BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron kthesën e madhe në politikën shqiptare

Spartak Ngjela paralajmëron kthesën e madhe në politikën
x

Kultura

Filmi “Vitet e pritjes” prodhim i vitit 1989, përfundon faza e dytë e restaurimit

Filmi “Vitet e pritjes” prodhim i vitit 1989, përfundon faza e

Faza e dytë e restaurimit të filmit artistik “Vitet e pritjes” ka përfunduar. Lajmin e bën me dije Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, i cili disa ditë më parë njoftoi se kishte nisur restaurimi dhe për një tjetër prodhim kinematografik shqiptar. Filmi “Vitet e pritjes” u shfaq premierë në vitin në vitin 1990, në një kohë kur drama e emigracionit në Shqipëri po niste sërish. Ky prodhim kinematografik është bashkëpunimi i regjisorit Esat Musliu me shkrimtarin Teodor Laço, bazuar mbi romanin e tij “Lëndina e lotëve”. Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmi (AQSHF) shprehet se vijon punën përtej vështirësive për restaurimin e filmave klasikë shqiptarë, që do të shfaqen në kinema me mbarimin e pandemisë. “Vitin e kaluar Festivali i Filmit në Venecia dhe ai i Telluride, shfaqën premierë dokumentarin artistik “To the moon” të Tadhg O'Sullivan, ku përfshihet edhe një segment i shkurtër nga “Vitet e pritjes” (1989) të Esat Musliut. Elementet origjinal u skanuan në laboratorin e arkivistit zviceran Reto Kromer, i cili ka mbështetur përpjekjet tona nëpërmjet ACP - Projektit të Kinemasë Shqiptare që nga 2012. Kemi kënaqësinë të ndajmë lajmin e mirë që Steven Kastrissios, regjisori i talentuar i filmit horror “Bloodlands”, sapo përfundoi fazën e dytë të restaurimit të filmit “Vitet e pritjes””, shprehet mes të tjerave AQSHF. Arkivi i filmit vijon më tej, se versioni i restauruar do të shfaqet për publikun. “Shpresojmë të sjellim premierë versionin e restauruar të “Vitet e pritjes”, si dhe filmin Irlandez “To the moon” për publikun gjatë vitit 2021”, pohon arkivi, ndërsa ka publikuar dhe foto ku janë Steven Kastrissios, Esat Musliu dhe drejtuesja e AQSHF, Iris Elezi. Puna me restaurimet e filmave shqiptarë mirëpritet shumë dhe nga regjisorë dhe aktorë të ndryshëm. Për aktorin Ilirian Ali që ka disa role në filma si para ’90 apo dhe pas këtyre viteve, prodhimet kinematografike janë pjesë e historisë së artit në vend dhe restaurimi i tyre ka shumë vlerë. “Filmat shqiptarë paraqesin një pjesë të jetës shqiptare, një pjesë për të mos thënë atë më të rëndësishme të historisë shqiptare. Çdo komb, çdo popull ka një histori të artit të tij dhe filmi do të jetë një faqe e ndritur e trashëgimisë kulturore. Ndaj dhe restaurimi i tyre ka vlerë për ti ruajtur e për t’jua transmetuar vlerat brezave, të dinë nga vijnë të dinë si kanë punuar, luftuar e bërë art paraardhësit e tyre. Kështu e gjykoj unë mirëmbajtjen e restaurimit të tyre”, thotë aktori Ilirian Ali. Ndërsa janë të shumat rolet që aktori Ilirian Ali ka luajtur në teatër, në fushën e kinematografisë ai ka role te filmat "Vëllezër dhe shokë", “Gurët e shtëpisë sime”, “Gjoleka djali i Abazit”, etj.

Ngjarjet në film

“Vitet e pritjes” është film prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re” i xhiruar në vitin 1989 dhe i shfaqur në1990. Regjia Esat Musliu, skenari Teodor Laço, Esat Musliu dhe muzika Limos Dizdari. Ngjarjet në film nisin nga mesi i viteve ‘30. Jano Kodri kthehet nga Amerika por e ka të pamundur të integrohet përsëri në jetë. Të gjithë e pyesin për emigrantë të tjerë që nuk kanë më lidhje me familjet, por Jano rri i heshtur dhe nuk është në gjendje të komunikojë me të tjerët që e rrethojnë. Aktorë në film janë Xhevdet Feri, Marjeta Ljarja, Raimonda Bulku, Rozeta Feri, Stavri Shurti, Sherri Mita, Margarita Xhepa, Birçe Hasko, Vasjan Lame, Artur Gorishti, Merita Gjyriqi, Donald Kokona, Ariola Rrenja dhe Drita Haxhiraj. Filmi ka fituar në Festivalin e IX të Filmit Artistik Shqiptar në 1991 për regjinë dhe skenarin "Çmimin e III" dhe "Çmimin e II" për realizimin figurativ. Aktoret Raimonda Bulku dhe Marjeta Ljarja respektivisht u nderuan me "Çmimin e I" dhe të "Tretë" për rolin e Magdes dhe të Nerënzës.