Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Galeria Kombëtare e Arteve, në dy dekada më afër politikës se sa artit

Galeria Kombëtare e Arteve, në dy dekada më afër politikës se sa artit

Postuar: 12/01/2014 - 10:32

Galeria Kombëtare e Arteve, institucioni më i rëndësishëm i artit pamor në vendin tonë, shënoi 60-vjetorin ditën e shtunë. Për fundjavë, ky institucion për këdo që dëshiron të njohë historinë e pikturës e skulpturës tonë ka hapur dyert falas. E ndërsa tashmë në GKA kanë filluar politika të reja në drejtimin e saj, që duket se synojnë të kenë në vëmendje publikun dhe artistët, emrat e njohur të artit pamor shqiptar flasin për rëndësinë e këtij institucioni, por dhe problemet që ka pasur ndër vite. Në këtë përvjetor të themelimit të institucionit, artistët ndërsa vlerësojnë ndryshimin që tashmë ka nisur në GKA, shprehin dhe keqardhjen e tyre mbi mënyrën se si e zhvilloi jetën artistike gjatë këtyre viteve institucioni më i rëndësishëm i artit. Artistët e njohur të artit ndër vite, si skulptori Muntaz Dhrami, piktori Agim Faja, Anastas Kostandini, Adrian Devolli, Ardian Isufi, pohojnë se përballë vëmendjes që kërkonte ky institucion ndër vite problemet kanë qenë të shumta, ndërsa e vlerësojnë shumë punën që po bën tashmë GKA nën drejtimin e Artan Shabanit për mbledhjen e veprave të fondit nga institucionet. Për skulptorin Muntaz Dhrami, GKA duhet të trashëgojë përvojën më të mirë të para viteve ’90, pra vëmendjen që ka pasur ndaj artistëve, dhe si e tillë duhet të jetë strehë për veprat më të mira të artit, por fatkeqësisht në dekadat e fundit ka munguar fondi për të blerë vepra.
 
Piktori i njohur Agim Faja, pohon se para ’90, GKA duket se ka pasur më shumë aktivitete për artistët, dhe gjatë këtyre viteve kjo gjë është zbehur. Mendimit të këtyre artistëve në këtë përvjetor të GKA i bashkohet edhe piktori Anastas Kostandini, i cili pohon se GKA  para ’90 ka pasur funksion maksimal për artin, ndërsa gjatë këtyre viteve kjo gjë ka qenë pjesërisht, dhe ashtu si dhe artistët e tjerë, Kostandini jo pak akuza ka për ata që e panë këtë institucion më shumë të dominuar politikisht me politikat që u ndoqën gjatë viteve. Edhe piktori Adrian Devolli, i cili e vlerëson punën që po bën tashmë GKA duke mbledhur veprat e fondit të saj, pohon se marrja ndër vite e veprave nga fondi i GKA është një shkelje, që sipas tij është shumë e rëndë, dhe askush nuk ka zbatuar ligjet, duke theksuar se gjatë 20 viteve në GKA ka qenë një degradim i ngadalshëm, me shumë pasoja. Në këtë 60-vjetor të GKA, artisti Ardian Isufi pohon se GKA ka dy qasje. Sipas tij, para ’90 edhe pse regjimi diktatorial themeloi GKA ajo i shërbeu partisë shtet, por edhe pas ’90 fatkeqësisht ngeli në politika thellësisht individuale. Por në reagimin e tij artisti Ardian Isufi vlerëson shumë punën që po bën drejtori i ri i GKA, që sipas tij po ndërmerr politika shumë efikase në drejtim të zhvillimit të GKA.
 
Historia e GKA
 
Pinakoteka ishte institucioni i parë i arteve figurative në Shqipëri. Pas një pune të mirëfilltë dhe përpjekjesh të shumta në 11 janar 1954 u hap zyrtarisht për publikun Galeria e Arteve në Tiranë. Në vitin 1956, si rrjedhojë e pasurimit të fondit të veprave të artit, prej lulëzimit të krijimtarisë dhe blerjeve të kohës, Galeria u zhvendos në një godinë më të përshtatshme, me tre kate në   rrugën “Fortuzi” dhe me hapësira ekspozuese të shumta, si brenda ashtu edhe jashtë saj. Galeria, funksionoi në dy drejtime kryesore, në atë të linjës së përhershme ekspozuese dhe në çeljen e ekspozitave të përkohshme të artisteve shqiptarë e të huaj. Vizionet e reja rreth zhvillimit dhe ekspozimit të arteve figurative si dhe blerjet rritën numrin e veprave të artit dhe sollën kërkesën për një ndërtesë më funksionale, e cila u inaugurua më 29 nëntor 1974, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërtesë, ku ndodhet edhe sot. 
 
Reagime
Agim Faja: Pas ’90, GKA u ftoh ndaj artistëve
Në kohën kur u hap GKA bëheshin shumë aktivitete, kujtoj fillimet e saj që në 1954 kur drejtohej nga Odhise Paskali. Brezi jonë ka parë krijimtarinë e autorëve të njohur atë kohë, dhe para ’90 janë botuar dhe katalogë për emra të vlerësuar në art si Odhise Paskali, Abdurrahim Buza, etj. Shumë mirë që po rikthehen veprat në fondin e GKA, dhe kjo duhet vlerësuar. Por para ’90 ka pasur ngrohtësi për artistët dhe pas ’90 duket sikur filloi një spsostim, u ftoh ndaj artistëve.
 
Muntaz Dhrami: GKA nuk ka fond për të blerë vepra
GKA kërkon një rikonstruktim të tërë. Drejtuesit duhet të mbledhin mendimet më të mira për GKA. Veprat që janë përzgjedhur për realizimin socialist nuk janë më të mirat, që janë ekspozuar. Në këto 20 vjet GKA nuk e justifikoi atë potencën që duhet të kishte si institucion arti. Nuk është vlerësuar sa duhet nga ministria, GKA nuk ka pasur fond për të blerë vepra arti. Para ’90 ishte një komision që vendoset se cilat vepra bleheshin nga ekspozita dhe kishte fond të veçantë. 
 
Anastas Kostandini: Në dy dekada nuk justifikoi emrin “Kombëtare”
Pas ’90 GKA nuk është frekuentuar si ka qenë para këtyre dy dekadave. Ende nuk ka arritur që të krijojë një unitet artistësh. Në 23 vite nuk ka mundur të grumbullojë vlerën. Ka qenë e dominuar politikisht, e dominuar nga tarafet, por dhe nga artistë të pushtetshëm. Fatkeqësisht në 23 vite, GKA nuk ka mundur dot të ketë dhe zgjerim fizik të saj, kërkon mjedise të reja. GKA para ndërrimit të sistemit ka pasur funksion maksimal, por pas atyre viteve ka funksion të pjesshëm, nuk e ka justifikuar emrin kombëtare.
 
Ardian Isufi: Drejtori i ri, qasje moderatore bashkëpunimi
GKA para ’90, pavarësisht se në aspektin institucional u krijua historia e artit shqiptar, u krijua mbi pavërtetësinë e miteve të partisë shtet, të Enver Hoxhës, të partizanit, etj. Pas këtyre viteve, megjithëse është demokratizim i politikave kulturore, fatkeqësisht GKA ngeli afër politikës në trajtimin e politikave kulturore, duke pasur qasje të minimizuar jashtë Shqipërisë dhe duke krijua politikë thellësisht individuale të drejtimit të GKA ndër vite. Shpresoj që drejtori i ri në GKA ka një qasje shumë më moderatore të bashkëpunimit dhe kultivimit të artit, përballë sistemit ndërkombëtar të artit.
 
Adrian Devolli: Në 20 vjet, GKA degradim të ngadalshëm
Galeria Kombëtare e Artit, në dy dekada doli nga institucioni i vet shkencor dhe artistik. Në 20 vjet u përdor si depo arti për të marrë vepra dhe zbukuruar institucionet, por kjo është shkelje. Dhe kjo nëse do të ndodhte në vende të tjera evropiane do dënohej. Dramë marrja e veprave, dhe e vlerësoj nismën e mirë të drejtorit të ri për të mbledhur veprat në institucione. GKA duhet të ndryshojë mentalitet, në strukturë dhe legjislacion. Në 20 vjet fatkeqësisht GKA ka pasur një degradim të ngadalshëm. Nga Julia Vrapi
 
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 74

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 11/12/2018 - 07:37

“Unë si Ti” një film nga Luan Kryeziu dhe Najada Elmazi ka përfunduar xhirimet dhe viti që vjen e sjell premierë. Filmi ka bërë bashkë aktorët nga Shqipëria dhe Kosova.

Postuar: 11/12/2018 - 07:35

Qeveria dyfishon çmimin e biletës për publikun në katër ditë të javës në Teatrin Kombëtar, por rr

Postuar: 11/12/2018 - 07:33

Qendra e Realizimit të Veprave të Artit pritet të mbyllet, sipas një shkrese zyrtare që drejtori

Postuar: 09/12/2018 - 07:35

Drama "Maskuar" me regji nga Milto Kutali sonte në mbrëmje shfaqjet për publikun në ske

Postuar: 09/12/2018 - 07:33

"Streha mes reve" është filmi më i fundit i regjisorit Robert Budina, që nga data 14 dh

Postuar: 09/12/2018 - 07:32

Në skenën e teatrit dhe në kinema aktori Romir Zalla është i njohur me angazhimet tij si dhe vler

Postuar: 08/12/2018 - 07:37

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor sollën mbrëmë në skenë koncertin “