BREAKING NEWS

“Ju heqim non gratat”/ Skandali i McGonigal, "bomba" nga Milaim Zeka: Ja premtimi për Gjykatën e Hagës

“Ju heqim non gratat”/ Skandali i McGonigal, "bomba" nga
x
BREAKING NEWS

Sherr mes disa të rinjve në një lokal, raportohet për të plagosur

Sherr mes disa të rinjve në një lokal, raportohet për
x
BREAKING NEWS

Ngjarja tronditëse në Gramsh, flet kryeplaku i fshatit: Jemi të shokuar, na ka lënë pa fjalë

Ngjarja tronditëse në Gramsh, flet kryeplaku i fshatit: Jemi të
x
BREAKING NEWS

Autori pastroi gjakun dhe mbuloi trupat e viktimave, zbardhen detaje të reja për ngjarjen e rëndë në Gramsh

Autori pastroi gjakun dhe mbuloi trupat e viktimave, zbardhen detaje të
x
BREAKING NEWS

E rëndë/ I riu u ther me thikë në 2 të mëngjesit te Sheshi Skënderbej, policia del me thirrjen e rëndësishme për qytetarët

E rëndë/ I riu u ther me thikë në 2 të mëngjesit
x
BREAKING NEWS

Sëmuret Edi Rama, kryeministri mungon në eventin e rëndësishëm, zbardhen me shpejtësi detajet

Sëmuret Edi Rama, kryeministri mungon në eventin e
x
BREAKING NEWS

Tragjedia në Gramsh/ Hapen dyert e mortit në shtëpitë e viktimave, fqinji rrëfen situatën mes vëllezërve

Tragjedia në Gramsh/ Hapen dyert e mortit në shtëpitë e
x
BREAKING NEWS

Gazetari Robert Papa zbulon arsyen pse SHBA nuk e shpall dot non grata Edi Ramën: Është një goditje e madhe

Gazetari Robert Papa zbulon arsyen pse SHBA nuk e shpall dot non grata Edi
x

Kultura

Frano Kulli: Jo politika “në letër” për librin dhe leximin...

Frano Kulli: Jo politika “në letër” për librin dhe

Institucionet shtetërore kanë detyrime për librin shprehet publicisti Frano Kulli, sipas të cilit duhet të ndërtohen politika të efektshme. Në intervistën për gazetën “SOT” Frano Kulli autor dhe botues shprehet se për ta bërë këtë modele ka plot. Problem për botuesin janë dhe bibliotekat e varfra në vend. Sipas tij, në një situatë ku struktura e komunikimit kulturor është e dobët, është ndoshta më e rëndësishme për të bërë përpjekje në ngritjen e leximit, me forcimin e sistemit të bibliotekave, si gur themeli. Frano Kulli nga enti botues “Gjergj Fishta” shprehet se në një vend si i yni, ku ky sistem lëngon, do të bihej në përsëritje në pohimin e gjendjes ekzistuese, kurse për të ngritur zërin e për të shkundur papërgjegjshmërinë e zyrave përgjegjëse të shtetit, kjo në radhë të parë duhej të ishte detyra e personave që i janë përkushtuar qysh prej ndërrimit të sistemit kësaj pune. Botuesi Frano Kulli ndalet dhe te Panairi i Librit që përfundoi këtë vit edicionin e 25-të, që sipas tij është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore.

-Edhe ky panair libri u mbyll, po për ju si u përcoll këtë radhë dhe sa rëndësi ka kjo festë e librit çdo vit?

Po, nëse flasim, në përgjigje të kësaj pyetjes suaj, si për mbylljen e një feste, unë mendoj se fjalë të mira mund të thuhen më shumë se vërejtje. Sivjet, panairi ishte i njëzetepesti në radhë dhe, ashtu si pararendësit edhe ky kishte pamjen e një feste. Madje jo vetëm pamjen, por edhe në thelb panairi vijon të jetë një festë e librit. Njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore të këtij vendi. Dhe ky nuk është konstatim vetëm i njerëzve që përbëjnë ngushtësisht komunitetin e librit, po një opinion mjaft më i gjerë. Një festë që fton e bën të gëzojnë, lexuesit më së pari, autorët e librave, përkthyesit dhe botuesit, të cilët janë edhe organizatorët e panairit, domethënë edhe të festës. Është një e thënë e fakt i përsëritur se në asnjë organizim tjetër të këtij tipi (panair pra) që bëhet në Shqipëri nuk ka vizitorë më shumë se panairi i librit. Dhe ky, ritual përbën një lajm të gëzueshëm. Një lajm që na ka bërë me dije, kaherë, se libri është një gjësend, që krijon një marrëdhënie të butë, krejt të butë me njerëzit dhe aspak të sticuar e të egërsuar, siç, në Shqipërinë tonë, janë përgjithësisht mardhëniet e njerëzve ndërmjet veti e për rrjedhojë, po kështu, përgjithësisht edhe me utilitetet që i vijnë përreth këtij njeriut.

-Ju keni vite që merreni me librin, te stenda e botimeve “Fishta” edhe këtë vit nuk munguan botime e reja apo dhe libra të tjera. Si ka qenë ky tregues sivjet, krahasuar me vjet? Si botues çfarë veçoni dhe pse?

Po, nga viti i largët '93 e këndej, pra hiç më pak se 29 vjet, në njëzetepesë prej të cilave, qysh prej panairit të parë e këndej jemi pjesëmarrës pa asnjë mungesë. Dhe fakti që ende jemi në këtë fushë, besoj se dëshmon se kemi qenë në rrugën e duhur; në atë rrugë, plot kthesa e gunga, plot të përpjeta e teposhte( tatëpjeta), që kemi pas zgjedhë në fillimet tona. Retrospektiva e veprimtarisë sonë na bën me dije se kemi qenë gjithnjë në ecje crescendo (duke u rritur) dhe, natyrisht kjo na gëzon e na jep kurajë e siguri për të vijuar ecjen. "Botimet Fishta", tashmë e kanë përplot profilin e tyre dhe kështu gjinden në vendin e tyre të pretenduar, besoj edhe të merituar në botimet shqiptare. Në panair, stenda jonë ka fytyrën e vet të patjetërsueshme dhe një mungesë hipotetike e saj, jam i sigurt se do të ishte edhe një mungesë për vetë panairin. Edhe këtë vit, natyrisht kishim edhe ne botimet e reja; vetëm për Fishtën, kishim tri të tilla, sikurse edhe një vit më parë e vit pas viti kështu, që nga viti 2012, pra dhjetë vjet më parë kur ne kemi përmbyllur botimin e kolanës së plotë të veprës së Poetit Kombëtar në dhjetë vëllime. Fishta është emblema jonë e botimeve. Librat nga letërsia shqipe gjithashtu, kanë qenë e vijojnë të jenë përparësia jonë, ato të traditës, sidomos ata të cilët, për shkaqe jashtëletrare qenë eklipsuar nga heshtja a qenë ndaluar, por edhe të së sotmes, pa lënë mënjanë vepra të shënuara nga letërsia botërore. Ne i çmojmë si asete plot vlerë të botimeve tona emrat dhe veprat e Stefan Çapalikut, Durim Taçit, Mehmet Elezit, Lazer Stanit, Tonin Çobanit, Lekë Tasit, Ernest Markut, Salvator Gjeçit etj. Cilësia e spikatur e disave prej tyre sidomos, verifikuar prej lexuesit këtu dhe jashtë Shqipërisë na bën besimplotë në zgjedhjet tona. Kolana romanore e Çapalikut, apo tregimet, të cilat janë përkthyer në gjuhët më kryesore të Europës, gjermanisht, frëngjisht, italisht, serbisht, në gjuhën malazeze, maqedonisht e bullgarisht, janë për botimet tona edhe si një marketim i mirë e mjaft i dobishëm, sikurse na bëjnë krenar, gjithashtu. Nëqoftëse unë do t'ju them se ndër tre libra të qarkulluar në stendën tonë, në këtë panair, njëri titull ka qenë i Çapalikut, ju kam thënë ndërkohë se kjo e dhënë për ne më shumë se produkti modest financiar, ka përcaktuar prirjen (trendin siç thuhet tani). Na ka bërë ne besimplotë se edhe nga autorët bashkëkohorë shqiptarë shkruhet letërsi e mirë, e mirëpritur për lexuesin tonë dhe e zgjedhur nga ai, sikurse gjithnjë e më shumë po preferohet edhe prej lexuesit të huaj dhe zë vend në leximin e tyre.

-Në hapje të panairit të librit ishin dhe dy ministre. Por pse ju jeni shprehur me kritika?

Në ceremoninë e çeljes së panairit ishin edhe dy zonjat ministre; zonja Kushi, ministre e arsimit dhe zonja Margariti, ministre e Kulturës. Dhe është e vërtetë, që unë kam shpreh publikisht një qëndrim kritik për këtë pjesëmarrje të zonjave ministre. Po, më duhet të sqaroj për lexuesin tuaj të respektuar, se qëndrimi im nuk ka qenë aspak qëndrim refuzues në vetvete. Në cilindo vend e shtet normal, një prezencë e tillë nuk mund të jetë as nuk ka pse të jetë e qortueshme. Ndonëse as rutinë e qëllim në vetvete nuk ka pse të jetë, gjithashtu. Përderisa panairi, siç e thamë edhe më lart është ngjarje dhe punë e punëtorëve të librit. Ndërsa pjesëmarrjen e zonjave në fjalë, unë e kam arsyetuar si të panevojshme në sensin etik. Entet shtetërore, në krye të të cilave, zonjat janë, kanë lidhje e detyrime konkrete për librin e për leximin dhe sipas meje janë borxhlie të mëdha. A e dini ju se prej, së paku dhjetë vitesh, në bibliotekat e shkollave nuk hyjnë titujt e ri të librave të botuar? Asnjë të dhënë a projekt të njohur publik nuk ka që na thotë të kundërtën. Dhe kjo është një e dhënë e trishtë, për kulturën e një vendi, aq më shumë, kur bëhet fjalë për moshën shkollore të popullsisë që është e ardhmja e prosperitetit të nesërm. Kurse në bibliotekat publike të qyteteve tona,(se për në fshatra as bëhet fjalë) që në dijet e mia janë rreth 40, ka prej tyre, në të cilat, për dy e më shumë dekada nuk kanë hyrë libra të rinj. Ato janë nën administrimin e qeverisjeve lokale, siç dihet, por politikat , edhe ato librore hartohen e vendohen në atë tryezën  ovale të qeverisë, ku zonjat ministre kanë nga një ndenjëse të rëndësishme vendimmarrëse. Ndaj zonjat, mendoj se mund të mateshin pak më shumë përpara se niseshin për në ceremoni. E ta gjykonin më seriozisht raportin e detyrimeve me të drejtat që kanë, sidomos personat publikë, që kollonisin (administrojnë) punë të rëndësishme publike. Ndonëse për qeverisjet tona, e sidomos këtë të fundit, fasada e terratis rregullisht të mbrendshmen e "godinës" së punëve...

-Çfarë duhet të ishte bërë më shumë për librin në vend dhe sa lehtësira ka për botuesit ?

Duhet bërë shumëçka. Më së pari të ndërtoheshin politika shtetërore për librin. Politika zhvillimore të efektshme e të prekshme, se politika "në letër", ne kemi me tepri. Si për gjithçka. Dhe për këtë, dihet se modele ka plot. Vendet europiano-perëndimore kanë prirje të ndjekin njërin nga dy modelet mbizotëruese në financimin publik të kulturës dhe në botimet, në veçanti. Një model, i orientuar kah të shkruarit, është tipik për vendet latine, ndërsa modeli i dytë, i orientuar kah leximi, është themeluar në vendet anglisht-folëse. Modeli ndjekës dikton shpërndarjen e politikave. Pjesa më e madhe e buxhetit publik në UK, psh, drejtohet tek bibliotekat publike, me fjalë të tjera tek leximi publik, ndërsa në zonën mesdhetare, shumica e ndërhyrjeve është në mbështetje të autorëve dhe përkthyesve përmes inkurajimeve dhe çmimeve të ndryshme. Është çështje zgjedhjesh, por në një situatë ku struktura e komunikimit kulturor është e dobët, është ndoshta më e rëndësishme për të bërë përpjekje në ngritjen e leximit, me forcimin e sistemit të bibliotekave, si gur themeli. Në një vend si i yni, ku ky sistem lëngon, do të binim në përsëritje të panevojshme nëse do të zgjateshim në pohimin e gjendjes ekzistuese, kurse për të ngritur zërin e për të shkundur papërgjegjshmërinë e zyrave përgjegjëse të shtetit, kjo, në radhë të parë do të ishte detyrë e jona e misioni ynë, i ne personave që i jemi përkushtuar qysh prej ndërrimit të sistemit kësaj pune. E unë do t'i ftoja kolegët të ngulmojmë të bashkuar në këtë synim. Se nuk janë zgjidhja as rastet kur përfitohet si "qokë" nga strukturat e shtetit ndonjë mbështetje sporadike e ndonjë botimi. Ata nuk e kurojnë lëngatën e rëndë të librit e të leximit, përkundër e deformojnë "protokollin e kurimit të sëmundjes"..."Sëmundja" jonë është e pakundshoqe me ndonjë tjetër, jo në Europën e zhvilluar por as në vendet rreth nesh. Serbia për shembull me 7 milionë banorë boton rreth 4.500 tituj në vit artistik dhe shkencor, 12 libra të rinj në ditë. Dhe ka rreth 200 biblioteka publike, me fondin e përditësuar sistematikisht. Me strategji të përcaktuar e të mbështetur nga strukturat shtetërore atje. Në Kosovë me 2 milionë banorë, botohen libra artistikë dhe shkencorë, rreth 600 tituj në vit, pra 2 libra të ri në ditë. Numri i bibliotekave publike 34. Numri bibliotekave universitare rreth 7. Për përditësimin e fondit të bibliotekave publike, Komunat e Kosovës, përdorin mesatarisht rreth 1 milion euro në vit secila. Ndërsa për rreth 40 bibliotekat publike të Shqipërisë, unë nuk e di se ka ndonjë të dhënë statistikore se ç'farë buxheti publik shkon për përditësimin e tyre. Po, ka një shifër për t'u përmendur dhe rreth së cilës mund të kishte një debat të gjerë. Taksa për librin është 6 përqind. Më e larta në rajon e në Europë... Po kush pyet për debatin këtu ?! Kurse libraritë, janë i vetmi ent tregtar në Shqipëri që nuk funksionojnë në bazë të rriskut për veprimtarinë e tyre.

-Ne kemi dhe një këshill libri në Ministri të Kulturës, sa jeni në dijeni për funksionimin e tij?

Pse, a ekziston ky këshill akoma ? Ka kohë, ndoshta qysh prej lajmit të krijimit të tij, pas debatit që ka zgjatë me vite për krijimin e tij, nuk di të ketë pas ndonjë kumt publik për ndonjë vendim a punë të tij në dobi të librit e të leximit. Nuk di të ketë, gjithashtu ndonjë zyrë të shtetit, e cila publikon ndonjë shifër serioze për librin a leximin, për ngritjen a rënien e tij, për interesin e të lexuarit, sipas kategorive sociale të moshave a background-it të tyre kulturor.

Intervistoi: Julia Vrapi