BREAKING NEWS

PS vijon “luftën”, Presidenti drejt 'fundosjes'/ Zbulohet data e përfundimit të hetimeve për shkarkimin e Metës, ja kur përfundon puna e Komisionit Hetimor

PS vijon “luftën”, Presidenti drejt 'fundosjes'/
x

Kultura

Ikonën Shën Mëria me Krishtin dhe dy engjëj, në Muzeun e Artit Mesjetar

Ikonën Shën Mëria me Krishtin dhe dy engjëj, në Muzeun

Muzeu i Artit Mesjetar publikoi një foto të ikonës Shën Mëria me Krishtin dhe dy engjëj. Muze shprehet se është një ikonë shumë e veçantë e pikturuar nga Atelia e Zografëve. “Ikona i është dhuruar Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë nga vetë brezat e mëvonshëm të familjes Zografi. Kjo është një ikonë e familjes së piktorëve, prandaj edhe është shumë e veçantë në detaje. Ikona është vendosur mbi një kornizë shumë të bukur, e gdhendur në dru, korniza është pjesë përbërëse e ikonës dhe jo pjesë që i bashkangjitet asaj. Korniza është gdhendur me motive të Apokalipsit si: lule, gjethe, zogj e fruta të ndryshme. Në pjesën e sipërme të ikonës që përbëhet nga një zonë e vogël e ngushtë e harkuar në shtresën pikturale paraqitet Ati i Shenjtë ndërmjet reve puplore duke bekuar me të dyja duart”, thuhet në materialin e publikuar nga ky muze. Ikona në pjesën kryesore të saj paraqet Shën Mërinë të vendosur ndërmjet një kurore lulesh. Ajo është duke mbajtur në krah Krishtin e vogël të veshur me rroba shumë të dekoruara. Krishti është punuar në miniaturë duke mbajtur në njërën dorë sferën e botës, kurse në dorën tjetër mban skeptrin e shenjtë. Në kokë mban kurorën mbretërore. Në materialin shpjegues të ikonës, muzeu shkruan se një tipar shumë i veçantë që vërehet në këtë ikonë është pikërisht fakti që Shën Mëria, përveç Krishtit të vogël që mban në krahë, paraqitet duke mbajtur një lule në dorën tjetër. “Është pikërisht elementi i lules që thekson dhe shfaq pafajësinë e figurës së Shën Mërisë. Ajo paraqitet e veshur me një hiton shumë të bukur, të dekoruar me motive floreale si dhe me një mafor i cili kopsitet në gjoksin e saj me anë të një luleje. Në të dyja anët e Shën Mërisë prezantohen dy kryeengjëj duke mbajtur në duar elitarë dhe skeptrin e shenjtë. Të dy kryeengjëjt paraqiten të veshur me hiton dhe himation krahëve”, thuhet për ikonën. Gjithashtu një element tjetër shumë i veçantë që vërehet në këtë ikonë janë simbolet e profetëve të Shën Mërisë në çdo anë të saj. E dallueshme në këtë ikonë është edhe kurora e Shën Mërisë e pikturuar në detaje. Penelat në ngjyrë kafe përshkruajnë fytyrat e personazheve kryesorë, megjithëse tiparet e tyre janë elegante dhe humane. Ikona në fund përmban nënshkrimin me vitin e punimit 1745.