BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

Hapet ekspozita për Musine Kokalarin, në kalanë e Tiranës

Hapet ekspozita për Musine Kokalarin, në kalanë e Tiranës

Dokumente origjinale që ruhen në fondin personal të Musine Kokalarit, në Arkivin Qendror Shtetëror, ekspozohen për herë të parë në një hapësirë publike. Dokumentet origjinale të ekspozuara nga AQSH në Kalanë e Tiranës janë prej atyre shumë personale, pasaporta dhe dëftesa e nxënësit, në dorëshkrime të librit të saj “Jeta ime universitare”, tema e diplomës në La Sapienza mbi Naim Frashërin, dorëshkrim i një studimi për Ali Pashë Tepelenën dhe dhjetëra këngë, legjenda të mbledhura ndër vite, përralla të shkruara prej vetë Kokalarit e deri në letërkëmbime e shënime të përditshmërisë. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave zgjedh ta shënojë kështu “Muajin e kujtesës”, duke kujtuar një ndër figurat më emblematike të intelektualizmit shqiptar, gruan e parë shkrimtare të vendit. Në fjalën e saj ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh për rëndësinë e “Muajit të kujtesës”, ku sipas saj institucionet po nxjerrin fondet. “Më vjen mirë që “Muaji i kujtesës” i shpallur nga Ministria e Kulturës po krijon rrathë të tillë kaq të rëndësishëm, dhe që institucionet e tjera po nxjerrin prej fondeve të tyre gjëra me kaq rëndësi”, tha Margariti. Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Ardit Bido tha se detyra e institucioneve është që për figura të tilla të sillen tek qytetarët, dhe Musineja frymëzon shumë. “Një atdhetare intelektuale, që nuk e ulte kokën përballë asgjëje. Dhe detyra jonë është që figura të tilla t’i sjellim tek qytetarët në këtë formë, sidomos tek të rinjtë në hapësira të tilla. Uroj që kjo ekspozitë me dorëshkrime të vjetra të kthehet në frymëzim”, tha ai. Persida Asllani është ndër ato studiuese, që ka hedhur shumë dritë mbi jetën dhe veprën e Musine Kokalarit, ku u shpreh dhe për librin. “Ajo bëri bashkë shumë studiues dhe institucione disa vite më parë në Bibliotekën Kombëtare. Kënaqësi dhe surprizë që këtë shkurt kur mendonim se nuk do të mund të kishte më asgjë të re për Musinenë, erdhën këto akte të konferencës që u mbajt në Tiranë. Një libër me shumë vlerë dhe për mua më shumë rëndësi, sepse ka qenë një nga projektet që kam pasur më shumë për zemër”, tha ajo për botimin e librit “Musine Kokalari, vetëdija e shkrimit edhe qëndresës”. Krahas ekspozimit të dokumenteve origjinale, në kalanë e Tiranës cilido qytetar mund të shohë edhe disa fotografi dhe dokumente të tjera nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur përgjatë gjithë fundjavës.