Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Kultura

Helidon Haliti: Ekspozita “Kush mungon”, me themeluesit e arteve pamore dhe pedagogë të arteve

Helidon Haliti: Ekspozita “Kush mungon”, me themeluesit e arteve

Ekspozita “Kush mungon”, në galerinë e artit “Vilson Kilica” prezantoi punët e autorëve të njohur të artit pamor. Një ekspozitë në qytetin e Fierit, ku u ekspozuan punët e disa prej themeluesve të artit pamor shqiptar, si dhe pedagogë të arteve. Peizazhe me kolorite, natyra të qeta, piktura me motive tradicionale, etj, u prezantuan në ekspozitën “Kush Mungon”, në galerinë “Vilson Kilica” në Fier. Ekspozita që u çel në këtë stinë vere është një iniciativë e tre artistëve të njohur, Artan Markut skulptor me vendlindje nga Fieri, Mikel Temo pedagog pranë Universitetit të Arteve dhe e kuratorit Helidon Haliti. Kuratori Helidon Haliti shprehet se në këtë ekspozitë ishte një gërshetim i brezave. “Artistë të shquar që kanë themeluar artet pamore shqiptare si Vilson Kilica, që mban dhe e emrin galeria e Fierit, Ismail Lulani, Skënder Kamberi, Jorgji Gjikopulli nga brezat e parë të arteve pamore shqiptare dhe më pas gërshetohet me pedagogë të Universitetit të Arteve, si Ardian Isufi, Gazmend Leka apo Sadik Spahija”, tregon piktori Helidon Haliti, kurator i ekspozitës “Kush mungon”. Ekspozita në galerinë e artit në qytetin Fierit për rreth një muaj qëndroi për publikun, ku data 10 gusht sipas njoftimit më parë ishte dhe dita e fundit e saj. Kuratori Helidon Haliti thotë se ekspozita “Kush mungon” duket se erdhi me freskinë e saj këto ditë vere. “Një ekspozitë, që pasuroi dhe freskoi ditët e verës, si për të thënë që arti pamor është në zhvillim dhe nuk mungon. Është një premtim i mbartur për të ngjizur këtë dallim brezash para viteve ’90 dhe pas ’90. Ekspozita është kuruar për zhanrin e skulpturës nga Artan Marku, për pikturën tradicionale Mikel Temo dhe piktura kontemporane nga unë. Ekspozita një muaj hapur, si një ndalesë e këndshme dhe një lidhëse ndërmjet qendrës së Shqipërisë, veriut dhe jugut”, thotë më tej kuratori Haliti.

Ekspozita në një kohë të vështirë

Galeria “Vilson Kilica” në Fier është e njohur nga komuniteti artistik për aktivitetin, që zhvillon. Kuratori Helidon Haliti shton më tej se në dy salla u prezantuan punët e artistëve pjesëmarrës. “Një ekspozitë, e cila përqendrohet në dy salla. Në sallën e parë punët e artistëve, të cilët kanë themeluar artin pamor shqiptar dhe salla e dytë me punët e artistëve bashkëkohor, të cilët rrinë po aq mirë pranë këtyre emrave të mëdhenj. Një ekspozitë që bëhet në kohë të vështirë, nga Covid, por jam i bindur se impakti i saj do të jetë tejet i madh”, u shpreh gjatë këtyre ditëve kuratori Helidon Haliti. Por ndërsa në Fier është një galeri që mirëpret artistët e ndryshëm me veprat e tyre, kuratori Haliti vijon se ajo është ftuese e artit. “Galeria e Fierit është bërë, si një ftuese e artit pikturik. Një investim që bie shumë në sy dhe i munguar në qytete të tjera. Unë jam vetë nga kjo zonë do të doja që një galeri e tillë të ishte dhe në qytetin e Lushnjes apo Vlorës meqë ka zhvillim, duhet thënë se vetëm një galeri nuk mjafton”, vijon kuratori. Sipas Helidon Halitit nëse janë disa galeri arti, aq më shumë ndihmojnë në jetën artistike me krijimtarinë. Kuratori Haliti thotë se me ndërtimin e galerive të artit edhe aktivitetet artistike nuk do të ndalin. “Disa galeri bashkë do të bëjnë aktivitetet të mos ndalin, do të bëjnë të rinjtë që të krijojnë dhe që të bëjnë grupet e tyre për zhvillim të artit pamor, do të bëjnë që profesorët tanë të ndjehen mirë dhe të ekspozojnë pranë ish studentëve të tyre. Do të bëhet, që profesorët dhe pedagogët e arteve të ndjejnë, që dhe ata kanë një kontribut ndaj studentëve të tyre”, pohon kuratori Helidon Haliti. Ekspozita “Kush mungon” erdhi në vijim të atyre që janë hapur më parë, në këtë galeri arti.