BREAKING NEWS

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme të vendit/ Kallëzohen 7 funksionarë publikë në Prokurori. Kush janë zyrtarët e lartë dhe akuzat që rëndojnë mbi to

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme
x

Kultura

Instalacioni “Thurje Handmade” ekspozohet në Pavionin e Artit, produktet punuar nga artizanët

Instalacioni “Thurje Handmade” ekspozohet në Pavionin e Artit,

Instalacioni “Thurje Handmade”, u ekspozua në “Pavionin e Artit” në Ministri të Kulturës. Instalacioni është pjesë e ekspozitës së radhës në këtë hapësirë për artistët, dhe ai është realizuar nga Mikaela Maçka, e cila ka mbaruar studimet e larta për arkitekturë në Itali. Në materialin shpjegues të ekspozitës, thuhet se produktet e ekspozuara këtë herë në “Pavionin e Artit” pranë Ministrisë së Kulturës janë punuar nga artizanët e përzgjedhur të Korçës. “Në teknikën e punimit me grep, tezgjah, teknika të cilat janë përdorur për krijimin e qilimave prej leshi dhe rrogozëve prej litari dhe spango lini, gjerësisht të përhapur në vendin tonë dhe që konsiderohen si element përfaqësues kombëtar, që vijnë si inovacion me origjinë në teknikat tradicionale të punimit me dorë”, thuhet për ekspozitën nga njoftimi i ministrisë. Pjesë e instalacionit “Thurje Handmade”, janë punimet e tre koleksioneve të saj si ai: Bllok, Hare, Lin, të cilat rizbulojnë bukurinë e teknikave artizanale, duke ofruar një koleksion të produkteve të punuar me dorë me dizajnin e rinovuar. Ekspozita u hap të mërkurën në “Pavionin e Artit” pranë Ministrisë së Kulturës dhe risia e ekspozitës “Thurje Handmade”, qëndron në rrjetëzimin e artizanëve të talentuar shqiptarë dhe gjeneratës së re të dizajnëve, duke i ofruar atyre një fushë të re për eksperimentim dhe krijim, si edhe artizanët duke i motivuar të punojnë jashtë zonë së tyre të konfortit, me ide të reja që vijnë nga brezi i ri me qëllim prezantimin e një vizion të ri për produktet made in-Albania, që kanë vlerë historike-kulturore. Mikaela Maçka prej vitesh ushtron profesionin e saj në Shqipëri, dhe një veprimtari të gjerë me motrën e saj Xhorxhina Maçka, në fushën e artit në ngjizjen e idesë së “Thurje Handmade”, markë e produkteve artizanale, i cili është mbështetur nga projekti i EU for innovation, Challenge (financuar nga Bashkimi Europian, BZM dhe Sida, dhe implementuar nga GIZ dhe Ambasada Suedeze në Tiranë) që prej muajit qershor 2020.

Artistët në hapësirën “Pavionit të artit”

Projekti “Pavioni-art në institucionet publike”, disa muaj më parë u prezantua si një iniciativë e re e Ministrisë së Kulturës. Më herët sipas ministrisë, ky projekt synon promovimin dhe zhvillimin e artit në hapësirat e institucioneve publike shqiptare, me qëllim përfshirjen dhe aktivizimit e artistëve bashkëkohorë lokal. Ministria e Kulturës vendos në dispozicion të projektit “Pavioni” hapësirën e hollit kryesor të saj. Deri tani në këtë hapësirë ekspozimi në Ministri të Kulturës janë prezantuar me ekspozita të ndryshme disa artistë bashkëkohorë. Artisti i parë i ftuar në këtë mjedis ishte Genti Korini, i cili u prezantua me instalacionin e tij të ri “Fqinj- i Huaj -Fqinj…”. Instalacioni “Fqinj- i Huaj- Fqinj…” merrte në konsideratë kangjellat kaq të pranishme në hapësirën urbane të Tiranës. Ato funksionojnë si kufizues, ndarës, shënjues të pronës private. Ky instalacion propozon një koreografi të re për këto objekte, duke ua zhveshur në këtë mënyre rolin e tyre parësor “përjashtues kërcënues”, e duke u dhënë një rol të ri lidhjesh e përsëritjesh. Në “Pavionin e Artit” më parë me veprat e tij ishte dhe artisti Oltsen Gripshi me ekspozitën e tij. Një ekspozitë fund e krye kushtuar jetës, himnit të jetës apo stinëve të qenies. Ekspozita “Stinët e qenies apo himni i jetës”, që u hap në “Pavionin e Artit”, formësohej nga dimri, pranvera, vera dhe vjeshta. Artisti e fillonte nga dimri me një simbolikë shumë të veçantë dhe personale, jorganin e pajës së nënës së tij. Kjo ekspozitë sipas artistit kishte marrë jetë pas tërmetit të nëntorit 2019, ku shtëpia e tij u rrënua e gjitha.