Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Kultura

Frano Kulli: Ulëritja për librin rritet, por në veshët e ministreshave të radhës është vënë tampon që nuk lejon t’i bezdisë

Frano Kulli: Ulëritja për librin rritet, por në veshët e

Gjatë kohës së pandemisë është lexuar më shumë. Kështu shprehet botuesi Frano Kulli për kohën, që ishim të mbyllur në vend për shkak të pandemisë. Në intervistën dhënë për gazetën “SOT” Frano Kulli nga Enti Botues “Gjergj Fishta” flet për problemet me të cilat u përballën botuesit gjatë kësaj kohe me aktivitetin e tyre, kërkesat që ata i dërguan institucioneve dhe më gjerë. Botuesi dhe publicisti Frano Kulli shprehet se duhet të vijë një ndihmë nga institucioni i taksave, që duhej të hiqte taksën 6 për qind vendosur vitin e kaluar, një shifër që sipas tij nuk e ka asnjë nga vendet jo vetëm në rajon, por dhe në Europë. Publicisti Frano Kulli dhe ish drejtues biblioteke shprehet se problemet, që hasin këto institucione janë jo pak. Sipas tij, bibliotekat e qyteteve janë pronë publike, për të cilat entet shtetërore kanë detyrimin të kontribuojnë për mirëfunksionimin e tyre dhe për nxitjen e leximit. Për botuesin Kulli në lidhje me institucionet në vend, përvojat e deritanishme e administrimit të fondeve për librin aq të pakta sa ato kanë qenë, tregon se përgjithësisht kanë shkuar vetëm si "qoka" për miq e shokë dhe rrallë kanë qëlluar të kenë shërbyer kualitetin e mirë letrar.   

-Me aktivitetin tuaj me librin si botues, sa ju pengoi kjo kohë që po kalojmë për shkak të pandemisë?

Pandemia, sigurisht, si për gjithçka tjetër në jetën tonë nuk ka ardhur për mirë. Të pafuqishëm para saj, ne vetëm mundemi ti përshtatemi asaj, duke kaluar përmes pengesave me sa më pak dëm e dhimbje. Megjithatë do thënë që, për leximin dhe për librin, si materia konkrete për leximin, që ende jeton e ka pasur edhe një të mirë. Sidomos në muajt e parë të mbylljes. Si përshtatje të rrethanave të izolimit, ato ditë është lexuar më shumë. Dhe ky është një konstatim, jo vetëm empirik, por edhe me statistika. Aq sa ka statistika në Shqipëri. Edhe pse teknologjitë  e reja të leximit marrin pjesën e vet e janë trendi, si me thënë.

-Si botues, çfarë do të donit si ndihmë për aktivitetin tuaj me librin nga institucionet?

Ndihmë nga institucionet? Nga cilat institucione? Po, nga institucioni i taksave, për shembull do të duhej të hiqte taksën 6 për qind të vendosur vitin e shkuar, një shifër që se ka asnjë vend, jo vetëm në rajon por as në Europën e zhvilluar; as Italia, as Franca, as Gjermania...asnjëri. Se sigurisht, institucionet nuk mund të na i rrisin tirazhet e botimit të librave e të na i barazojnë me ato të këtyre vendeve, të cilat përveç standardit ekonomik e kulturor që është me herë më i lartë se i yni, janë edhe vende me popullsi të madhe dhjetëra herë më të lartë se e jona. Vetëm shteti i diktaturës, që raportet me librin, si me gjithçka tjetër i kishte raporte propagande e botonte një libër të parë të një autori fillestar me, më e pakta 1500 a 2000 kopje? Dhe libri qarkullonte cep e më cep të vendit. Tjetër pastaj sa dhe si lexohej.

-Keni qenë jo pak kritik më parë për problemet me librin në vend, ndërkohë që me ligjin e ri u krijua dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Për ju sa rëndësi ka qendra dhe deri tani si e keni parë funksionin e saj, ku deri tani ka hapur disa fonde, si ai për krijimtarinë letrare, përkthimi, etj?

Qendra Kombëtare e Librit është një institucion i krijuar me ligjin e ri për librin, me siguri do të ketë zyra, persona që janë emëruar për punë në ato zyra, orendi e pajisje, internet e ajër të kondicionuar, ndoshta edhe makina, rroga po, patjetër...Unë nuk ua di emrin asnjërit prej tyre. Përveç gazetares së respektuar për mua si e tillë, zonjës Alda Bardhyli që është e emëruar në krye të atij institucioni. Ndërsa sa i takon funksionit, unë nuk di të dalloj ndonjë punë të vlertë në dobi të librit që ajo qendër ka bërë deri tani. Jam i njohur me faktin se ka hapur disa fonde për të mbështetur krijimtarinë letrare, kryesisht bashkëkohore shqipe dhe përkthimin e letërsisë së huaj, gjithashtu. Di që kanë filluar edhe aplikimet, po nuk di të jetë arritur ndonjë rezultat deri tani. Përvojat e deritanishme e administrimit të fondeve për librin, aq të pakta sa ato kanë qenë, tregon se, përgjithësisht kanë shkuar vetëm si "qoka" për miq e shokë dhe rrallë kanë qëlluar të kenë shërbyer kualitetin e mirë letrar, duke sjellë një dëm të madh jo vetëm me shpenzimin kot të tyre, po duke financuar shpesh libra të dobët e pa vlera i kanë bërë një dëm katastrofal librit shqip.

-Këshilli Kombëtar i Librit dhe Nxitjes së Leximit, iu rikthye punës pas një periudhe shkëputjeje prej më shumë se 2-vjeçare sipas ministrisë, ku ky këshill u mblodh në korrik të 2019. Për ju sa rëndësi ka ky këshill?

Këshilli për librin, më së pari duhet të ndjehet i turpëruar që ka lejuar të vendoset taksa e librit, më e larta në Europë për librin. Ky është kontributi i Këshillit për nxitjen e leximit dhe zhvillimin e industrisë botuese në vend? Në nenin 9 të ligjit thuhet se "Këshilli Kombëtar i Librit dhe i Nxitjes së Leximit jep rekomandime për hartimin e politikave e të programeve për promovimin e librit, nxitjen e leximit dhe zhvillimin e industrisë botuese në vend, për ruajtjen dhe mbrojtjen e traditës së librave të vjetër (bukinistike), për rritjen e eksportit dhe përhapjen e librit shqiptar përtej kufijve shtetërorë. KKLNL-ja ndihmon për organizimin e takimeve, të panaireve, ekspozitave, konkurseve dhe të veprimtarive të tjera kombëtare e ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e autorëve, përkthyesve, botuesve dhe librashitësve shqiptarë e të huaj, si dhe sugjeron dhënien e çmimeve, veçanërisht për botimet e veprave me rëndësi kombëtare e në fushat që vlerësohen parësore për kulturën kombëtare. Të gjitha sa thuhen vetëm se janë të shkruara në letër: Ç'mbrojtje i ka bërë traditës së librave të vjetër a letërsisë sonë të traditës ky këshill? Veprën e cilit autor të traditës ka mbështetur me studime e botime, integrale a antologjike. Po për studimin e tyre në shkolla, siç bën gjithë bota e kulturuar? Çfarë panairesh, ekspozitash a konkursesh ka bërë a mbështetur ky këshill? Apo krenohet se organizon dhënien e çmimeve, në juritë e të cilëve "shëtisin" gjithherë të njëjtët njerëz që bëjnë qokat për të njëjtët krijues. Janë ato që herë shpërndajnë çmime e herë marrin çmime, duke e përdhosur sa s'ka hierarkinë e vlerave të krijimtarisë letrare e botuese në Shqipëri.

-Një nga problemet që ju keni pohuar herë pas here janë bibliotekat në qytete të ndryshme. Çfarë mendoni se duhet bërë për pasurimin e tyre me libra?

Bibliotekat e qyteteve janë pronë publike, vlera fondamentale të qyteteve tona, për të cilat entet shtetërore kanë detyrimin të kontribuojnë për mirëfunksionimin e tyre; për nxitjen e leximit. Po për ta përmbushur këtë duhet përditësimi i fondit të tyre e pasurimi me botimet e reja të zgjedhura. Një punë, që prej dekadash vijon të jetë në mjerim. Falë ndonjë donacioni bamirës, aq para sa ka shpenzuar njëra prej komunave të Kosovës për 2019-tën nuk i ka vënë në dispozicion të librit Ministria e Kulturës me gjithë ndërvartësitë e saja.

- Si e shikoni sot Bibliotekën Kombëtare që vijon të jetë mbyllur për shkak të pandemisë, sipas jush çfarë duhet bërë për këtë institucion?

Në atë institucion pandemia ka rënë prej tri a më shumë vjetësh, qysh se kur, pati rënë aty njëherë zjarri e masandej uji. Unë nuk mund të them se çfarë dreq kulle synohet të ngrihet aty, por që edhe ai institucion bazik i kulturës sonë kombëtare e i qytetërimit tonë, në një mënyrë të ndryshme nga Teatri Kombëtar është "shembur" prej kohësh. Dhe kjo është e trishtë. Kjo sjellje e papërgjegjshme e parisë kulturore të këtij vendi, po e rrënon nga themelet edhe atë trashëgimi aq të paplotë sa e kishim.

-Ministrja e Kulturës Margariti e ka pohuar si sfidë në detyrën e saj projektin e ri të Bibliotekës Kombëtare. Çfarë mund të na thoni?

E ç’mund të them unë a kushdo tjetër nga punonjësit e librit në këtë vend, kur fjalët e zonjës Margariti-ministres së Kulturës ngjajnë të shkruara si në një "letër bakalli" dhe tunden përpara fakteve dëshpëruese të gjendjes së atij institucioni. Sado i kopsitur mirë të jetë "show", që parija bën për konsum propagandistik për turmat.

-Në 2017 jeni shprehur se është ulëritëse shpërfillja e letërsisë shqipe dhe Ministria e Kulturës bën vetëm show mediatik. Çfarë është shqetësuese sipas jush dhe sa ka ndryshuar gjendja?

Ulëritja vijon e rritet pa u ndalë, por në veshët e ministreshave të radhës e të kryeudhëheqësisë së tyre është vënë tampon perfekt që nuk lejon t'i bezdisë veshët e tyre me asnjë tingull të ulërimës. Asgjë s'ka ndryshuar për mirë, gjërat veçse janë përkeqësuar. Dhe në një vend ku udhëheqësia sillet kështu shpërfillshëm me librin e me kulturën në përgjithësi përparimi e prosperiteti i atij vendi s'ka si të shkojë mirë. E njerëzit e tij do të jenë të destinuar ose t'i nënshtrohen fatit të një "vendi që s'bëhet" ose të çajnë ferrën e të ikin nga këtu. Për fat të keq po ndodhin të dyja. Ca të nënshtruar prej fatit të keq këtu e ca shumë të tjerë, zemërthyer e shpresëhumbur andej.

-Botuesit në prill të këtij viti pohuan se janë në situatë urgjente dhe po gjunjëzohet veprimtaria librore në vend. Shoqata e Botuesve iu drejtua institucioneve me disa kërkesa. Nëse jeni në dijeni çfarë zhvillimi ka pasur për kërkesat e botuesve?

Po, duke qenë anëtar i kryesisë së Shoqatës së Botuesve jam në dijeni të atyre kërkesave. Për hir të së vërtetës ato e patën një vëmendje; libraritë njësitë e qarkullimit të librit u hapën ndër të parat njësi pas mbylljes së madhe prej Covid 19-ës. Po për paradoks kur libraritë ishin hapur njerëzit që i frekuentojnë ato ishin të mbyllur.