BREAKING NEWS

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme të vendit/ Kallëzohen 7 funksionarë publikë në Prokurori. Kush janë zyrtarët e lartë dhe akuzat që rëndojnë mbi to

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme
x

Kultura

 “Flamuri i Paqes”, një premierë folkloristike e 1952 nga Filarmonia Shqiptare

 “Flamuri i Paqes”, një premierë folkloristike e 1952

“Flamuri i Paqes” është një premierë që i takon vitit 1952. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se atë kohë orkestra u drejtua nga dirigjenti Mustafa Krantja. ““Flamuri i Paqes” është premiera folkloristike e shfaqur nga Filarmonia Shqiptare më 31 mars të vitit 1952. Kjo shfaqje u interpretua nga grupi i valleve të Filarmonisë, Orkestra Simfonike, Kori dhe Orkestrina Popullore. Orkestra u drejtua nga Mustafa Krantja, udhëheqës artistik Georgi Perkun, koreograf Panajot Kanaçi dhe skenograf Stavri Rafael”, thuhet në materialin e TKOB. Mustafa Krantja (Kavajë, 10 prill 1921 - 4 janar 2002) ka qenë mësues si dhe dirigjent shqiptar, i nderuar me çmimin Artist i Popullit. U lind në Kavajë, më pas vijoi studimet në Normalen e Elbasanit, ku mori kontaktin e parë si artist me popullin. Pas një aktiviteti muzikor dhe njëkohësisht edhe atdhetar në korrik të vitit 1944 erdhi në Tiranë në orkestrën e Radio Tiranës si violinist i parë. Më vonë u bë dirigjent i saj dhe krijoi një kuartet harqesh. Kreu studime në Konservatorin e Pragës për dirizhurë dhe kompozicion dhe më pas në Akademinë e Lartë të Artit Muzikor. Ishte dirigjent i operave të para shqiptare “Mrika”, “Skënderbeu’, i baletit të parë shqiptar, “Halili dhe Hajria” si dhe shumë veprave të tjera orkestrale shqiptare. Është lauruar me çmime të Republikës, Urdhrin “Naim Frashëri”, dhe është dekoruar me medaljen “Dvurzhak” nga presidenti çek. Është dirigjenti i pare i Teatrit të Operës dhe Baletit, që me pjekurinë e tij artistike hodhi bazat e dirigjimit operistik në vendin tonë. Karakteristika e tij themelore në këtë ndërmarrje shumë të rëndësishme ishte puna pedagogjike, përgatitja serioze e provave me këngëtarët, korin, orkestrën, me një plan të qartë profesional, zhvillimi i provave të para me penelata të gjëra, pa u zhytur qysh në fillim në detaje të hollësishme që i takon një etape të ardhshme të mëvonshme, bashkëpunim i mirë me autorë të shfaqjes etj. Historia e TKOB fillon në vitin 1950-të, vit në të cilin u krijua Filarmonia Shqiptare, ku bënin pjesë kori i shtetit, orkestra simfonike, këngëtarët lirikë, trupa e baletit, dirigjentët, regjisori dhe një grup i vogël administrativo-teknik.