BREAKING NEWS

Më shumë të shëruar sesa raste të reja! Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Më shumë të shëruar sesa raste të reja! Ministria e
x

Kultura

Filmi “Vulë” merr çmimin e 10, regjisori Valmir Tertini: Në festivale regjisorët tregojnë problematikat në vendet ku jetojnë

Filmi “Vulë” merr çmimin e 10, regjisori Valmir Tertini:

Filmi "Vulë" i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, regjia Valmir Tertini, prodhim i shtëpisë kinematografike "Kinostudio Dardan", ka fituar çmimin "Regjisori më i mirë" në kategorinë "Filmi Ndërkombëtar", në “Samskara International Film Festival”. Ky është çmimi i dhjetë për këtë film, që vazhdon udhën në festivale të ndryshme ndërkombëtare në botë. Festivali pati në konkurrim prodhime të ndryshme të kinematografisë së huaj, dhe regjia më e mirë ishte për filmin shqiptar me metrazh të shkurtër “Vulë”, me skenar dhe regji nga Valmir Tertini. Një projekt kinematografik i suksesshëm ky për regjisorin Valmir Tertini, që thotë se filmi “Vulë” deri më tani është shpërblyer në disa kategori. Filmi artistik “Vulë” ka marrë edhe çmime për skenarin, aktrim, etj, dhe sipas regjisorit Valmir Tertini pjesëmarrja në këto festivali ndërkombëtare ka shumë rëndësi. “Është shumë e rëndësishme, sepse pothuajse në çdo festival po fitojmë madje çmimet më të rëndësishme, si regji ose filmi më i mirë. Më rëndësi e bën fakti, sepse në këto festivale regjisorët tregojnë problematikat në vendet ku jetojnë, dhe tematika është e njëjta. Filmi “Vulë” është shpërblyer në shumë kategori, skenar, aktrim, regji, filmi më i mirë, etj. Bëhet fjalë për festivalet, ku temë, moto kanë problemet e vendeve”, thotë mes të tjerave në një reagim të tij regjisori Valmir Tertini, për pjesëmarrjen në festivalet ndërkombëtare të filmit.

Realiteti në film

 Filmi “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini u shpërblye së fundmi edhe me çmimin “Regjia më e mirë” në “Samskara International Film Festival”, ku regjisori Valmir Tertini thotë se ka bërë maksimumin e tij me këtë projekt kinematografik. “Filmi sjell realitetin. Unë kam bërë maksimumin, tani po e shijoj këtë gjë”, shprehet regjisori i filmit. “Vulë” ka pasur premierën më parë edhe në Tiranë e Podgoricë, dhe deri tani ka fituar 10 çmime në festivale të ndryshme të filmit. Ky film flet për Viktorian, një punonjëse e papërgjegjshme në Ambasadën Gjermane në Prishtinë. E varur nga alkooli, dhe me mungesë të një partneri, bën një jetë geto. Ndërsa punën për të cilën i është besuar posti nuk i intereson fare dhe lë dosjet e hapura pa firmosur. Si një punonjëse e papërgjegjshme, ajo i dha një vizë një vjeçare një djali nga Kosova vetëm për shkak se kishte marrëdhënie seksuale me të. Ajo u shkarkua nga ambasada, dhe rastësisht, ata e shohin njëri-tjetrin në aeroport kur udhëtojnë për në Gjermani. Për realizimit e filmit “Vulë” në të cilin janë bërë bashkë aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ka dhënë mbështetjen e saj edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri. Filmi “Vulë” i regjisorit Tertini çmimin e nëntë e mori në festivalin “Everest Film Festival”. Në këtë film luajnë aktorët Jorida Sorra, Fatlume Bunjaku, Avni Dalipi, Edmond Hafizademi, Vlera Pylla dhe të tjerë. Xhirimet e filmit artistik “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini janë bërë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Prishtinë. Rolin kryesor Viktorian në film e luan aktorja shqiptare Jorida Sorra, që në Gjermani gjithashtu është edhe pjesë e teatrit. Ky është filmi i pestë i regjisorit Valmir Tertini, që deri tani ka në aktivitetin e tij çmime të ndryshme ndërkombëtare, si dhe disa çmime kombëtare. Projektet kinematografike të regjisorit Valmir Tertini kanë qenë pjesë e festivaleve të ndryshme nëpër botë.