BREAKING NEWS

Dakordësia për reformën zgjedhore, reagon kryeministri Rama: Nuk është humbje për Bashën. Marrëveshja është rikthim në realitet, ka anë pozitive

Dakordësia për reformën zgjedhore, reagon kryeministri Rama: Nuk
x

Kultura

“Fqinjët” në teatër, Kudret Alikaj: Veprat shqiptare trajtojnë problematikë të ditës e jetës sonë 

“Fqinjët” në teatër, Kudret Alikaj: Veprat shqiptare

Tragjikomedia “Fqinjët” shkruar nga Ruzhdi Pulaha dhe me regji nga Milto Kutali u erdhi në skenën teatrore, si pjesë e sezonit artistik në teatrin “Zihni Sako” të Gjirokastrës. Një vepër që u mirëprit nga publiku dhe me vlerësime dhe në skena jashtë këtij teatri. Veprat teatrore shqiptare sipas artistëve duhet të jenë në skena, ato i flasin kohës dhe përcjellin mesazhe për shoqërinë. Edhe kjo vepër teatrore që ishte premierë në teatrin e Gjirokastrës si dhe në skena të tjera, sipas drejtorit të këtij teatri njëkohësisht dhe aktor në vepër Kudret Alikaj pati impakt te publiku. “Veprat e mëdha dhe të njohura botërore kanë vendin dhe peshën e tyre, por dhe veprat teatrore shqiptare që trajtojnë problematikën kombëtare dhe të ditës e jetës sonë duhet të jenë patjetër në repertorët e teatrove. Këto vepra kanë një impakt shumë pozitiv, si për trupën ashtu dhe për publikun, sepse janë probleme të shpirtit të vetë popullit”, pohon Alikaj. E interpretuar nga trupa e teatrit “Zihni Sako” të Gjirokastrës kjo vepër u shpall edhe shfaqja më e mirë e festivalit të teatrit “Kadri Roshi”. Më herët si autor i veprës, Ruzhdi Pulaha është shprehur se për këtë pjesë teatrore është frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë. Në tragjikomedinë “Fqinjët” interpretojnë aktorët Kudret Alikaj, Liliana Kumbaro, Rrapo Kapurani, Dajana Nenaj, Alisa Gushi, Viktor Çaro, Mimoza Kola, Erdit Asllanaj, Serkida Rapollari, Erion Hinaj dhe Delvis Bejleri.

Një vepër e kohës

Si drejtor i teatrit “Zihni Sako” dhe aktor në këtë vepër Kudret Alikaj vlerëson dhe bashkëpunimin me autorin Ruzhdi Pulaha dhe regjisorin Milto Kutali. Edhe pse sezoni artistik është ndërprerë ashtu si dhe në instititucionet e tjera të artit në vend, ku shfaqjet nuk janë nëpër skena për publikun, Alikaj thotë se kjo ka qenë një nga veprat që u soll me ato probleme që jugu i ka prekur më parë. “Ishte një bashkëpunim shumë i mirë me dramaturgun Pulaha dhe regjisorin Kutali. Një vepër e kohës, një vepër shqiptare që sidomos jugu në një farë mase i ka prekur këto halle e probleme që trajtohen në shfaqje. Një vepër teatrore, që i fliste kohës. Qeveritë shpeshherë kanë bërë ndarjen e kombeve dhe kulturave, por hallet nuk i kanë ndihmuar. Tani në demokraci gjërat ndryshojnë”, shprehet Alikaj, në reagimin e tij. Tragjikomedia “Fqinjët” e autorit Ruzhdi Pulaha i zhvillon ngjarjet në vitet 1995-‘96 në një fermë greke, ku janë punësuar disa shqiptarë. Aty lind një flirt mes djalit të pronarit grek dhe të motrës së punëtorit shqiptar. Dashuria e Markos, djalit të familjes greke ku është punësuar familja e Borës, vajzës shqiptare që i ka rrëmbyer zemrën, është edhe kryefjala e ngjarjes ku zhvillohet konflikti. Drama që përshkon të gjithë veprën përtej nuancave të humorit është ajo e brengës njerëzore prej ndarjes, mbështetja që njerëzit ofrojnë për njerëzit e fqinjët për fqinjët. Dramat dhe komeditë e Ruzhdi Pulahës janë vënë në skenë jo vetëm në Teatrin Kombëtar, por edhe në Korçë e teatro të tjerë të vendit. Pulaha shquhet për frymën polemiste në trajtimin e konflikteve të mprehta të ditës, në dramat e tij. Drama të suksesshme të tij para vitit 1991 përmendim  “Maro Mokra”, “Mësuesi i letërsisë”, “Përballë vetes”, “Nën dritat e skenës”, “Doktori pacient”, etj. Në vitin 2000 sjell veprën “Kohë e çmendur” dhe “Streha e të harruarve” në 2004.