Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Genci Fuga: Të kemi një strategji kombëtare të zhvillimit të artit dhe kulturës, duhet të ndryshojë organizimi i institucioneve

Postuar: 18/10/2019 - 07:33

Strategjia kombëtare e zhvillimit të artit dhe kulturës në vendin tonë duhet të jetë e pranuar nga të gjitha palët. Sipas artistëve, nuk mund të jetë e kufizuar me mandat qeveritar dhe duhet që jetë një dokument themeltar i patjetërsueshëm nga askush. Ministria e Kulturës ka lajmëruar se gjatë muajit tetor do të zhvillohen dëgjesa të ndryshme me grupet e interesit, por për pedagogun dhe regjisorin e aktorin Genci Fuga strategjia nuk mund të jetë “ministrore”. “Bëhet fjalë për plan-veprimin ministror e qeveritar për periudhën 2019 - 2025, jo për "Strategji Kombëtare të Zhvillimit të Artit dhe Kulturës në Republikën e Shqipërisë". Në rast se e kanë quajtur "strategji", ajo nuk mund të jetë "ministrore" apo e kufizuar me "mandat qeveritar"! Ajo për të cilën, luftoj dhe bërtas është një strategji kombëtare e gjithëpranuar dhe e dakordësuar nga të gjithë palët, qoftë politike, qoftë ndërvepruese dhe të jetë dokumenti themeltar dhe i patjetërsueshëm nga askush. Në këtë rast, dëgjesat mund të organizohen edhe për të njoftuar, "vendimet" e plan-veprimit ministror, pra mandatueshmërisht e përkohshme”, pohon Genci Fuga. Për pedagogun e arteve Genci Fuga, arti dhe kultura duhet të fitojë kohë për realizuar aspektin e sak ligjor. “Do të ishte shumë e mençur nga Ministria e Kulturës, që mangësinë dhe mungesën e ambienteve artistiko - kulturorë dhe projekteve ta mbulonte me krijimin e institucioneve, institucion është strategjia, ligji i artit dhe të gjitha këto të ratifikohen mes marrëveshjeve politiko-teknike, si pjesë e sistemit shoqëror. Të gjitha veprimet e tjera janë nul pra lehtësisht të atakueshme. Do të doja shumë në këtë fazë të krizës, që nuk e ka sjellë arti dhe kultura, arti dhe kultura të fitojë kohë për të realizuar aspektin ligjor të jetës së saj”, vijon në reagimin e tij regjisori dhe aktori Genci Fuga.

 Të ndryshojë organizimi i institucioneve

Përballë problemeve, që po kalon jeta artistike dhe kulturore në vend, pedagogu dhe regjisori Genci Fuga shprehet se nuk mund të bësh një ligj se si do të organizohet jeta e artit, duke mos e ditur se ku do të shkojë jeta e artit. “Prandaj po nxitohet tani ministria për strategjinë. Do të dali me një dokument, por pa u ndryshuar sistemi i organizimit të institucioneve publike tek ne, nuk ka jetë të gjatë. Kur them të ndryshojë organizimi i institucioneve, e kam fjalën për ndërvarësinë institucionale, pavarësinë e institucioneve të artit. Ministria duhet të heq dorë, që dhe të tenderojë asfaltin, të bëjë rulin, të bëjë projektin, etj. Pra të kemi pavarësinë e institucioneve të artit, pa u krijuar këto gjëra që krijohen në bazë të strategjisë nuk ka një ligj. Ligji është detajimi i strategjisë”, pohon Fuga. Sipas tij, strategjia kombëtare nuk duhet të ketë fatin e Kushtetutës së vitit 1995 në vendin tonë. “Do të doja që të kemi një strategji kombëtare të zhvillimit të artit dhe kulturës, që të mos kishte fatin e "Kushtetutës së '95-sës", që ka qenë dhe është objekt ndryshimesh të vazhdueshme, duke e kthyer në "një letër lehtësisht të ndryshueshme". Në rast se politika prodhon "letra të tilla", jam i bindur që komuniteti ynë është shumë herë më i zoti”, shprehet pedagogu dhe regjisor Genci Fuga. Më herët nën drejtimin e zv. ministres Valbona Shujaku, u zhvillua një konsultim publik, me palët e interesit për strategjinë kombëtare për kulturën 2019-2025.

Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/11/2019 - 07:35

“Shfaqja më e mirë muzikale me kukulla” është çmimi, që i jepet Teatrit të Kukullave të Tiranës me shfaqjen “Kësulkuqja”, i cili përfaqësoi Shqipërinë në festivalin botëror të kukullave “

Postuar: 22/11/2019 - 07:34

Teatri Kombëtar këtë fundjavë sjell për publikun shfaqjen teatrore “Engjëjt e Amerikës&rdqu

Postuar: 22/11/2019 - 07:33

Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe do të ketë përfaqësues edhe nga institucionet e shqiptarë

Postuar: 22/11/2019 - 07:32

E drejta e autorit vazhdon, që të jetë problem në vendin tonë.

Postuar: 21/11/2019 - 07:34

Ekspozita "Miss Mary Edith Durham" u çel për publikun në Muzeun Historik Kombëtar.

Postuar: 21/11/2019 - 07:33

"Salome" kryevepra e Oscar Wilde mbrëmjen e së enjtes dhe të premtes shfaqet për publik

Postuar: 21/11/2019 - 07:31

Artistët Austriakë Michael Schmiedhammer (piano) dhe Johannes Kretz (elektroakustikë) mbajtën një