Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Gjergj Leka: Shqipëria është e fundit në Ballkan për mbështetjen e artit, kemi humbur çdo gjë...

Postuar: 23/09/2018 - 07:58

Krijimtaria në vend nuk mbështetet sa duhet për zhvillimin e saj, por problem mbetet dhe zbatimi i ligjit nga përdoruesit e muzikës. Për kantautorin e njohur Gjergj Leka problemet vijojnë prej vitesh dhe sipas tij edhe institucionet shtetërore deri tani nuk kanë treguar vëmendjen sa duhet, por mungon dhe promovimi i artistëve. Sipas kantautorit, më shumë ka vëmendje tek një këngëtar i huaj që vjen për koncert se sa të mbështetet dhe promovohet krijimtaria muzikore shqiptare. Në intervistën për “SOT” kantautori Gjegj Leka shprehet se sot nuk prodhohet më krijimtari si dikur, dhe nuk ka as treg muzikor. Problem për kantautorin mbeten dhe mungesa e vëmendjes për të gjithë ata kompozitorë, që prej vitesh janë vlerësuar me punën e tyre, por tani nuk po shkruajnë më muzikë. Pjesë e intervistës me kantautorin është dhe sezoni i dytë i programit të tij “Na ishte njëherë muzika”. Një program, që sipas tij tashmë e ka audiencën dhe vlerësimin për çfarë prezantohet. Edhe ky sezon që ka nisur, sipas kantautorit Gjergj Leka në vijim do të përcjellë plot materiale interesante për shikuesit.

- Programi juaj “Na ishte një herë muzika” mbërrin në sezonin e dytë. Çfarë sjell ky sezon dhe qëllimi që patët, kur e nisët këtë program?

Unë e kisha menduar prej kohësh, që të nisja një projekt të tillë. Çdo të shtunë është programi i dytë në shikueshmëri, dhe i bie që paska shumë njerëz që duan këtë muzikë. Sezoni i dytë i këtij programi në “Neës24” sjell për publikun dy rubrika të reja, njëra që quhet “Pentagrami i artë” dhe në çdo puntatë unë zgjedh nga bota një material, por që është shumë i njohur. Më pas ka një rubrikë tjetër, që është me figurat shqiptare në veçanti. Kemi Kujtim Laron, Çelentanon, javës tjetër do të vijoj me të tjerë emra, por dhe si një përballje me figurat shqiptare.

 -Programi juaj vjen çdo të shtunë me titullin “Na ishte njëherë muzika”. Pse ky titull?

Tek ne ka humbur çdo gjë, sepse nuk prodhohet. Ka humbur muzika e filmit, sepse nuk ka filma. Shembulli Morricione, që është duke vdekur dhe është më i paguari në botë. Por tek ne thonë: ky është i vjetër. Ku janë të vjetër? Kush janë këta të rinjtë me vlera? Ne kemi kompozitorë të aftë. Rasti i Endri Sinës, super aftë dhe veprat e tij në Kinë. Po e paguan Kina. Na ishte njëherë muzika, por kjo është e keqja, sepse na ishte njëherë vërtetë.

-Çfarë po ndodh sipas jush me të drejtën autorit. Ka probleme dhe sa kanë përgjegjësi institucionet, Ministria e Kulturës?

Unë para disa javësh kisha në studio në program administratorin e të drejtës së autorit, që në fakt ai foli shumë mirë. Ligjin atij ia ka dhënë Ministria e Kulturës, por ai ma solli dhe e kam lexuar. Si ligj ai është shumë në rregull. Ky në krahasim me atë që ka qenë është tamam si një ligj sikur po flasim për të drejtën e autorit italiane, por me një diferencë shumë të madhe. Që tek ne nuk janë pjekur kushtet akoma, që nga autorët, që nuk kanë idenë. Bëhen gjyqe dhe ndaj i humbin, sepse nuk e kanë idenë. Mos harroni që Italia e ka që në 1800 të drejtën e autorit, ndërsa ne e kemi pas demokracisë. Unë kisha të ftuar në emision dhe Kujtim Prodanin që po çan dyert për të drejtën e autorit të këngëve të Agim Prodanit, i cili është autori më i madh i këngëve dhe të Anita Takes. Tek ne këtu ka shumë probleme, kjo sepse nuk bien të gjithë dakord. Por dhe krijuesit nuk kanë asnjë marrëveshje për këngën. Nuk ka marrëveshje midis autorëve, dhe nuk po merren vesh mes tyre. Ne mund të kemi 1 mijë probleme me ligjet, por ky ligj me atë që ka qenë më parë është më i mirë dhe zbatimi është akoma në ajër. Te ne ka për t’u ndërruar ministria dhe ministrja, dhe ne do jemi sërish po njëlloj, sepse nuk merremi vesh me njëri- tjetrin. Tek ne nuk zbatohet ligji. Tek ne duhet të ketë një polic artistike. Po nuk u zgjidh problemi që të paguajnë të drejtën e autorit ata që përdorin krijimtarinë, atëherë asgjë nuk do kemi. Por ajo që kërkoj unë është dhe një fushatë sensibilizuese nga Ministria e Kulturës, që ka bërë këtë ligj për autorët. Unë takoj kolegët e mi, por se kanë idenë e këtij ligji. Por që të bësh një fushatë të tillë duhen dhe para. Siç bën AMA fushatë, që ia dërgon televizioneve të ndryshme spotin, edhe Ministria e Kulturës duhet të bëjë fushatë për të drejtën e autorit.

-Ministria e Kulturës është përballur me akuza të artistëve, projektligji i artit që u kërkua të pezullohej, mungesë transparence. Çfarë mund të na thoni për rolin e ministrisë, sa është bërë për artin dhe kulturën?

Me sa di unë asnjë nga ministrat e Kulturës tek ne nuk ka bërë për artin dhe kulturën, duke filluar që Rama e deri tek ministrja Kumbaro tani. Që nga ajo kohë e deri tani, po këto ligje arti janë. Kur thonë do bëjmë ligj të ri vetëm sa i shtojnë dy paragrafe secili ministër Kulture, që vjen. Por për të zbatuar ligjin ka probleme, ministria duhet të caktojë dhe kush e zbaton ligjin. Po flas për muzikën. Kush është caktuar për të zbatuar ligjin? Katër inspektorët që ka SUADA ( sporteli unik)? Unë po flas për pjesën time të krijimtarisë muzikore, kush duhet ta zbatojë ligjin? Por dhe problem është që ne jemi shqiptarë dhe nuk merremi vesh me njëri tjetrin. Ne do të vijojmë ti prishim punë njëri-tjetrin. Ministria e Kulturës ka fajet e veta, por dhe ne vetë jemi fajtorë. Kush ka marr para nga ministria e lavdëron, ata që nuk kanë marrë e shajnë. Kush nuk ka marr para për projektet janë të pakënaqur. Por tek ne nëse është dhe ndonjë ligj i mirë, ta keni të qartë që është huazuar. Problemi mbetet kush do ta zbatojë ligjin. Ndër vite të gjitha Ministritë e Kulturës qoftë të Saliut apo dhe Ramës, nuk është bërë gjë, ta keni të qartë këtë. Asgjë nuk kanë bërë në ministri, kanë bërë ligje dhe as që janë zbatuar.

-Autorët pohojnë se mungon mbështetje për krijimtarinë muzikore, mungesë promovimi. Sa i bashkoheni atyre?

Në Shqipëri nuk ke krijimtari në art. Më thoni çfarë simfonie kanë shkruar? Çfarë teatri kemi? Por është qesharake dhe për mënyrën se si hapen dhe zhvillohen konkurset për Vitin e Skënderbeut. Kam lexuar kritere qesharake nga TVSH. Tek Ministria e Kulturës lexova sërish për një konkurs për vepra muzikore për vitin e Skënderbeut. Por ministria ka përgjegjësinë në radhë të parë të ngrejë një komision për veprat kombëtare. Këtu çalon tek ne, kush do të jetë në atë komision vlerësimi, sepse duhet të jetë me profesionistë. Po kush janë profesionistët në Shqipëri? Mirë le ti bëjnë konkurset, por kush do të jetë në komision? Unë dua si autor që gjërat të jenë të rregullta. Personalisht më intereson kjo si krijues dhe e drejta e autorit të paguhet. Do të ishte gjë e mirë që të konkurset për krijimtarinë muzikore shqiptare ishin, por paratë nuk shpenzohen për art. Ju e dini që në rrethe askush nuk shpenzon për një koncert? Dikur kishte dhe trupa artistike, estrada dhe në rrethe, por janë në mbyllje e sipër. Kjo është drama, dhe kjo ndodh në të gjitha degët e artit jo vetëm te muzika. Jemi në një krizë totale të moskulturës. Nuk ka interes njeri për kulturën, po flas për shtetin. Edhe bashkitë nuk kanë para, nuk ka fonde për kulturën. Çfarë do të bëjnë kur nuk kanë para, ose janë të pamjaftueshme? Paguajnë 200 mijë euro për të marr një këngëtar që këndon dhe me aq para mund të ndihmohet arti shqiptar, të ketë projekte. Pra ne mbetemi ato që jemi, këto janë gafa që bëhen. Para se ti të marrësh një emër të madh të këndojë në shesh, me atë buxhet mund të hapje tre konkurse gjatë gjithë vitit për krijuesit. Këto janë prioritet shtetërore. Shteti duhet të ndjekë politikën, që në radhë të parë të ndihmoi artin autokton. Nuk ka një promovim, nuk ka konkurse, vetëm kur na vijnë të huajt që i promovojmë.

-Dhe nëse vijon kjo situatë me mungesë mbështetje financiare, mungesë promovimi, sipas jush çfarë ndodh?

Më të mirët do të ikin jashtë dhe bëjnë para atje, siç dhe ka ndodhur.

-Ju flisni për Tiranën, por dhe artistët në rrethe kanë probleme me aktivitetin artistik. Si ndikon kjo situatë sipas jush?

Ka vite që nuk ekziston më fjala rrethe. Ku ka art në rrethe? Të flasësh këtu për artin, nuk ka mbështetje. Asnjë rregullim nuk ka, çdo ditë dhe më keq është në art. Vetëm kur ndahen nga jeta artistët të japin një sallë, që bëjnë sikur qajnë.

-Sipas jush, artisti nuk ka vlerësim në Shqipëri?

Nuk ka vlerësim dhe kush ka talent më mirë mos të rri këtu, të iki nëse kanë mundësi për më mirë atje jashtë. Unë po e shikoj te brezi i ri, që dikur vinin në konkurse, prisnin rradhën. Tani përveç “Gjeniut”, te tjerët nuk vijnë. Ai ose ajo që ka talent nuk do ta bëjë në Shqipëri, sepse i ka shembujt që rri pa bukë dhe më mirë ikën jashtë. Ka mbetur vetëm brezi im. Veç programit që bëj unë për muzikën, nuk ka tjetër që sjell vlerat. Edhe ndonjë program, që duan të bëjnë është për anën komerciale dhe gossip. Vetëm për kaq, sepse nuk na shohin? Po kush nuk e sheh? Programi im ka shikueshmëri.

-Tregu muzikor sipas jush nuk ekziston. Pse?

Çfarë tregu muzikor kemi ne? Dyqane që shesin disqe? Ne nuk kemi treg muzikor.

-Po kënga e lehtë shqiptare?

Kemi një festival, që është “Kënga Magjike”. Por ku promovohen këngët, përveç youtube? Ku i ke menaxherët? Ku i kemi shtëpitë diskografike, ky është tregu muzikor. Këngë te ne bën kushdo. Nuk është e vështirë të bësh, këngë por të shkruash këngë. Te ne ka dhe nga ata që bëjnë dhjetë në ditë, por vetëm këngë nuk janë. Ata kompozitorë që kemi ne që shkruajnë tani i quajnë jashtë mode dhe treçereku ka rënë në gjumë nuk shkruajnë, dhe kjo është problem. Ky është tregu jonë. Ne matemi me njëri-tjetrin dhe kur dalim jashtë Shqipërisë pastaj e shikojmë se ku jemi. Shikoni vendet jashtë se sa bëjnë për folklorin, për traditën, sa festivale bëjnë. Ne i kemi pasur më shumë se ata, dhe nuk janë më. Kjo sepse nuk duan të aftit, por duan të promovojnë këngë që dalin një apo dy javë dhe si intereson të ketë muzikë të mirë. Ne jemi të fundit për të mbështetur artin në Ballkan, nuk ka promovim. Një art pa promovim është njësoj si ëndrrat ti mbash në sirtar dhe mos ti realizosh kurrë. Te promovimi hyn shteti, por dhe privati.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 9

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/12/2018 - 07:32

Komedia "Tag" nga Bashkim Hoxha dhe me regjisore Andia Xhunga është rikthyer për publikun në skenë te “arTurbina”. Vepra pas mbrëmjes së të enjtes, vjen për publikun edhe në datat 15-16 dhjetor.

Postuar: 14/12/2018 - 07:31

Ekspozita “Plein Air” mbërrin në edicionin e katërt në Muzeun Historik Kombëtar.

Postuar: 14/12/2018 - 07:26

Kompozitori i mirënjohur, profesor Thomas Simaku është në jurinë ndërkombëtare të vlerësimit të v

Postuar: 14/12/2018 - 07:22

Ekspertët europianë kanë publikuar raportin për rehabilitimin e monumenteve pas-bizantine në Vosk

Postuar: 13/12/2018 - 07:27

"Kreditorët” vepër nga August Strindberg me regji Luli Hoxha vijon për publikun në ske

Postuar: 13/12/2018 - 07:25

Filmi “Shpresa” prodhim i Kinostudios më 1989, me skenar nga Dhimitër Xhuvani dhe reg

Postuar: 13/12/2018 - 07:24

“Kruja dhe Skënderbeu”, ekspozita e 53 piktorëve shqiptarë zhvendoset nga Tirana në V