Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Kultura

Ikona “Shën Triadha me Shenjtorë” në muze, në proces restaurimi

Ikona “Shën Triadha me Shenjtorë” në muze, në

Ikona "Shën Triadha me Shenjtorë" është në proces restaurimi. Muzeu i Artit Mesjetar shprehet se kjo ikonë vjen nga kisha "Burimi Jetëdhënës" Korçë dhe ndahet në dy breza. “Në pjesën e sipërme paraqitet Trinia e Shenjtë, ndërsa poshtë katër shenjtorë të cilët kanë shkelur me këmbë dragoin. Nga e majta në të djathtë paraqiten në pamje ballore Shën Harallambi, Shën Vasili, Serafimi dhe Shën Gjergji. Një ikonë e ngjashme në kompozim është pikturuar nga Tërpo Zografi në vitin 1800”, bën me dije muzeu në Korçë. Muzeu i Artit Mesjetar, në Korçë, u përurua më 24 prill 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Eksponatet dhe fondet e pasura të tij përbëhen nga objekte historike, kulturore e artistike të periudhës mesjetare, që lidhen kryesisht me trashëgiminë e krishterë bizantine dhe pasbizantine. Ikonat, objektet prej guri, koleksioni i objekteve prej metalesh të çmuara, druri të gdhendur, tekstili, letre, etj, janë shembuj të një pasurie e larmie vlerash të paçmuara. Në veçanti, koleksioni ikonografik që ky muze posedon, është një nga më të mëdhenjtë në numër, rreth 6.500 ikona. Drejtimet kryesore të aktivitetit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar janë ekspozimi dhe promovimi publik, mbrojtja, konservimi dhe restaurimi i objekteve, studimi e puna shkencore dhe aktiviteti ndërkombëtar. Muzeu ka sallën e ekspozitës permanente me rreth 200 objekte arti, disa laboratorë ekzaminimi e konservimi, mjediset e fondeve dhe një infrastrukturë modeste mikroklimaterike. Në ekspozitë paraqiten një pjesë e veprave më të mira mesjetare  nga periudha e autorë anonimë apo të identifikuar. Kështu, midis tyre dallohen ikonat e shekullit  XIII-XIV, duke vijuar më pas me kryeveprat e kryemjeshtrat si Onufri, Nikolla, Onufër Qiprioti, Simoni i Ardenicës, Mësues Kostandini, Kostandin Jeromonaku, Kostandin Shpataraku, David Selenicasi, Vëllezërit Çetiri (Katro), vëllezërit Zografi e bijtë e tyre, si dhe të tjera vepra e autorë që kanë punuar në viset shqiptare  dhe jashtë tyre. Në mes të këtij koleksioni janë rreth 150 autorët ikonografë shqiptarë dhe të huaj të zbuluar deri sot.