BREAKING NEWS

Surpriza ‘të pakëndshme’ 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë jep detajet sa raste të reja janë shënuar me COVID

Surpriza ‘të pakëndshme’ 24 orët e fundit, Ministria
x

Kultura

Gazmend Leka: 2020 me pasoja të rënda, atmosfera artistike u atrofizua, por artistët u përpoqën të gjenin rrugë komunikimi me publikun

Gazmend Leka: 2020 me pasoja të rënda, atmosfera artistike u

Viti 2020 është në ditët e fundit të tij. Një vit që për artistët pati pasoja të rënda, edhe pse u përpoqën që të gjenin rrugë për të komunikuar me publikun. Disa ekspozita me veprat e autorëve të ndryshëm arritën të hapeshin për publikun, por pjesa tjetër e aktiviteteve kulturore shumë pak u zhvilluan. Në ditët e fundit të 2020 artistët shprehen se ishte një vit i rëndë, që mori dhe jetë artistësh të njohur, duke sjellë një humbje të madhe në artin shqiptar. Pedagog i arteve piktori i njohur Gazmend Leka shprehet se 2020 ishte një vit i mbrapshtë. “Ky vit ishte i jashtëzakonshëm. Erdhi pa pritur e pa kujtuar si një kafshë e egër, që shqeu sa majtas-djathtas viktima të shumtë, ku midis tyre ishin dhe miqtë e mi të shtrenjte. Fillimisht Arben Bajo, me pas Lumturi Blloshmi e më pas Besim Tula. Këto ishin humbje të mëdha për artin shqiptar. Ndodhi aq shpejt sa ende nuk mësohemi dot. Në një farë mënyre, ishte një “Vit i Mbrapshtë””, shprehet piktori. Vitin 2020, sipas profesor Gazmend Lekës mori pamjen e një viti të mallkuar, ku dhe vetë ai personalisht e përjetoi shumë keq emocionalisht. Ai shprehet se mbyllja në shtëpi për rreth një muaj, kujdesi për të mos pasur kontakte me miq e shokë, mbyllja e shkollave, mësimi jo i favorshëm e i vështirë online me studentët, maskat në ambientet publike, zakonet e reja për dizinfektim, e bënë të jetuarit shumë të vështirë e plot pengesa. “Prandaj ky vit nuk mori pamjen e një viti të vështirë, por pamjen e një viti të mallkuar”, vijon ai. Por dhe pse një vit që kufizoi shumë aktivitetin kulturor, piktori Gazmend Leka mori pjesë në disa ekspozita. Piktori thotë se çdo ditë ka qenë duke punuar me orë të gjata brenda në atelienë e tij të pikturës dhe se këtë vit mori pjesë në 4 ekspozita. “Ishin ekspozita kolektive, ku mes tyre ekspozita e përvitshme “Nëntori” dhe një ekspozite personale me titullin “NOE”. Ritmin për të çelur çdo vit ekspozitë në galerinë FAB, nuk e tradhtova. E kisha nisur punën qysh nga fundviti i kaluar, por korpusin kryesor prej 25 pikturave, e kreva gjatë këtyre muajve të vështirë. Tema kryesore ishte përmbytja, që si për koincidencë përkoi me përmbytjen e pandemisë. Tensioni, trishtimi, mungesa e gëzimit shpirtëror më ndikoi shumë për ti vajtur në esence ngjarjes në pikturë, ngjarje që përsëriten çdo vit në qytetet dhe fshatrat tona. Stampova të njëjtin ankth, të njëjtin tension, të njëjtin shqetësim në telajo, sikurse i ndjejmë çdo ditë në jetën tonë të këtyre kohëve”, shpjegon për punën e tij me pikturën këtë vit Gazmend Leka.

 Atmosfera artistike dhe artistët

Teatrot, kinematë dhe institucione të tjera të artit në vend u mbyllën që muajin mars, dhe jeta artistike u ndërpre. Piktorit Gazmend Leka shprehet se edhe në këtë situatë të vështirë këtë vit, artistët u munduan të gjenin rrugë për të komunikuar me publikun me artin e tyre. “Sigurisht që pati pasoja të rënda në art, tek artistët dhe tek publiku. Atmosfera artistike, e plotë dhe e zhurmshme dikur, u atrofizua dhe artistët u përpoqën të gjenin rrugë të tjera komunikimi me publikun. Dëshira për të krijuar dhe për tu shfaqur në publik, nuk mungoi dhe në sajë të iniciativave personale të artistëve, diçka u bë, por “diçkaja” është larg “gjithëçkasë”. Në artet vizive, pamja ishte disi më ndryshe, sepse sallat e ekspozitave janë më të vogla dhe më të kontrollueshme”, thotë ai. Por ashtu si dhe të tjerë artistë edhe piktori i njohur Gazmend Leka shprehet se uron, që viti që vjen të jetë një kthim në normalitet. “Pa dashje e lidhim sëmundjen me vitin kalendarik dhe nuk kemi faj, sepse hoqëm e po heqim shumë. Besoj se ky vit që vjen, do të ketë dritë në fund të tunelit. Të gjithë po presim me një lloj ankthi, që të shpëtojmë në 100 metërshin e fundit të kësaj maratone. Besoj se kryefjala e urimeve për Vitin e Ri është pandemia dhe urimi im nuk është larg kësaj. Pa fjalë të tepërta, unë uroj që ky vit të jetë një vit, që të na shpjerë në normalitet”, shprehet profesor Gazmend Leka. Ekspozitën e tij “NOE” që u hap në nëntor, piktori Gazmend Leka pohon se për të evituar kontaktet, nuk e bëri me natë inaugurimi siç e ka zakon, ku artistët dhe publiku takohen dhe shijojnë mbrëmjen.