BREAKING NEWS

Më shumë të shëruar sesa raste të reja! Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Më shumë të shëruar sesa raste të reja! Ministria e
x

Kultura

Jaho Brahaj: Dosja për në UNESCO punë e lavdërueshme por gjysmake, ne duhet të kemi një Ministri Kulture që t’i shërbejë trashëgimisë

Jaho Brahaj: Dosja për në UNESCO punë e lavdërueshme por

Ministria e Kulturës duhet që t’i shërbejë trashëgimisë sonë. Sipas studiuesit Jaho Brahaj puna nuk quhet vetëm me plotësimin e dosjeve për në UNESCO, edhe pse ai e vlerëson. Studiuesi Brahaj shprehet se flitet për dosje që do të dorëzohen në UNESCO, por veprimtari apo studime që kanë lidhje me xhubletën apo dukuri të tjera kanë munguar. Reagimi i studiuesit të njohur vjen në një kohë kur nga Ministria e Kulturës pak ditë më parë u bë me dije, se u firmosën më datë 30 mars formulari shoqërues i dosjeve për kandidimin e dukurisë së “Kcimit të Tropojës” për "Representative List of Intangible Cultural Heritage of Humanity" (lista përfaqësuese e dukurive të trashëgimisë kulturore jo materiale te njerëzit) dhe dijebërjes së xhubletës për në listën e dukurive në rrezik (Urgent Safeguarding List). Studiuesi Jaho Brahaj thotë se me rëndësi është dhe për të menduar dhe për çfarë bëhet sot për ta përcjellë këtë trashëgimi te brezi i ri. “Bërja e dosjes është një punë e lavdërueshme, por një punë gjysmake, sepse puna konkrete duhet të bëhet në vendin tonë për ruajtjen e trashëgimisë, ruajtjen e xhubletës, për ruajtjen e dijenive, për regjistrimin e atyre dijenive të gjitha me dosje të plota me imtësi. A kemi ne studime për motivet e xhubletës, që kanë përmbajtje kulti, përmbajtje mitologjike dhe estetike sepse janë ngjyrat e ndryshme, etj? Çfarë bëjmë ne që brezi i ri që po rritet ta njohë si pasuri të tijën dhe të trashëgohet dhe tek brezat, që vijnë si dashuri në vazhdimësi?”, shprehet Brahaj në një reagim të tij. Me rëndësi sipas tij është të dihet dhe pse ka ekzistuar xhubleta deri në ditët tona. Studiuesi Brahaj thotë se ajo erdhi deri në ditët tona, sepse jetonte mjedisi ku ajo mund të gjallonte. “Ka qenë koha, mënyra e banimit, komunitetet që kanë qenë të mbyllura, por dhe teknologjia që nuk kemi pasur industri dhe çdo gjë prodhohej në shtëpi, që u arrit të ruhej xhubleta deri në ditët e sotme. Por çfarë bëjmë sot për këto? Asgjë”, shprehet ai.

Detyrat për trashëgiminë

Xhubleta sipas studiuesit Jaho Brahaj është një pasuri e jashtëzakonshme me rrënjë, që nga lashtësia. Por ai thotë se ne sot kemi një Ministri Kulture që nuk duhet të mjaftohet vetëm me dosjet për në UNESCO, pasi kanë munguar dhe studimet më parë. “Dosja për xhubletën është përgatitur, por për të nuk është bërë asnjë aktivitet, veprimtari apo studim tjetër. Është vetëm dosja për ta çuar jashtë. Për detyrat që kemi ne këtu brenda vendit për trashëgiminë askujt nuk i ka rënë mendja. Ne duhet të kemi një Ministri Kulture që duhet ti shërbejë trashëgimisë sonë”, thotë ai. UNESCO sipas studiuesit Jaho Brahaj mund të japi mendime për ekzemplarë të rrallë, apo projekt, por shteti ynë me fondet që ka duhet të tregojë më shumë vëmendje për trashëgiminë tonë, pjesë e së cilës është dhe xhubleta shqiptare. “Edhe nëse e fut UNESCO ajo mund të japë mendim për ekzemplarë të rrallë, mund të japi dhe një projekt për ta studiuar, por ne si shtet që kemi Ministri Kulture, që ka dhe fondet çfarë bëjmë për këtë pasuri të trashëgimisë sonë? Asgjë. A kemi ne sot një qendër muzeale ku mund të shkojë qoftë një qytetar i Shqipërisë apo dhe një i huaj dhe të njihet me çfarë është xhubleta? Si prodhohet, cilat janë mjetet e punës, teknologjia e ngjyrosjes, etj. Struktura e xhubletës duhet të ruhet siç ka qenë, dhe kjo strukturë të ketë dhe një qendër muzeale dhe ti shërbejë njohjes së brezit të ri”, thotë mes të tjerave Jaho Brahaj. Një grup pune i ngritur nga Ministria e Kulturës është marrë me përgatitjen e dosjes së xhubletës për në UNESCO.