BREAKING NEWS

E trishtë/ I shtruar prej ditësh në spital, COVID-19 i merr jetën ish-ushtarakut të lartë (EMRI+FOTO)

E trishtë/ I shtruar prej ditësh në spital, COVID-19 i merr
x

Kultura

Jeta në karantinë e piktorit të njohur Abaz Hado, të krijosh mbi një realitet absurd

Jeta në karantinë e piktorit të njohur Abaz Hado, të krijosh

Përjetimin e kësaj kohe për shkak të pandemisë globale piktori dhe grafisti i njohur Abaz Hado e përcjell përmes punëve të tij më të fundit. Ditët në karantinë piktori i sjell në vizatimet, që ka bërë gjatë kësaj kohe të qëndrimit të shtëpi. Tirana pa makina, pa lëvizje, si kalojnë këto ditë në shtëpi apo dhe marrëdhënia me njerëzit janë në punët e tij. Gazeta “SOT” sjell ekskluzivisht për herë të parë vizatimet e grafistit, që janë bërë gjatë këtyre ditëve të qëndrimit në karantinë. Duke punuar nga shtëpia, piktori dhe grafisti i njohur Abaz Hado tregon se ka bërë disa vizatime, që i përkasin asaj që na rrethon. “Si gjithë të tjerët edhe unë i jam nënshtruar rreptësisht karantinimit dhe po e mbaj atë në mënyrën maksimale për shumë arsye. Por dhe duke e shfrytëzuar këtë kohë në karantinë, kjo ka qenë një moment shumë i mirë që ne të bëjmë dhe punët që na kërkohen në punën tonë, por edhe për të prodhuar ide dhe për tu marrë me krijimtarinë tonë në art. Në këtë kuadër kam bërë disa vizatime, disa akuarele që i përkasin asaj që është rreth e qark shtëpisë, për të dhënë atë mënyrë se si ne nga brenda shohim mjedisin jashtë, i cili vërtetë është një mjedis pa zhurmë, pa lëvizje, pa qarkullim, pa makina. Unë këtë jam përpjekur që ta jap përmes krijimtarisë sime”, tregon grafisti Abaz Hado “Mjeshtër i Madh” për punën me krijimtarinë. Vizatime të ndryshme që përcjellin gjendjen e kësaj kohe të qëndrimit në karantinë për shkak të pandemisë globale nga Covid-19, grafisti Abaz Hado i njohur dhe i vlerësuar për aktivitetin e tij tregon se me kapërcimin e kësaj gjendje këto punë do të jenë pjesë e një ekspozite personale të tij. “Kam bërë disa vizatime për këtë që po kalojmë dhe besoj që unë mund të hap një ekspozitë me këto mbresa nga kjo kohë, por gjithmonë pasi të mbyllet ky proces”, tregon ai.

 Vizatimet dhe grafikat

Gjatë kësaj kohe kur artistët janë angazhuar duke përcjellë sa munden nga arti i tyre, grafisti Abaz Hado tregon se ai në të gjithë punët e tij i referohet kësaj kohe të pandemisë. Një kohë me rregulla që duhen ndjekur për shkak të pandemisë, por artisti tregon se ka sjellë në vizatimet e tij momente, ku të gjithë merren me veten e tyre sipas mënyrave të ndryshme. Grafisti pohon se nuk ka sjellë momente për ti personalizuar, pasi aty e gjen veten shumëkush. “Unë i referohem nganjëherë asaj që bëjmë ne në shtëpi, bisedat në familje, kafeja që pimë. Kur ime shoqe gatuan apo kur jemi bashkë me fëmijët. Pra unë jam përpjekur të jap disa nga këto momente, sigurisht jo për ti personalizuar, por sepse besoj kjo marrëdhënie ndodh në të gjithë këto kohë, nganjëherë ka dhe stres, diku ndihet dhe ndonjë person i stresuar, dikush bën punët e shtëpisë, një tjetër pret të bëhet dreka. Pra të gjithë janë duke u marrë me veten, sipas mënyrës së tyre për ta kaluar këtë që po kalojmë dhe për t’iu shmangur një stresi, që në këto raste është i pranishëm”, vijon piktori dhe grafisit Hado. Një Tiranë pa lëvizje si dikur, ku pritet gjithçka të rinisë si më parë në jetën e kryeqytetit, por këto punë gjatë kësaj kohe nuk do të mbesin vetëm vizatime, pasi grafisti Abaz Hado tregon se në të ardhmen do të jenë grafika. “Në kronikat televizive apo dhe atë që ne shikojmë rreth e qark në lagjet tona, ku makinat kanë ndaluar dhe janë të rreshtuara tregon që nuk ka njerëz. Janë të gjitha të fikura, të mbyllura dhe pritet rindezja e tyre. Kjo shihet në disa pikëpamje dhe disa nga ato vizatime, që unë kam bërë në të ardhmen do të jenë edhe grafika. Por përgjithësisht unë shoh raportin psikologjik, që jam futur në këtë mjedis rreth e qark. Sigurisht që unë i përkas një natyre optimiste, por në momente të caktuara edhe ne futemi në një lloj ngërçi ose në një lloj kapjeje, prekje e stresit”, shprehet mes të tjerave dr. Abaz Hado “Mjeshtër i Madh”.

 

Kjo kohë për njerëzit

Grafisti Abaz Hado tregon se koha kalon jo vetëm me krijimtarinë, por dhe duke lexuar, vizatuar, etj. Hado thotë se kjo kohë bëri që të gjithë në familje të kenë mundësi të kalojnë më shumë së bashku. “Sigurisht që unë jam mësuar të rri brenda me orë dhe në krijimtari nuk është ndonjë problem i madh, por shikoj që njerëzit që janë rreth meje e kanë këtë, ku brenda një mjedisi të mbyllur ka një lloj ndikimi stresant, por kjo kalohet me biseda të këndshme, me filma, me libra. Unë gjatë gjithë kohës jam në punë, ose në krijimtari duke vizatuar, ose duke lexuar apo duke shkruar, sepse për fat siç e thashë kemi angazhimet tona”, shprehet ai. Duke folur për qëndrimin gjatë kësaj kohe në shtëpi, grafisti i njohur thotë se këto janë prova të mëdha, që kalojnë njerëzit e familjes bashkë. “Nëse këto kalojnë në harmoni është një gjë e bukur, sepse forcohet lidhja me njëri-tjetrin. Nëse ne dje kalonim pak kohë me mjedisin familjar, sot jemi 24 orë bashkë dhe e kupton se çfarë dashurie shkëmbejmë me njëri-tjetrin në këto kushte”, thotë ai. E ndërsa krijimtaria është çdo ditë në punën e tij, piktori Abaz Hado shpreh shumë vlerësime për mjekët. Ai pohon se ka mbetur i mrekulluar me mjekët shqiptarë jo vetëm brenda vendit, por dhe jashtë. “Mua më bën përshtypje heroizmi i shumë mjekëve, të cilët kanë qenë të heshtur në punën e tyre dhe sot janë evidentuar si personalitete. Është për tu theksuar se sa shumë mjekë të specializuar që kemi jo vetëm në Shqipëri, por dhe në të gjithë vendet e botës. Unë jam habitur dhe kam mbetur i mrekulluar, që në mjekësi ne kemi bërë hapa kaq gjigande dhe kaq njerëz të zot, që kemi anembanë botës. Kjo është një fitore. U desh një rast i tillë për të parë potencialet, që ka ky popull, potencialet që kanë njerëzit dhe intelektualët në këtë vend”, vijon Hado.

 Aktivitetet gjatë kësaj kohe

Duke folur për punën që kanë bërë artistët gjatë kësaj kohe, grafisti Abaz Hado vlerëson dhe nismat që ka ndërmarrë Bashkia e Tiranës, duke angazhuar artistët me aktivitete të ndryshme, që janë prezantuar për qytetarët. “Ju keni parë gjatë kësaj kohe edhe nismat që ka ndërmarrë Bashkia e Tiranës me koncertet, qendra TEN ka bërë aktivitete, etj. Në një farë mënyre jetët tona tashmë të shihen edhe me një sy tjetër, është formuar një koncept tjetër i një marrëdhënie që nuk është gjithmonë kontakti, por është dhe virtualiteti që mund të japë mundësi të bësh gjëra të bukura dhe këto raste janë fatlume, sepse të japin mundësi që të zbulosh potenciale të jashtëzakonshme dhe ide që të prodhohen projekte, që i shërbejnë dhe të ardhmes”, përfundon dr. Abaz Hado “Mjeshtër i Madh”. Abaz Hado është piktor, grafist, studiues dhe menaxher arti. Ai kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë për Pikturë Monumentale dhe u specializua si kritik arti. Punimet e tij ndodhen në GKA Tiranë dhe në mjaft koleksione private në Itali, Japoni, Austri, SHBA, Norvegji, Gjermani etj.