BREAKING NEWS

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë, zbardhet shifra: Ja sa të infektuar me koronavirus u shënuan ditën e sotme

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së
x

Kultura

Frano Kulli: Ministria e Kulturës të ndryshojë mendësitë e funksionimit, e trishtueshme që  Bibliotekës Kombëtare i ka mbetur vetëm emri

Frano Kulli: Ministria e Kulturës të ndryshojë

Bibliotekës Kombëtare i ka mbetur vetëm emri. Kështu shprehet publicisti dhe botuesi Frano Kulli, ku sipas tij kjo është e trishtueshme. Në intervistën për “SOT” Frano Kulli nga enti botues “Gjergj Fishta” flet për problemet me të cilat përballen botuesit me aktivitetin e tyre, si dhe shprehet me kritika për institucionet. Sipas tij, botuesit e Shqipërisë janë ende me mundësi të vogla financiare, që ta botojnë letërsinë e zgjedhur e të mirë. Me kritika publicisti Frano Kulli shprehet dhe për Ministrinë e Kulturës, dhe politikat që sipas tij ndiqen në fushën librit. Për botuesin Kulli, bibliotekat e qyteteve shqiptare janë shumë të varfra me botimet e reja, të zgjedhura, gjë që është thënë e stërthënë dhe për fat të keq do të vijojë të jetë kështu, përderisa marrëdhënia e institucioneve përgjegjëse me librin e bibliotekat është mizerabël prej vitesh.

-Konkursi mbarëkombëtar "At Zef Pllumi" në publicistikë e memuaristikë shpalli edhe këtë vit fituesit. Juria për publicistikë ju shpalli fitues të çmimit të parë me “Kohë e përlyeme”. Për ju sa rëndësi pati ky vlerësim, në aktivitetin tuaj?

Falemnderit që sillni në vëmendje vlerësimin e librit tim, nëpërmjet pyetjes suaj. Në të vërtetë, në qëndrimet e mia publike rreth çmimeve unë kam qenë shpesh herë qortues, sidomos në rastet kur ka qenë i dallueshëm subjektiviteti i vlerësimit, sipas meje. Atëherë kur dukshëm ai ka funksionuar si një circollazione (qarkullim) ose më saktë ndërrim vendesh i të vlerësuarve me vlerësuesit, të çmim marrësve me çmim dhënësit dhe anasjelltas. Një akt, më së paku i qortueshëm moralisht. Në rastin tim, unë jam ndjerë i surprizuar këndshëm për faktin se vlerësimi më vinte prej një jurie kryesuar prej poetit laureat, shkrimtarit dhe publicistit në zë të letrave shqipe, Rudolf Marku, shkrimtares e publicistes Vera Bekteshi dhe publicistit e pedagogut Aleksandër Çipa. E çmoj të rëndësishëm për mua dhe ata i falënderoj përzemërsisht. Kurse emri i At Zef Pllumit i bën nder letërsisë së këtij lloji; sepse padër Zefi, shumë më shumë se frati i përndjekur e torturuar mizorisht prej regjimit të shkuar vetëm për shkak të ideve të përkundërta, përshkues i atij kalvari të mundimshëm si e shumta e bashkëvëllezërve të tij françeskanë, ai, me shkrimtarinë e vet memuaristike bëri vend në njërën prej majave të paarritshme të dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit të shkuar e këndej.

-Në aktivitetin tuaj, si autor këtë kohë ku jeni i fokusuar?

Së pari përreth Fishtës. Është një lidhje e imja shumë e kahershme. Prej më se një dekadë vepra e plotë e këtij kolosi të letrave shqipe është e plotë, në mënyrë integrale në duart e lexuesit. Pas një pune të gjatë përgatitore nga një redaksi shumë serioze me njohës e studiues të shkrimtarisë së tij. Dhe marrëdhënia e veprës me lexuesin , parë prej meje nga fokusi i botuesit është jo vetëm e kënaqshme por herë-herë surprizuese. Kjo më ka krijuar e më krijon gjithnjë afeksion, si çdo ndjesi e mirë që të vjen prej punës që e do. Por sakaq më ka shoqëruar gjithnjë ideja se pasuria leksikore që vepra ka, është mirë të jetë edhe si një vëllim më vete. Dhe për këtë, një punë e nisur mjaft kohë më parë nga unë, po i afrohet fundit. “Fjalori i Fishtës-fjalë të rralla dhe shprehje frazeologjike”...Besoj se, së shpejti do të jetë tek lexuesi. Edhe si një homazh në 150- vjetorin e lindjes së Poetit Kombëtar. Është një thesar më vehte, shumë i pasur, me më shumë se 13500 zëra, fjalë dhe shprehje e fjalëformime të poetit, një pasuri e çmuar e gjuhës sonë të bukur shqipe, e lëvruar gjatë një periudhe gati gjysmë shekullore krijuese të autorit. Gjej rast për të falënderuar me gjithë zemër gjuhëtarin, prof. Tefë Topalli dhe shkrimtarin e gjuhëtarin Mehmet Elezi, për mbështetjen prej miku. Si dhe studiuesin Tonin Çobani për përkrahjen në këtë punë, që e çmoj shumë e më gëzon së tepërmi. Një tjetër libër që është i përmbyllur dhe së shpejti do të shkojë në shtyp është një me ese kulturore. “Nëpër djerrinat e fjalës” është titulli që ka, së paku deri tani.

-Po si botues, si ka qenë veprimtaria juaj këtë kohë?

Një roman i ri i Stefan Çapalikut “I mbyllur për pushime”. Është në shtyp e del këto ditë. I shkruar shumë bukur, një rrëfim fantastik i një periudhe ende plot mistere të jetës shqiptare, që përfshin një hark mjaft të shkurtë kohor, periudhën nga shtatori i vitit 1943 deri në 28 nëntorin e 1944. Histori që ndodhin në arealin Tiranë-Shkodër-Durrës, teatri i ngjarjeve më me temporitëm të lartë të Shqipërisë së asaj kohe; teatër luftimesh. Një gjeneral gjerman për frontin e Ballkanit, që ngarkohet të formojë një administrim politik vendas, pas kapitullimit të Italisë, pra me formimin e asaj që njihet si Regjenca, ku merr pjesë edhe një françeskan vendas, padër Andrea. Në ditët e fundit të luftës këtu vjen një avion special dërguar prej gjeneralit për ta tërhequr, por ai refuzon ta lërë vendin edhe pse e dinte mirë se ç'po e priste në ditët e ardhshme. Paçariz (zhurmë e rrëmujë) i një jete qytetëse; kohë ndërrimesh të mëdha, këmbët po ngriheshin t’i binin kokës, të diturit e të pasurit a do të pushkatoheshin a do të përjetonin kthimin kokëposhtë; nga shtëpitë oksidentale në bodrumet e tyre, a në stalla qerpiçi. Një ditë përpara se partizanët triumfatorë të hynin në Tiranë, komandanti i kish porositur t'ia pastronin "ferrat". Përzierë me ferrat e pastruara ishte edhe Teri, drejtuesi i emisionit "Ora gazmore" në Radio “Tirana”. Hokatar i pakundshoq, por edhe muziktar i njohur. Se ç'lloj ferre ishte ai, një Zot e di. Po metafora është domethënëse; për regjimin që po vinte e qeshura do të ishte si ferrat. Më shumë se të qeshurës i frikësohej së përqeshurës. Personazhe dhe ngjarje sa sureale po aq edhe historikë, të panjohura e të pa kurrë folura a shkruara për to dhe një rrëfimtarí e stërvitur si ajo e Çapalikut, besoj shumë se do ta bëjnë të mirëpritur romanin. Njëri prej librave që ne kemi në proces botimi, të cilin e veçoj.

-Sa ju ka penguar pandemia si botues, dhe në çfarë vështirësie ju ka vendosur me librat?

Pandemia, kjo e keqe e madhe që i ra njerëzimit këtë vit e ka kufizuar e devijuar së tepërmi jetën nga rrjedhat normale. Natyrisht, nga kjo e keqe s'kish si të shpëtonte edhe libri e as ne që merremi me të. Por, thonë se jo çdo e keqe vjen për keq. Fillimi i pandemisë, që tek ne u pasua me një mbyllje të madhe, qe për librin një lloj hapje e madhe. Leximi, në kushtet e mbylljes pati një përparësi të dukshme; u kthye në një nevojë në kushte e izolimit. Edhe libraritë, ndër të paktat njësi shërbimi u lanë të hapura, sido që me kohë të kufizuar. Por vështirësia më e madhe për botuesit dhe për gjithë ata që merren me librin, ka qenë moszhvillimi i Panairit të Librit të Tiranës, i cili nuk qe ndërprerë për 22 vite me radhë. Panairi, organizuar nga Shoqata e botuesve ka qenë dhe mbetet veprimtaria më e dobishme e siprore për librin dhe leximin. Ndaj ndërprerja e tij në nëntorin e kaluar ka qenë dëmi më i madh, që i është shkaktuar punës me librin. Zhvillimi i tij online, në kushtet e reja, mundi ta kompensojë, në njëfarë mënyre, dëmin e shkaktuar.

-Herë pas here botuesit kanë folur për probleme të ndryshme. Për ju ku janë vështirësitë me botimet dhe çfarë ka ndodhur këtë kohë?

Edhe shumë e shumë të tjera përveç atyre që u përmendën më lart. Mjafton të përmendim vendin e fundit që zë kultura në qeverisjen e vendit dhe vendin e fundit, që vetë libri zë në veprimtarinë e entit zyrtar të kulturës.

-Më herët ju jeni shprehur dhe për Këshillin Kombëtar të Librit dhe Leximit në Ministri të Kulturës. Si ka qenë kontributi i KKLL?

Besoj se jo më i madh se rrogëtimi i disa njerëzve në atë strukturë, a i disa të tjerëve që shpërblehen me honorare aty, gjithashtu. Sivjet në janar janë bërë 70 vjet që shkrimtari dom Ndoc Nikaj është ndarë nga jeta, në burgun e Tiranës, burgosur në moshën 82 vjeçare. Autori i të parit roman shqiptar dhe i më se 30 veprave të tjera letrare e historike, bashkëthemelues i shoqërisë "Bashkimi" me Abat Prend Doçin, fjalori i së cilës është i pari fjalor i kultivuar i gjuhës shqipe, i botuar me 1908, alfabeti i saj, njëri ndër dy alfabetet e Kongresit të Manastirit, prej nga doli alfabeti i gjuhës shqipe që kemi sot; bashkëpunëtor i ngushtë i Faik Konicës e Gjergj Fishtës...Dini ju të jetë përmendur emri i tij në atë Këshillin e Librit ?

-Sa ndihmohen sot autorët shqiptarë me krijimtarinë e tyre?

Botuesit e Shqipërisë janë ende me mundësi të vogla financiare, që ta botojnë letërsinë e zgjedhur e të mirë, duke e marrë përsipër krejtësisht edhe si rrisk financiar, gjë që i vë në vështirësi autorët shqiptarë dhe krijimtarinë e tyre më të mirë. Kur të mund të arrihet një tjetër stad më i lartë i veprimtarisë botuese, atëherë besoj se do të kemi padyshim librat më të mirë në treg dhe ndërkohë sot të ishte mënjanuar edhe stoku i madh i librave të dobët që vijnë këtij tregu. Ashtu siç ndodh rëndom në Europë e vendet e zhvilluara.

-Si ka qenë roli i Ministrisë së Kulturës deri tani me politikat e saj, në fushën e librit?

Sipërfaqësor, pa thelb, bazuar vetëm mbi propagandë e mbi marrëdhënien e qokave. Përderisa buxheti që shkon për veprimtarinë librore nuk është më i madh se i një...komune në Kosovë.

-Çfarë do të donit të ndryshojë?

Në radhë të parë duhet të ndryshojnë mendësitë e funksionimit. S'është aspak e nevojshme të ngrihen e të ringrihen ente, shpesh me emërtime joshëse pa harruar mbiemrin kombëtare për librin dhe produkti vjetor i tyre, më pastaj rezulton në hiç për librin shqip, të sotmin dhe sidomos atë të traditës.

-Më herët për Bibliotekën Kombëtare ju jeni shprehur se në këtë institucion pandemia ka rënë prej kohësh. Çfarë ka ndodhur sipas jush me këtë institucion?

Pandemia në Bibliotekën Kombëtare pati rënë më herët, së paku tri a katër vite më parë; njëherë në formën e zjarrit e një tjetër herë në formën e përmbytjes. Tani, në vitin e fundit edhe kjo pandemia e përbotshme dhe Bibliotekës Kombëtare i ka mbetur vetëm emri. E trishtueshme për kulturën e një vendi. Por ja që në Shqipërinë tonë kjo ka ngjarë.

-Sa është shqetësuese për ju dhe gjendja e bibliotekave në qytete të ndryshme?

Gjendja e bibliotekave të qyteteve do parë me rrethanat specifike të secilit qytet, me nivelin e leximit, me traditën, me trashëgiminë, e cila ndryshon nga njëra tek tjetra. Se, është e ndryshme kjo trashëgimi në Shkodër a Korçë, bie fjala me trashëgiminë në Lezhë, a në Lushnje. Fondi i librave që vjen nga bibliotekat e jezuitëve a françeskanëve në Shkodër, me gjithë dëmtimet që ato patën në kohën e regjimit, prapë se prapë është një pasuri e madhe librore që është aty. Ose në Korçë a Elbasan ku qarqet intelektuale, megjithatë kanë lënë trashëgim në bibliotekat e këtyre qyteteve pasuri të lakmueshme. Që nuk janë e s'kish si të ishin në qytete më me pak traditë si të sipërpërmendurat e shumë të tjera si ato. Por ajo, që bibliotekat e qyteteve i përbashkon në të keqen e tyre është mungesa e përditësimit të fondeve të tyre. Bibliotekat e qyteteve shqiptare janë shumë të varfra me botimet e reja, të zgjedhura, gjë që është thënë e stërthënë dhe për fat të keq do të vijojë të jetë kështu, përderisa marrëdhënia e institucioneve shtetërore përgjegjëse me librin e bibliotekat është kështu mizerabël prej kaq e kaq vitesh.

Intervistoi: Julia Vrapi