Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ilirian Ali: Artistët në Shqipëri të nënvlerësuar, Ministria e Kulturës të konsultohet me specialistët për hartimin e ligjeve

Postuar: 17/08/2018 - 07:25

 Teatri në vend larg vëmendjes së shtetit dhe artistët përballen me jo pak vështirësi në zhvillimin e jetës artistike. Jo vetëm në Tiranë që teatri ka probleme, por dhe në rrethe investimet e munguar apo dhe buxhetet e pakta ndikojnë në jetën artistike. Aktori Ilirian Ali tregon se aktorët sot në vend janë të nënvlerësuar dhe po mbijetojnë me sakrifica. Kjo për shkak të politikave që nuk kanë ndikuar në zhvillimin e jetës artistike. Në intervistën për “SOT” aktori Ilirian Ali, i cili prej dekadash është pjesë e jetës artistike të teatrit pohon se problem vijon të jetë dhe mungesa e transparencës dhe ligjeve për teatrin. Sipas tij, Ministria e Kulturës duhet të hartojë ligjet me njerëz që kanë eksperiencë dhe të vijojnë konsultimet me grupet interesit. Për aktorin problem mbetet dhe mungesa e mbështetjes për festivale të ndryshme teatrore që zhvillohen në vend. Sipas aktorit ka një problem për aplikimet që bëhen pranë Ministrisë së Kulturës, duke kërkuar që kjo të rregullohet me ligj. Pjesë e intervistës me aktorin Ilirian Ali është dhe puna me festivalin ndërkombëtar të monodramës që u zhvillua për disa edicione në qytetin e Vlorës. Në katër edicione të tij në qytetin e Vlorës në festival kanë marrë pjesë jo vetëm aktorë nga Shqipëria, por dhe nga Greqia, Bosnja, Maqedonia, nga Tetova, Prishtina. Festivali sipas tij   kishte një kosto minimale për zhvillimin, por nuk gjeti mbështetje financiare. 

-Si ka qenë për ju ky sezon artistik, që kaloi me shfaqjet në teatrin ku punoni?

Në teatrin e Vlorës kemi pasur shfaqje dhe aktivitete të tjera. Para pak kohësh vumë në skenë një pjesë teatrore me regji nga Arben Kumbaro me titull “Në dorë të fatit”. Vepra ishte shkruar nga një autor i ri, që quhet Ledian Gjeçi. Ishte një komedi shumë e mirë, një komedi situatash, me një problematikë të lojërave të fatit. Me këtë shfaqje teatrore ne si trupë artistike morëm pjesë dhe në festivalin teatror “Flaka e Janarit”, që u zhvillua në Gjilan, Kosovë. Më pas në skenën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë ishte vepra teatrore “Senatori Fox” e autorit Luigi Lunari me regji nga Roand Minga, që gjithashtu u mirëprit nga publiku dhe doli sukses. Më këtë shfaqje ne po përgatitemi, që do të shkojmë dhe në festivale teatrore. Përmend këtu atë të Tiranës, që do të bëhet një festival kombëtar dhe më datë 4 shtator me komedinë shqiptare “Në dorë të fatit” do të jemi në festivalin e komedisë në qytetin e Korçës. Ndërkaq që në sezonin artistik, që do të vijë do të jetë edhe një vepër teatrore, që e sjell një regjisore nga Kosova. Një vepër, që titullohet “Burri i gruas sime” shkruar nga Milo Gravran. Me sa di është një projekt, që është i ftuar në Ministrinë e Kulturës.

-Ju vetë po punoni për një vepër teatrore në teatër, për çfarë bëhet fjalë?

Unë vetë personalisht jam duke punuar një pjesë teatrore të një autori italian, që titullohet “Ligji themelor i budallallëkut njerëzor”. Është një alegori, pjesë interesante dhe po punoj për ta sjellë në skenë. Teatri jonë është aktiv në Vlorë dhe ka dhënë shfaqje, ka pasur dhe angazhime në sezonin turistik të qytetit. Ne japim shfaqje si artistë edhe në ambientet e Lungomares e Vlorës për sezonin turistik.

-Shpërblimi për figurën artistike është një nga kërkesat e artistëve, dhe ju më herët keni pohuar se duhet të rikthehet. Si ndikon kjo për ju si artistë?

Edhe në Teatrin Kombëtar me sa di unë nuk funksion më shpërblimi për figurën artistike për artistët, ajo është hequr prej vitesh. Kjo ka qenë një nga kërkesat tona si artistë që të rikthehet, por tani thuhet nëse je aktor në teatër je i punësuar dhe merr pagën nuk të jepet më shpërblimi për figurën artistike. Sigurisht që nuk është e drejtë për ne, por kjo i takon institucioneve që ta rregullojnë. Por teatri në vendin tonë ka shumë probleme, e shikojmë që është jashtë vëmendjes nga politika dhe shteti . Megjithatë shpresojmë që të ndryshojnë gjërat. Shpresojmë që të rregullohen problemet edhe nga ana ligjore për teatrin në vend, që vuan edhe nga buxhetet e pakta për jetën artistike dhe investimet mungojnë.

-Ju keni zhvilluar për disa vite festivalin e monodramës në Vlorë, u ndërpre për mungesë fondesh. Ju si organizator prej vitesh i festivalit me çfarë u përballët?

Më vjen shumë keq që festivali im që e zhvillova për katër edicione u ndërpre. Ka qenë unik, por nuk pati mbështetje financiare. Edhe gjatë zhvillimit festivali ka pasur një investim minimal për të mos rënduar dhe buxhetin. Zhvillova katër edicione me shumë cilësi dhe po ta shikosh produktin tënd se si vjen në rritje gradualisht është me të vërtetë emocionale. E nisa fillimisht me mendimin se nuk do të arrijë, nuk do ta preferojnë dhe arrita deri aty saqë në orën 11 e 30 jepnin shfaqje dhe salla e teatrit mbushej. Kam sjellë aktorë nga Greqia, Bosnja, Maqedonia, nga Tetova, Prishtina dhe kishte një kosto minimale si festival, por Ministria e Kulturës nuk më ka mbështetur.  Aty ku kam paraqitur projekte për festivalin e monodramës më është pohuar se ka dhe një konflikt interesi për të marrë fonde, sepse nëse je në punë në teatër nuk mundet të marrësh financim. Unë kam një kompani teatrore dhe isha me licencë, por e kam mbyllur sepse quhet konflikt interesi nëse vijoj me të dhe ndërkohë unë aplikoj për projekte sepse jam aktor teatri. Pra nëse je i shkëputur nga teatri mund të bësh aplikime dhe më pas mund të përfitosh fond. Por këto janë gjëra që unë me thënë të drejtën nuk jam shumë dakord. Për fat të keq investimet i kanë hequr fare dhe përfitojnë vetëm ata që vijnë nga jashtë. Përshembull një regjisore, që vjen tek ne ka fituar projekt në ministri dhe do ta vendosë në skenën e teatrit të Vlorës shfaqjen teatrore. Pra e përfitojnë këtë gjë ata që janë të jashtëm, dhe jo ata që janë të brendshëm në teatër. Kjo duhet rregulluar nga ana ligjore. Duhet të rregullohen këto probleme që të kenë mundësi, që nga çdo teatër të aplikojnë pranë Ministrisë së Kulturës.

 

-Për ju sa vlerësohet sot artisti?

Aktorët në përgjithësi kanë mbetur jashtë vëmendjes së pushtetit vendor, por edhe atij qendror. Mbase e kanë si një strategji të tyre, dhe ndoshta se si e kanë menduar edhe për ta lënë në harresë. Nuk e di se si e kanë menduar politikanët tanë, Ministria e Kulturës,  por unë di që aktorët janë të përçmuar, janë të nënvlerësuar dhe mbijetojnë me sakrifica të mëdha. Ka një kontradiktë të madhe, aktori i Teatrit Kombëtar e merr këtë titull vetëm se ka lindur në Tiranë apo dhe ka filluar punë në atë institucion, ndërkohë që aty nuk është bërë asnjë audicion. Ne kemi probleme, sepse sot artistët nuk kanë status. Është një situatë problematike dhes sigurisht që janë politikat shtetërore që ndikojnë. Ministria e Kulturës kur bën politikat për teatrin duhet ti hartojë me specialistë, që e njohin teatrin dhe kanë eksperiencat e tyre. Njerëzit që merren me ligjet të jenë me një eksperiencë dhe kulturë. Ministria e Kulturës ka një staf jo të plotësuar si duhet për të hartuar ligjet, jo kush mbaron shkollën ulen dhe hartojnë ligje. Ministria e Kulturës të marrë njerëz, që të kenë jetë profesionale. Aktorët sot nuk vlerësohen, trajtohen me sytë e njerkës. Janë hequr projektet, investimet, etj. Nuk po themi ndonjë gjë të jashtëzakonshme, por problemet dihen në teatrot e vendit.

-Organizatorët e festivaleve dhe aktiviteteve kulturore pohojnë se nuk kanë mbështetjen, që presin nga Ministria e Kulturës. Sa shqetësuese është kjo?

Ne vijojmë me probleme në jetën artistike dhe kulturore. Në Kosovë ka festivale teatri në qytete të ndryshme. Na vjen mirë, që do të bëhet një festival teatri në Tiranë dhe të shikojmë se si do të zhvillohet. Artistët duhet të punojnë dhe të mos ngelen në heshtje, puno dhe dil në skenë. Tek ne kanë pak mundësi. Kur gjejnë mundësi dhe nga bashkitë organizohen festivale teatrore. Por dhe Ministria e Kulturës ka përgjegjësinë e saj. Nuk mund të lërë pa mbështetje artistët dhe dihen problemet me fondet apo dhe se si shpërndahen. Ne kemi problem në institucionet tona dhe mungesën e transparencës. Kjo nuk çalon në teatrin tonë në Vlorë, por më shumë e shikojmë në ministri që merren me projektet dhe buxhetet. Edhe unë pata një festival monodrame dhe më vjen shumë keq që nuk po e zhvilloj më. Kam zhvilluar katër edicione dhe kur të mbushet salla për të parë një shfaqje me një aktor nuk është pak, për mua është sukses. Por nëse në bashki na thanë nuk kanë mundësi financimi, edhe nga Ministria e Kulturës ne nuk gjetëm. Por unë nuk do ta lë me kaq, sepse kam dhe njerëz që interesohen për festivalin dhe dua ta vijoj. Por situata tani për tani nuk e bën të mundur zhvillimin e festivalit të monodramës në Vlorë.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 7

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/09/2018 - 09:41

Ambasada Franceze fton në Tiranë kompaninë “Transe Express” e themeluar më 1982, e cila konsiderohet si një nga kompanitë më të rëndësishme në Francë dhe në Evropë të cirkut dhe performancës, të prezantojë

Postuar: 25/09/2018 - 08:05

Këtë rradhë grupimi i piktorëve pleneristë nga Shqipëria ishin të ftuar nga disa komuna të jugut

Postuar: 25/09/2018 - 07:59

Opera “Carmen” zyrtarisht realizon aktin e parë të protokollit të bashkëpunimit të TO

Postuar: 25/09/2018 - 07:57

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, cilësuar si ngjarja më e rëndësishme teatrore e vitit ka nisur

Postuar: 23/09/2018 - 08:05

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit nis mbrëmjen e sotme dhe është cilësuar si ngjarja më e rëndësi

Postuar: 23/09/2018 - 08:03

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” sjell premierën e re “Kumt&rdqu

Postuar: 23/09/2018 - 07:58

Krijimtaria në vend nuk mbështetet sa duhet për zhvillimin e saj, por problem mbetet dhe zbatimi