për familjet e të gjithëve ne dhe familjen e madhe Shqipërinë, që pret më shumë arritje. Festivale të tjerë na presin dhe presim dhe padyshim të reja të tjera”, thotë Linda Fejzaj, duke vijuar dhe me falenderimin për Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, që besoi dhe vlerësoi skenarin. Në qendër të filmit është një çift pleqsh, që janë të detyruar të jetojnë të vetëm në fundin e jetës së tyre edhe pse kanë tre fëmijë. Filmi përcjell mënyrën e sotme të të jetuarit, si dhe dramën shqiptare që kalon në modernitet ku harresa është aq e dhimbshme sa edhe gjithë dramat e tjera dhe zhvillohet aty ku ka pamundësi të marrëdhënieve familjare. Në rolet e filmit janë aktorët Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Gentiana Ramadani, Olta Daku, Olta Gixhari, Merita Dabulla, Afrim Muçaj, Ledjon Zoi. Muzika nga Endri Sina dhe kostumografia nga Gerta Oparaku.