BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Kultura

 Jaho Brahaj: Shteti duhet të bëjë më shumë për studiuesit dhe personalitetet e vendit, duhet vëmendje më e shtuar ndaj albanologëve

 Jaho Brahaj: Shteti duhet të bëjë më shumë

Studiues e personalitete të tjerë, që kanë dhënë një kontribut të madh në fushat që ata kanë punuar duhet të marrin më shumë vlerësim nga shteti dhe institucionet. Personalitete të fushave të ndryshme duhet që të jenë në vëmendje të institucioneve, jo vetëm me ribotime të veprave të tyre por dhe me vlerësime. Kështu shprehet studiuesi Jaho Brahaj, ku sipas tij edhe pse ka figura që janë vlerësuar ende ka për të bërë në këtë drejtim. Me shumë vlerësime Brahaj përmend dhe akademiken e parë shqiptare, etnologen Andromaqi Gjergji, për të cilën u zhvillua dhe një veprimtari. Në reagimin e tij Brahaj thotë se studiuesen Andromaqi Gjergji e ka njohur vite më parë, madje dhe ka botuar një intervistë për të në 1994. Studiuesi Jaho Brahaj tregon etnologia Andromaqi Gjergji ka bërë studime të jashtëzakonshme në aktivitetin e saj. “Mendoj se shteti jonë për studiuesit dhe personalitetet e vendit duhet të bëjë më shumë, edhe Akademia e Shkencave mund të bëjë dhe një përzgjedhje duke iu botuar serinë e veprave të tyre, që janë vepra studimore të albanologjisë. Studiuesit që kanë lënë vepra shkencore themelore për albanologjinë duan më vlerësim nga institucionet, qoftë dhe ribotim të studimeve të tyre. Andromaqi Gjergji i ka të botuara veprat, por ajo ka gjithë ato studime që janë të jashtëzakonshme të botuara në revista shkencore të ndryshme dhe ato është tepër e domosdoshme për ne dhe kombin, për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi që të jenë vepra në disa vëllime, aq sa mund të botohen. Kjo është kontribut i tyre, që është bërë për tu lexuar dhe studiuar”, shprehet Jaho Brahaj. Në lidhje me vlerësimin që duhet ti bëhet personaliteteve të ndryshme shqiptarë, studiuesi Brahaj vijon më tej se edhe bashkitë mund të bëjnë në këtë drejtim. “Mund ti jepet një rruge në Korçë emri etnologes Andromaqi Gjergji, sepse janë personalitete që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme dhe krijuan brezin tjetër të studiuesve, etnologëve, etj”, shprehet Jaho Brahaj, studiues.

Aktiviteti për akademiken

Me rastin e 11 shkurtit, Ditës ndërkombëtare të grave dhe vajzave në shkencë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Rrjetin Shqiptar të grave në Shkencë organizojnë veprimtarinë solemne “Të jesh e para në traditë”, kushtuar akademikes së parë shqiptare, etnologes Andromaqi Gjergji. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm kryetari i ASH-së, akad. Skënder Gjinushi dhe një numër i kufizuar profesorësh e akademikësh pjesëmarrës në sallën “Aleks Buda”. Andromaqi Gjergji ishte etnologe, profesore, akademike. Lindi në Korçë, ku kreu dhe shkollën e mesme. Në vitet 1947-1949 ndoqi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik dyvjeçar të Tiranës dhe filloi punën në sektorin e etnografisë në Institutin e Shkencave. Më vonë plotësoi studimet e larta dhe u diplomua në degën e historisë të UT. Vijoi punën si etnologe në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, dhe më vonë në Institutin e Kulturës Popullore. Andromaqi Gjergji është studiuese e specializuar në fushën e veshjeve popullore shqiptare. Rezultatet e kërkimeve të gjata shkencore në terren (1949-1981) dhe të studimeve të saj i ka pasqyruar në një varg artikujsh dhe në veprën përgjithësuese: “Veshjet shqiptare në shekuj” (Tiranë, 1988). Një numër studimesh të saj i kushtohen mënyrës së jetesës, kushteve materiale të jetës familjare e shoqërore, sidomos në fshat, duke trajtuar edhe disa mbijetoja të hershme. Një pjesë e tyre është përmbledhur në vëllimin: “Mënyra e jetesës në shekujt XIII-XX” (Tiranë, 2002). Është bashkautore në veprat: “Histori e artit shqiptar” (1990), “Veshje Popullore Shqiptare - Albanian Popular Costumes” (vëll. I, 1999; vëll. III, 2005), “Albania a Patrimony of Europian Values” (2000), si dhe në tekstet mësimore: “Historia e artit shqiptar” (1990), “Veshje popullore” (1989) dhe “Ligjërata për etnologjinë shqiptare” (2001, ribotim 2005). Ajo ka dhënë ndihmesë me vlerë edhe në fushën e muzeologjisë. Andromaqi Gjergji është e para grua anëtare e ASHSH (1999). Është dekoruar me urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”.