Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Haig Zacharian: Me muzikën klasike nuk mund të jetohet në Shqipëri, nuk ka asnjë projekt financimi shtetëror

Postuar: 15/07/2018 - 08:17

Jo vetëm mungesa e mbështetjes financiare që është shumë problem për krijuesit e muzikës shqiptare, por dhe e drejta e autorit. Ata pohojnë se janë në një situatë që ligji për të drejtën e autorit nuk po zbatohet. Edhe pse sipas tyre në këtë rast me ligjin Ministria e Kulturës është palë me ata, sërish çështja për zbatimin ka aq shumë problem sa po vijojnë dhe gjyqet. Në intervistën për “SOT” kompozitori i njohur Haig Zacharian pohon se është skandal çfarë po ndodh me të drejtën e autorit në vend. Sipas tij nuk pranohet të zbatohet ligji nga ata që shfrytëzojnë krijimtarinë. Ai pohon se është një situatë shqetësuese, por përballë kësaj asnjë nga autorët nuk mund të bëj dot gjë. Pjesë e intervistës me kompozitorin e njohur është dhe puna që bëhet sot me muzikën shqiptare. Ai shpreh keqardhjen që me krijimtarinë e muzikës serioze sot nuk mund të jetohet. Apeli i kompozitorit të njohur shkon dhe në drejtim të institucioneve, që sipas tij dhe pse ka tendenca pozitive në ndihmë të krijimtarisë janë të pakta. Haig Zacharian ka krijuar vepra të shumta në gjini të ndryshme të muzikës (vepra e tij janë luajtur në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të jetës muzikore shqiptare si dhe jashtë: Kosovë, Maqedoni, Zvicër, Itali, Austri, Spanjë). Ka kompozuar gjithashtu këngë për fëmijë, korale, muzikë filmash dhe aranzhuar shumë pjesë të muzikës klasike dhe romantike për ansamble të ndryshme. Kritikët pohojnë se Stili i muzikës së tij është i dallueshëm, me ngjyra të holla dhe me një sens të komunikimit të drejtpërdrejtë. Është vlerësuar me çmime të shumta për krijimtarinë dhe aktivitetet e tij muzikore. Pas viteve 1990 krijimtaria e tij përveç filmave është kryesisht në gjinitë e muzikës së dhomës, ku duken qartë tendenca të përdorimit dhe eksperimentimit në teknikat bashkëkohore të krijimtarisë muzikore.

-Ministria e Kulturës ka hapur konkursin për vepra muzikore, opera, balet dhe muzikal në kuadër të Vitit të Skënderbeut. Disa autorë pohojnë se është kohë e pamjaftueshme për veprat muzikore? Çfarë mund të na thoni?

Nuk jam shumë në dijeni të këtij konkursi për veprat muzikore që ka hapur Ministria e Kulturës. Unë vetë nuk besoj se nuk mund të bëj ndonjë gjë për këtë konkurs, sepse jam duke u marrë me projekte të tjera. Sa i takon asaj që ju pohoni se disa autorë janë shprehur se kanë pak kohë për të shkruar veprat muzikore, kjo varet sepse njerëzit kanë kohë dhe përgatitje të ndryshme. Konkursi për veprat në Vitin e Skënderbeut është një iniciativë e Ministrisë së Kulturës dhe kush të jetë i zoti të shkruajë vepër. Për atë autor që do të punojë mendoj se ka zgjidhje për të marrë pjesë në konkurs, nuk është e pamundur kjo gjë.

-Çfarë po ndodh me të drejtën e autorit në krijimtarinë muzikore?

Është një skandal tek ne e drejta e autorit. Gjyqet vazhdojnë, më saktë kanë një vit që po shtyhen dhe tani me sa di unë po propozohet një marrëveshje, që s’e di pse dhe çfarë po ndodh. Nuk e kuptoj këtë situatë. Madje dhe ai që na ka hapur probleme me zyrën tonë ka fituar dhe një gjyq dhe na asgjëson ne. Një situatë me mjaft probleme për autorët. Në fakt kjo që po ndodh me të drejtën e autorit dhe me ligjin për të drejtën e autorit është një çudi shqiptare. Nuk duan të zbatojnë ligjin e të drejtës së autorit dhe e çojnë çështjen në gjyq. Ministria e Kulturës në këtë rast është përfaqësuesi jonë. Shteti në këtë rast është palë me ne si autorë, dhe kjo është çudia më e madhe, dhe ne nuk e dimë se pse ndodh kjo që ata që na kanë çuar në gjyq nuk duan të zbatojnë ligjin. Gjykata ndërkohë që vetëm shtyn gjyqet. Autorët punojnë, por nuk mund të grabiten, e drejta e autorit duhet paguar sipas ligjit. Tek ne nuk vepron ligji për të drejtën e autorit.

-E keni ndjekur protestën e artistëve për Teatrin Kombëtar. Sa shqetësuese është kjo situatë?

Unë bashkohem me artistët, por dhe do të doja që në qendër të mos abuzohet me ndërtime. Ka vlerë për ne, ajo zonë.

-Vijon mungesa e transparencës në institucione, në Ministrinë e Kulturës, si ndikon kjo për ju?

Nuk duhet të ketë abuzime. Por tek ne ka probleme prej vitesh e vitesh. Njerëzve duhet t’i tregohet se çfarë do të bëhet. Nëse nuk tregohet atëherë fillojnë dhe dyshimet për çfarë ndodh me atë që duan të bëjnë institucionet. Njerëzit duhet të jenë të qartë për çfarëdolloj veprimi që ndërmerret nga institucionet, jo të bëhen fshehurazi. Mungon transparenca, që është problem dhe duhet rregulluar. Ministria e Kulturës dhe institucionet e tjera duhet të japin transparencë për atë që iu kërkohet dhe jo të mos merren vesh gjërat kur kanë lidhje me artistët dhe çfarë po bëhet. Nëse artistët pohojnë se nuk ka transparencë dhe kanë të drejtë, ti si institucion bëj transparencën, me projektet, buxhete, etj.

-Por dhe projektligji i artit u hodh poshtë nga artistët. Ata pohuan se munguan konsultimet me ministrinë...

Unë vetë s’e kam lexuar, nuk e di projektligjin.

-Aplikuat për projekt në Ministrinë e Kulturës?

 Projekti që unë propozova nuk u mbështet nga Ministria e Kulturës. Tani të shohim çfarë ndodh vitin tjetër.

-Ju çdo vit pohoni se duhet mbështetje për krijimtarinë muzikore shqiptare, sa ka gjetur zgjidhje deri tani ky problem për autorët?

Nuk ka gjetur zgjidhje fondi për krijimtarinë e muzikës shqiptare. Kjo gjë duhet të saktësohet me ligj. Nëse nuk saktësohet përmes ligjit dhe rregullave nuk do të gjejë zgjidhje ajo që duhet për të nxitur krijimtarinë dhe ndihmuar autorët shqiptarë. Fond për krijimtarinë e muzikës serioze shqiptare nuk kemi. Edhe pse është bërë një hap, që disa aktivitete që kanë krijimtari muzikore kanë arritur të marrin ndonjë subvencionim nga Ministria e Kulturës është pak. Ka një tendencë pozitive, por duhet të rritet më tej. Në botë madje ka dhe disa rregulla, që nuk mund të ketë një shfaqje muzikore pa një përqindje me repertor shqiptar. Nëse një institucion duke filluar që nga Ministria e Kulturës subvencionon një koncert me aktivitetin duhet të përfshihet një përqindje e caktuar me vepra muzikore shqiptare që të luhen. Pra në fillim të caktohen veprat shqiptare që luhen dhe më pas i lind e drejta e mbështetjes financiarisht. Por tek ne, ata artistë që vijnë nga jashtë luajnë repertor ndërkombëtar për 1 orë e gjysmë apo 2 orë në programin e tyre dhe nuk kanë asnjë vepër shqiptare. Kjo nuk është e drejtë, sepse ata kryesisht kanë në programet e tyre vetëm vepra të huaja. Edhe kjo është një tjetër problem shqetësues dhe duhet rregulluar. Nëse ka artistë që subvencionohen dhe vijnë nga jashtë duhet të jetë me rregull që ata të luajnë dhe vepra të autorëve shqiptarë. Në botë e di që kjo bëhet, por tek ne kjo nuk ndodh. Në botë për aktivitete të rekomandojnë gjithmonë veprat e tyre kombëtare. Kjo duhet bërë jo vetëm nga shteti por dhe nga të tjerë që organizojnë aktivitete dhe kanë mundësi organizimi.

- Teatri i Operës dhe Baletit sa rëndësi merr me aktivitetin e tij përballë këtyre problemeve që ju pohoni?

Normalisht duhet bërë një bilanc i aktivitetit. Por me sa di Teatri i Operës dhe Baletit nuk ka fond për veprat muzikore shqiptare. Një institucion që dihet ka probleme me buxhetin dhe normal nuk ka fond për veprat shqiptare. Por për Vitin e Skënderbeut, që është hapur konkursi dihet që është një bashkëpunim i Ministrisë së Kulturës me Teatrin e Operës dhe Baletit. Por problem mbetet që kjo gjë nuk mund të ndodhë vetëm kur kemi një përvjetor. Duhet të vijojnë konkurset për autorët shqiptarë, sepse përmes tyre nxitet dhe krijimtaria muzikore.

 

-Ju pohuat probleme dhe sa e vështirë është sot për krijuesit shqiptarë me aktivitetin me krijimtarinë muzikore?

 

Me muzikën klasike nuk mund të jetosh në Shqipëri. Në përgjithësi është vështirë dhe në vendet e të tjera, por në Shqipëri nuk mund të jetosh vetëm me krijimtarinë e muzikës serioze. Nuk po them për këngën pasi ajo gjen treg, por me muzikën serioze nuk mund të jetohet. Ne jemi në kushtet kur institucionet nuk kanë asnjë projekt për financimin e krijimtarisë së re muzikore. Normalisht në të gjithë botën çdo institucion ka një fond buxhetor për krijimtarinë e re muzikore, i cili gjithmonë pretendohet të rritet. Ne pretendojmë të shkojmë drejt Europës, por nuk shkojmë dot nëse nuk i shohim gjërat si ata. Shteti mund të ketë shumë probleme, por duhet vlerësuar dhe arti, muzika shqiptare. Nuk duhet të jetë kaq i paktë financimi i krijimtarisë muzikore shqiptare. Orkestrat tona mund të luajnë krijimtarinë e huaj dhe nuk ka problem, por nëse duam të ecim përpara me artin muzikor ne duhet të promovojmë dhe më shumë krijimtarinë e vendit tonë. Si nis promovimi? Promovimi nis në fillim duke bërë aktivitetin, më pas këtij i bashkëngjiten jo vetëm fonde për realizimin, por dhe fonde për krijimtarinë muzikore.

-Po dhe me krijimtarinë në këngë ka probleme dhe diskutohet jo pak cilësia. Çfarë po ndodh sipas jush?

Problemi i cilësisë në këngë është tjetër gjë. Cilësia ne na ka rrëshkitur në këngë, por është si sëmundja që shërohet. Do të zgjasë shërimi i këngës. Por unë besoj që do të shkojmë përpara, do të kemi shërimin e këngës. Këngët kanë probleme, por shërimi mendoj se do të zgjasë.

-Vera ka nisur, ku keni menduar për kaluar pushimet tuaja?

Ka qenë një sezon me provime në universitet me studentët. Tani do vijojnë disa ditë pushimi për ne. Si çdo vit në verë me familjen dhe do të jemi për disa ditë në Dhërmi, mendojmë tani nga fundi i muajit korrik.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 26

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/12/2018 - 07:35

Drama "Maskuar" me regji nga Milto Kutali sonte në mbrëmje shfaqjet për publikun në skenën e teatrit të qytetit të Korçës.

Postuar: 09/12/2018 - 07:33

"Streha mes reve" është filmi më i fundit i regjisorit Robert Budina, që nga data 14 dh

Postuar: 09/12/2018 - 07:32

Në skenën e teatrit dhe në kinema aktori Romir Zalla është i njohur me angazhimet tij si dhe vler

Postuar: 08/12/2018 - 07:37

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor sollën mbrëmë në skenë koncertin “

Postuar: 08/12/2018 - 07:36

Shfaqja “Unë kam gjithmonë një shami në xhepin tim” bën bashkë artistët shqiptarë dhe

Postuar: 08/12/2018 - 07:34

Artistët kanë treguar që dhe me pak mbështetje ia kanë dalë të realizojnë shfaqjet e tyre, por mo

Postuar: 07/12/2018 - 07:41

Akademia e Studimeve Albanologjike organizoi edicionin e IX të Ditëve të Albanologjisë.