BREAKING NEWS

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme të vendit/ Kallëzohen 7 funksionarë publikë në Prokurori. Kush janë zyrtarët e lartë dhe akuzat që rëndojnë mbi to

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme
x

Kultura

Gjergj Prevazi: Festivalet ndërkombëtare të përkrahen nga shteti, duhet vëmendje për krijimtarinë artistike dhe fuqizim i skenës së pavarur kulturore

Gjergj Prevazi: Festivalet ndërkombëtare të përkrahen nga

“Albania Dance Meeting-Festival” nën drejtimin e koreografit të njohur Gjergj Prevazi ka krijuar një traditë të përvitshme në vendin tonë. Këtë vit festivali vjen në edicionin e 17. Drejtues i festivalit Gjergj Prevazi tregon se puna ka nisur për edicionin e këtij viti, por ai thotë se në vijim do të shihet dhe situata me pandeminë për të ndërtuar programin se si do të zhvillohet festivali. Në intervistën për “SOT”, Gjergj Prevazi thotë se ka trupa të huaja që kanë konfirmuar dhe pjesëmarrjen, ndërsa po punohet dhe me trupat e tjera. Prevazi tregon se vështirësitë sa vijnë dhe shtohen dhe kjo për hapësirat ose mundësi të vogla financiare, që kanë festivalet ndërkombëtare në Shqipëri. Prevazi pohon se në Shqipëri janë disa festivale ndërkombëtare, që duhet të përkrahen fuqishëm nga shteti, sepse i japin fytyrë në arenën ndërkombëtare. Ai thotë se vëmendje duhet dhe për krijimtarinë artistike, por dhe skena e pavarur kulturore duhet patjetër nga shteti të fuqizohet në kuptimin e vëmendjes buxhetore. Festivali “Albania Dance Meeting-Festival” ka nisur në vitin 2006 dhe deri tani në skena përballur artistikisht trupa dhe kompani nga Kosova, Maqedonia, Suedia, SHBA, Franca, Holanda, Turqia, Italia, Kroacia, Shqipëria, Izraeli, Hungaria, Sllovenia, Zvicra, Austria, etj. Më herët drejtuesi i festivalit Gjergj Prevazi ka pohuar se “Albania Dance Meeting-Festival” është padyshim një dritare e hapur për të shkëmbyer idetë, teknikat dhe konceptet e reja, me artistë bashkëkohorë.

-Festivali “Albania Dance Meeting -Festival” që ju drejtoni prej vitesh është unik dhe çdo vit nuk i ka munguar jetës artistike në vendin tonë. Si drejtues i këtij festivali si po vijon po puna për edicionin e 17 këtë vit?

Ne kemi lidhur kontakte me kompanitë e dansit që do të vijnë, dhe tani mbetet koha se çfarë do të ndodhë. Jemi në pritje të situatës si do të jetë nga pandemia, a do të lejohen apo jo aktivitetet në salla, që të bëjmë planifikimin real për trupat artistike. Festivali jonë është bërë në muajt tetor-nëntor, por sivjet mbase e nisim pak më herët nga muaji shtator. Jemi vetëm në pritje të situatës që do të kemi, pasi problemet me pandeminë dihen. Festivali ka një buxhet 5 milionë lekë të vjetra nga Ministria e Kulturës. Por në situatën që jemi unë jam duke u përgatitur me programacionin e festivalit, që këtë vit është në edicionin e 17. Ideja është që disa shfaqje patjetër sivjet do ti kemi live. A do ti mbajmë brenda në salla teatri apo jashtë në skena të hapura kjo mbetet për tu parë, sepse do të presim në varësi të situatës. Por ne jemi me shpresën që gjithçka do të rregullohet. Pandemia vjet na pengoi shumë, sepse ne e zhvilluam online festivalin. Nuk është njëlloj ta zhvillosh festivalin online me një aktivitet siç kemi bërë zakonisht, sidomos dansi dhe teatri është një diferencë e madhe. Muzika përshembull edhe perceptohet me anë të dëgjimit sepse nuk është vizuale, por arti jonë është vizual. Për momentin unë kam të konfirmuar një shfaqje, që vjen nga Italia dhe një nga Austria, ndërkohë që jemi duke punuar për të tjera trupa artistike.

-Kur ju përmendni sallat për zhvillimin e festivalit, sa kanë qenë hapësirat për ju?

Në Tiranë dihet se ku janë sallat, është Teatri Metropol, Teatri Kombëtar Eksperimental apo dhe Teatri Kombëtar që tek ky i fundit ne zakonisht i kemi dyert e mbyllura. Unë se di çfarë mund të behet me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit këtë vit, sepse dhe ai është e mbyllur dhe ka qenë në rikonstruksion, pastaj pandemia dhe aktivitet u ndërprenë në sallë. Me sa di unë në TKOB kanë përgatitur një premierë baleti. Por festivali “Albania Dance Meeting- Festival” është varur kryesisht nga kushtet, ku janë përshtatur. Ne kemi dhënë shfaqje dhe në Galerinë Kombëtare të Arteve apo dhe në hapësirat publike. Kemi dhënë shfaqje në sallën e Universitetit të Arteve, kemi dhënë në teatrot që përmenda më lart. Por kemi qenë me shfaqje gjatë festivalit në teatrin e Durrësit, në teatrin e Shkodrës, në teatrin e Korçës, në teatrin e Elbasanit apo dhe të qytetit të Fierit. Ne kemi çuar dhe shfaqje në Prishtinë. Pra çdo vit kemi bërë një shpërndarje me shfaqjet dhe ndaj quhet dhe “Albania Dance Meeting Festival”. Dhe në pikëpamja të vendeve për zhvillimin e festivalit tonë ne kemi preferuar gjithmonë alternativa. Natyrisht kur bëhet fjalë për periudhën e dimrit është e vështirë të japësh shfaqje jashtë, edhe në nëntor kur moti ftohet ne kemi pjesë të programit, por gjithsesi ne kemi dhënë shfaqje dhe te “Reja” në Tiranë. Me festivalin nuk ka qenë një program klasik vetëm brenda në sallë. Sigurisht që kemi pasur shumë shfaqje brenda, por dhe jashtë kemi dhënë për publikun. Tirana ka pak salla performimi, por nisur nga fakti që festivali i është qasur në mënyrë alternative hapësirave dhe programi është i ndërtuar mbi këtë koncept. Në 2019 ne kemi bërë një shfaqje në hapësirat e liqenit dhe ka qenë për fëmijë nga një autor francez me tre kërcimtarë, dhe gjithçka funksionoi për mrekulli. Nuk kemi pasur nevojën as të një salle apo skene dhe gjithçka është zhvilluar në natyrë dhe ishte një nga shfaqjet më të mira në Europë atë vit kur erdhi dhe në Shqipëri.

-Ju thatë që po punoni me trupat artistike dhe keni marrë konfirmime për pjesëmarrjen në edicionin e këtij viti në “Albania Dance Meeting -Festival”. Pjesa online si do vijojë këtë vit?

Ne bëmë vjet një përshtatje edhe të formatit të festivalit tonë, por dhe të shfaqjeve që ofruam. Ne gjykuam që është më e perceptueshme dhe më e pranueshme të ndërtonim një program me videodansi. Jo thjesht me shfaqje dansi të regjistruara, por me videodans që është një format i njohur sot në botë, madje ka festivale që janë vetëm me videodans. Ndërtuam vjet një program mbi videodans, por njëkohësisht dhe me shfaqje të plota që i transmetuam online ose në videoscream, pra projektin te “Reja”, përpara Universitetit të Arteve, si dhe te teatri i Durrësit.

-Këtë vit është edicioni i 17 i festivalit. Sa ka qenë e vështirë, që prej vitesh ta zhvilloni për publikun në vendin tonë?

Vështirësitë sa vijnë dhe shtohen, së pari janë për hapësirat ose mundësi të vogla financiare që kanë festivalet ndërkombëtare në Shqipëri. Së dyti, vështirësitë rrjedhin dhe nga faktorë të tjerë. Unë zakonisht shfaqjet që kam ftuar në festival kam shkuar dhe i kam parë më parë vetë dhe mbi atë panoramë të 150 shfaqje që kam parë mesatarisht në vit, unë kam ndërtuar dhe programin në përputhje me konceptin e festivalit, dhe në përputhje me atë se çfarë duhet ti ofroj publikut shqiptar, çfarë është e munguar këtu dhe ta plotësoj në festival. Këto dy vite për shkak të pandemisë kjo ka munguar, por dhe për shkak të burimeve financiare. Duhet të kuptojmë dhe një gjë, një festival sa më të madh ta ketë buxhetin aq më tepër ka dhe mundësinë e punësimit të njerëzve të paktën në një periudhë kur organizohet. Mua festivali më zgjat dy muaj, në këtë kuptim nëse rritet buxheti i festivalit ke mundësi që të punësosh njerëz.

-Si ndikon tek kjo pjesë zhvillimi i festivalit?

Unë kam angazhuar studentë dhe njerëz të tjerë profesionistë, që janë të lidhur me festivalin dhe për një punë që bëjnë duhet të shpërblehen. Në këtë kuptim festivali është edhe një ofertë për ata që duan të qëndrojnë brenda profesionist, por mund të bëjnë dhe punë alternative të tipit të organizimit. Por sërish kanë lidhje me profesionin, sepse kontaktojnë artistët e huaj, shoqërohen me ta, shkëmbejnë ide dhe koncepte për shfaqjet. Pra festivali është një ofertë shumë herë më e madhe se sa thjesht fto një trupë artistike. Shto këtu dhe workshope, që ne i kemi pasur të përvitshme. Dhe këtë vit kemi dhe do të vijojmë shpejt me një workshop, me shpresën që do të na lejohet. Janë dy koreografë italianë, që vijnë të bëjnë dhjetë ditë workshop dhe do të qëndrojnë dy javë në vendin tonë, sepse do të bëjnë dhe një kërkim për skenën e dansit kontemporan në Shqipëri. Ata më kanë kontaktuar mua si drejtor festivali dhe koreograf, por duan dhe të takojnë dhe aktorë të tjerë të skenës, qofshin koreografë të rinj, studentë që aspirojnë të merren me dansin kontemporan.

-Një grup artistësh të rinj të sektorit të pavarur më parë janë drejtuar me disa kërkesa për problemet, në aktivitetin artistik. Për ju çfarë është shqetësuese?

Një grup i të rinjve në kuadër të pandemisë me parë formuluan disa kërkesa. Ideja është që pagesat për artistët sado që janë të ulëta, të paktën relaksohen nga taksimi 15 për qind mbi fitimin kur merren. Sepse është një shumë që shtetit nuk i kushton asgjë, por për artistët është goxha e madhe, duke pasur parasysh që për artistët shpërblimet në Shqipëri nuk janë të larta. Shpresoj që institucionet shqiptare duhet të marrin iniciativë ta relaksojnë këtë taksë, sepse ia kanë hequr biznesit të vogël dhe i lihet artistëve. Nuk ka kuptim taksa mbi shpërblimin artistik. Janë kaq pak para në qarkullim saqë shteti në kuptimin e vullnetit të mirë mund ta shpallë taksë të parëndësishme, është një shumë që nuk ndikon në buxhetin e shtetit, por për artistët është shumë. Në jetën artistike mua më interesojnë tre gjëra, së pari tani që mbaroi fushata elektorale dhe mbaroi gjithçka qeveria e re që do të krijohet të ketë më shumë vëmendje ndaj artit. Në Shqipëri janë disa festivale ndërkombëtare që zhvillohen prej vitesh dhe kanë krijuar traditën e tyre. Ato duhet të përkrahen fuqishëm nga shteti, sepse i japin fytyrë në arenën ndërkombëtare, i japin sharm. Së dyti, vëmendje dhe për krijimtarinë artistike shqiptare në të gjitha fushat e artit. E treta, tek skena e pavarur kulturore duhet patjetër nga vetë shteti të fuqizohet në kuptimin e vëmendjes buxhetore. Këto janë tre pika, që për mua me patjetër duhet të rikonsiderohen.