Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Kultura

 Hebrenjtë dhe Shqipëria, aktivitete në Tiranë dhe Korçë

 Hebrenjtë dhe Shqipëria, aktivitete në Tiranë dhe

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së viktimave të Holokaustit çeli ekspozitën “Hebrenjtë dhe Shqipëria”. Biblioteka shprehet se kjo ekspozitë vjen si një homazh për të kujtuar viktimat hebrenje të Luftës së Dytë Botërore, si edhe për të kujtuar mbrojtjen që u ofroi populli shqiptar gjatë kësaj periudhe të errët të historisë botërore.

“Viti 2020 shënon 75-vjetorin e mbylljes së kampit të Aushvicit. Kjo ekspozitë solli për publikun nga artikujt e parë në shtypin shqiptar si gazeta “Bashkimi” (1945) deri në botimet më të fundit përmes studimeve dhe monografive, rrëfimet dhe kujtimet të familjeve të mbijetuara, të cilat pasqyrojnë historinë e hebrenjve në Shqipëri, mbrojtjen pakushte dhënë nga populli shqiptar si dhe lidhjen e hershme të popullit shqiptar dhe atij hebre”, bën me dije institucioni.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në hollin e Bibliotekës Kombëtare nga e hëna në të premte. Në kuadër të ditës ndërkombëtare të kujtimit të viktimave të Holokaustit, gjithashtu edhe në universitetin “Fan S. Noli” të Korçës u zhvillua forumi “Hebrenjtë në Republikën e Vlerave”. Eventi, i cili ishte bashkëpunim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, universitetit “Fan S. Noli” dhe Institutit Shqiptar të Sociologjisë, u drejtua nga prof. as. dr. Irena Nikaj, presidente e Shoqatës Sociologjike Shqiptare (ALBSA). ASH u përfaqësua nga sekretari shkencor i saj, akademik Shaban Sinani. Libri i tij, “Albanians and Jews” (Shqiptarët dhe hebrenjtë; Prania dhe shpëtimi) ishte baza mbi të cilin u ideua dhe ndërtua aktiviteti. Akademik Sinani referoi me temën: “Pranimi i hebrenjve në Shqipëri: Periudha mbretërore - 1928-1939”, duke trajtuar shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri përgjatë periudhës së Holokaustit dhe Luftës së Dytë Botërore, që prej fillimeve historike të pranisë hebraike në tokën shqiptare e deri në përfundim të luftës.

Referimi, i pasur me dokumente dhe fotografi, ndalet në periudha kyçe si politikat e Mbretit Zog për pranimin e hebrenjve dhe arsyet e kësaj, projektet ndërkombëtare të viteve ’30 si me SHBA apo Lidhjen e Kombeve, ideja e “palestinizimit” të Shqipërisë apo dhe situata në periudhën e pushtimit nazist. Akademiku Shaban Sinani e përmbylli referimin me disa sugjerime për nisma të mëtejshme, mjaft të rëndësishme për t’u ndërmarrë, siç është përfshirja në programet mësimore e temës së shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, ndërkombëtarizimi i kësaj problematike, botimi i arkivave të Herman Bernstein (Ambasador i SHBA në Shqipëri), por dhe kryerja e studimeve pasuniversitare në këtë fushë.