Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Kultura

Ikona “Mbledhja e Kryeëngjëjve”, nga më të bukurat e ateliesë së vëllezërve Zografi

Ikona “Mbledhja e Kryeëngjëjve”, nga më të

Ikona “Mbledhja e Kryeëngjëjve” vlerësohet, si një nga më të bukurat e ateliesë së vëllezërve Zografi. Në një material të publikuara nga Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë shpjegohet rreth historikut të ikonës dhe përmbajtjes së saj. “Kjo ikonë, nga më të bukurat e ateliesë të vëllezërve Zografi është porositur për Manastirin e Shën Pjetrit dhe Pavlit në Vithkuq. Prezantimi i kryeëngjëjve është bërë në mënyrë ideale. Piktori është përpjekur të japë perspektivën. Në plan të parë shihen tre kryeëngjëjt. Në mes të kryeëngjëjve Gabriel dhe Mihail paraqitet brenda një rrethi Krishti Emanuel. Rrethi mbahet nga dy kryeëngjëjt dhe Krishti bekon me dorën e djathtë, ndërkohë që mban një pergamen të hapur me të majtën. Rrethi është dekoruar me kerubine”, thuhet në material. Në plan të dytë janë prezantuar katër engjëj, dhe në plan të tretë janë pikturuar pesë ëngjëj. Referuar materialit që ka publikuar Muzeu i Artit Mesjetar, më në thellësi shohim aureolat e ëngjëjve të tjerë, të cilat zvogëlohen duke u larguar duke i dhënë thellësi dhe perspektivë skenës. “Shumë interesant paraqitet fakti, që gjithë ëngjëjt kanë pothuaj të njëjtat tipare faciale, aq sa nuk mund të dallohen nga njeri-tjetri. Të gjithë ëngjëjt janë duke shkelur mbi re te bardha. Dy figurat e planit të parë janë punuar imtësisht prej piktorit, pa neglizhuar asnjë detaj. Kryeëngjëlli Mihail është pikturuar me shpatë dhe i veshur me kostum ushtarak, kurse Kryeëngjëlli Gabriel paraqitet me skeptër në dorë. Në pjesën e sipërme të ikonës paraqitet Ati i Shenjtë si një burrë i moshuar që del nga retë dhe bekon me të dy duart e tij. Prej tij buron drita e cila bie mbi ushtrinë e engjëjve”, vijon materiali i muzeut. Poshtë në krah të djathtë janë shkruar emrat e porositësve “Shërbëtori i Zotit Debiri dhe Avlona në vitin 1762 nga fshati Drenovë”. Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë është një vend mes modernes e të vjetrës, i cili, brenda ambientit të tij bashkëkohor, mban ende të gjallë frymën bizantine. I ndërtuar në vitin 1980 dhe rindërtuar në 2016, ai shtrihet përgjatë bulevardit “Fan Noli”. E vjetra dhe e reja bashkëjetojnë në mënyrë të natyrshme mes një harmonie ngjyrash. Pikërisht ky, muzeu më modern e më i ri në vend, ruan thesaret më të shenjta e të vjetra të cilat kanë mbijetuar e kaluar shumë pengesa për të arritur në vendin ku gjenden sot.