BREAKING NEWS

Pandemia e COVID! Rama publikon të dhënat dhe jep lajmin fantastik: Krenarë, por kujdes se shikoni ç’po ndodhet në... (Foto)

Pandemia e COVID! Rama publikon të dhënat dhe jep lajmin fantastik:
x

Kultura

“Gjithë lulet e pranverës për ty”, një tjetër koncert premierë i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore

“Gjithë lulet e pranverës për ty”, një

“Gjithë lulet e pranverës për ty” është një tjetër koncert premierë i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Teatri Kombëtar i Operës Baletit dhe Ansamblit Popullor shkruan se vjen një koncert tepër i veçantë dedikuar gruas, me krijimet me të bukura të folklorit tonë popullor. Një produksion i ri i Ansamblit Popullor, solist tenori njohur shqiptar Kastriot Tusha dhe solisti i ansamblit Aranit Hoxha. Të ftuar janë dhe artistë të tjerë të njohur, si këngëtarja Eli Fara dhe violinisti Zeqir Sulkuqi. Në këtë koncert premierë, materialet muzikore i kushtohen dashurisë për gruan dhe pranverës. Koncerti "Gjithë lulet e pranverës për ty" është koncerti i dytë premierë brenda një muaji nën drejtimin e Sokol Marsit, drejtorit artistik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Një rizgjim i Ansamblit Popullor, ku po zhvillon dy premiera në një kohë kaq të shkurtër. Në një kohë të tillë, ku vështirësitë që ka sjellë dhe pandemia janë në jetën artistike, artistët e AKKVP kanë realizuar dy koncerte premierë në një muaj. Sa i bukur vjen marsi. Muaji i parë, që lajmëron pranverën, muaji i luleve, i këngës së zogjve, i trëndafilave në sokak, muaji i dashurisë për nënën, motrën, gruan, muaji i dashurisë së madhe për jetën dhe familjen. E një buqetë me këngë e vargje janë mbledhur në koncertin “Gjithë lulet e pranverës për ty”, me artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, por dhe artistë të ftuar. Teatri Kombëtar i Operës Baletit dhe Ansamblit Popullor shkruan se koncerti do të jepet në 17 mars në ora 21.00 me RTSH HD 1, por do të jetë për publikun edhe online në Facebook të teatrit dhe në YouTube. Përpara koncerti që do të jetë së shpejti për publikun, u zhvillua ai me titull “Trëndafilin kur ta dhash” nga artistët e Ansambli Popullor, për të rizgjuar bukuritë e muzikës së krijuar nga mjeshtrit shqiptarë.

Pasuria folklorike

Ansambli Kombëtar i Këngëve e Valleve Popullore (AKKVP) është krijuar në vitin 1957, si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh. Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Zonat e shumta etnografike kanë veçantitë e veta në këngët, vallet, kostumet, ritet e zakonet. Mbështetja e AKKVP-së tek kjo pasuri burimore dhe ekspeditat e ndryshme të zhvilluara në të gjitha zonat kanë bërë që AKVP-ja të jetë jo vetëm krenaria e kulturës tradicionale shqiptare, por edhe të mahnisë me vlerat e tij studiues e folkloristë nga e gjithë bota. Ansambli Popullor prej dekadash është kthyer në një laborator për përpunimin dhe interpretimin me kërkesa mjaft të larta artistike të thesarit të madh burimor folklorik duke bërë të mundur transmetimin e tij brez mbas brezi. Repertori muzikor ka luajtur një rol të fuqishëm dhe mjaft të suksesshëm në jetën e ansamblit. Vlera të mëdha artistike ka orkestra me instrumentistë nga më të zgjedhurit. Këngëtarët interpretues kanë qenë dhe janë krenaria e vokalit shqiptar. Edhe kori me përpunimet dhe harmonizimet e këngëve burimore dhe të krijuara, ka dhënë një kontribut shumë të vlefshëm si pjesë e domosdoshme dhe e rëndësishme e ansamblit.