BREAKING NEWS

Do kandidojë në Durrës përballë Bashës? Vjen reagimi i papritur i kryeministrit Rama: Mos hapni llafe kot. Ja cilin qytet kam zgjedhur

Do kandidojë në Durrës përballë Bashës? Vjen
x

Kultura

Jorgaq Tushe: Aktorët nuk duhet të jenë rrogëtarë, teatrot duhet të vlerësojnë projektet, sot janë këputur edhe hallkat për elementin e ri në art

Jorgaq Tushe: Aktorët nuk duhet të jenë rrogëtarë,

Regjisori dhe aktori Jorgaq Tushe edhe pse në kohë pandemie ka vijuar me punë e tij me teatrin. Një nga emrat, që për dekada me radhë ka dhënë një kontribut të madh në jetën artistike të teatrit dhe me angazhime dhe në kinematografinë shqiptare, artisti shprehet se gjatë kësaj kohe ka në vëmendje aktivitetin teatror me të rinjtë. Në intervistën për gazetën “SOT” regjisori Jorgaq Tushe flet për jetën artistike këtë kohë, si ndikoi pandemia dhe tregon se po vazhdon të punojë për një komedi të re me të rinjtë. Problem për aktorin është sistemi sot në teatrot në vendin tonë. Sipas tij një aktor është rrogëtar, ndërsa thotë se duhen bërë ndryshime në të mirë të aktivitetit artistik. Duke folur për jetën artistike, regjisori dhe aktori Jorgaq Tushe ndalet dhe në aktivitetin para ndërrimit të sistemit në vend dhe çfarë ndodh sot. Ai shpreh keqardhjen, që sot janë këputur hallkat për elementin e ri në fushën e teatrit. Sa i takon punës së tij me kinematografinë, si aktor ai zbulon se pret të nisë punë me një projekt filmi në muajin shtator. Jorgaq Tushe me teatrin dhe estradën në Vlorë ka sjellë për publikun mbi 50 premiera që mbajnë emrin e tij si regjisor, por nuk janë të pakta dhe rolet në teatër. Jorgaq Tushe punoi si regjisor në teatrin “Petro Marko” të Vlorës deri në fillim të viteve ‘90 kur emigroi në Greqi. Tushe realizoi disa figura interesante në skenën e këtij teatri, por krijoji më shumë hapësirë për vete kryesisht si regjisor. Në kinematografi ka interpretuar në disa filma, si “Liria a vdekje” Taxhim Ymeri - 1979, “Plumba perandori” avokati -1980, “Skëterrë 43” mjeku- 1980, “Agimet e stinës së madhe” Rezbati- 1981, “Koha nuk pret” oficeri anglez- 1984, “Nata e parë e lirisë” Nazifi- 1984, etj.

 -Kjo periudhë si po kalon për ju?

Unë vazhdoj të jem në një periudhë krijuese edhe tani gjatë sezonit të verës. Edhe pse gjatë ditës gjej kohën të shfrytëzoj plazhin pasditeve kur bie shumë i nxehti, ndërkohë merrem dhe me aktivitet artistik.

-Me çfarë po merreni këtë kohë sa i takon aktivitetit tuaj artistik në fushën e teatrit?

Unë këtë kohë jam duke u përgatitur për komedinë e re, që mendojmë të vëmë në skenën teatrore gjithmonë nëse do të shpëtojmë nga kjo fazë e dytë pandemisë në vend, që flitet kaq shumë. Por unë vetë mendoj se do ta kalojmë pa shumë humbje dhe dhimbje. Në vijim të punës sime jam dhe duke përgatitur studentë e rinj për studime në shkollën e lartë për aktorë.

-Ju keni dekada me teatrin dhe kinemanë, si i këshilloni të rinjtë?

 Kjo e para varet nga vetë të rinjtë. Ai që ka pasion teatrin vjen vetë në derë të troket dhe kërkon këshillat e mia. Por unë iu kam trokitur më parë në derë këtyre të rinjve për në shfaqjet, që ne punojmë me teatrin e të rinjve në Vlorë. Falë një biznesmeni vlonjat, që ka krijuar Art Plus Akademi ne kemi krijuar dhe teatrin e të rinjve të Vlorës, që shfaqjen e parë e dhanë me shumë sukses në teatrin “Petro Marko” të qytetit.

-Pandemia sipas jush sa pasoja pati në fushën e teatrit?

Ne po punonin në Vlorë me një shfaqje teatrore në teatrin “Petro Marko”, që nuk arriti dot të ishte premierë në skenë sepse erdhi pandemia dhe aktivitetet artistike kudo u ndërprenë. Por dhe trupa të tjera në teatro punët iu mbetën në mes. Por unë mendoj se me forma të tjera mund të mbushej ky boshllëk, që erdhi për shkak të pandemisë nga koronavirusi. Unë nuk e shikoj tragjike pandeminë, që na bllokoi. Ne mund të vazhdojmë të punojmë, duke gjetur format për ta bërë këtë. Mos harrojmë që në shtator është sezon i ri artistik.

-Çfarë mendoni se duhet për sezonin e ri artistik, që gjithmonë varet nga situata që do të jemi në vend për shkak të pandemisë?

Para se të flas për këtë mendoj, që duhet të zgjidhet njëherë e mirë problemi i aktorit në teatër. Ne vazhdojmë 30 vjet, që aktori është i punësuar rrogëtar në teatër. Luan apo nuk luan role në shfaqje aktori merr rrogën. Unë mendoj se dhe kryeministri si njeri me vizion është akoma në këtë dilemë, që aktori duhet lënë i lirë dhe institucionet e teatrove duhet të jenë administrata. Unë trokas në derë kam një projekt dhe paraqitem në teatër dhe institucioni më thotë nëse e vlerëson apo jo. Nëse e vlerëson unë marr aktorë me kontratë dhe vë shfaqjen në skenë. Nuk ke pse ti paguash aktorët gjatë gjithë vitit edhe pse nuk luajnë shfaqje teatrore. Me atë buxhet që ka përshembull teatri i Vlorës që paguan rrogat, etj, nuk ka pse ti paguajë shteti. Këto para mund të jepen në formë të projekteve dhe me aktorët pastaj të fillojë të ndjehet dhe një konkurrencë e madhe, sepse ne jemi në ekonominë e tregut. Nëse bëhet kështu mendoj se është më mirë. Aktorët më pas do të fillojnë të trokasin tek regjisori, jo të shkojë regjisori ti lutet aktorit. Nëse puna e aktorit do të varet nga prodhimtaria e tij se sa do ta shesë ai artin e tij edhe ai do të ushqehet në mënyrë të mrekullueshme, pra siç vepron e gjithë bota perëndimore. Unë mendoj që teatrot të jenë të qendra, të jenë të plota me të gjithë elementët e tjera të prapavijës, por të funksionojnë me projekte me aktorët. Nëse bëhet kjo do të shikoni se sa aktorë të mirë do të dalin më pas. Aktorët nuk duhet të jenë rrogëtarë, sepse nuk ecën kështu arti. Teatri të funksionojë me projekte dhe me aktorët. Atë shumë që jepet për teatrin në jetën artistike institucioni ta përdorë në formë projektesh.

-Në vend ende nuk ka status për artistin, ju jeni shprehur me kritika për këtë më parë. Si ndikon mungesa e tij?

Që të bëhet kjo që unë thashë më lart duhet të bëhet njëherë statusi i artistit, sepse ka artistë që duan dhe 10 vite të dalin në pension. Atë nuk e hedh dot në rrugë, por ai fiton statusin e artistin dhe deri sa ti vijë koha qëndron në asistencë. Këtë e kam për ata aktorë, që janë të paaftë sepse ai që është i aftë normal do të jetë në punë. Kjo bëhet më tepër për pjesën vunerabël të aktorëve, që nuk janë të aftë, me probleme shëndetësore, etj, por ata të kenë statusin që të marrin asistencë deri sa të mbushin moshën e pensionit.

-Artistët herë pas here janë shprehur me kritika ndaj institucioneve, sipas jush sa është bërë për zgjidhjen e problemeve të tyre?

Nëse do të bëhet me teatrot siç thashë unë për ata që janë në rrethe është më mirë, sepse rroga të krijon një stanjacion. Pse të krijon? Sepse artisti thotë e marr rrogën dhe pse të punoj. Pra mendoj se teatri të funksionojë me projekte dhe aktorët me kontrata sipas projekteve.

-Si regjisor dhe aktor ndër vite keni marrë vlerësime. Me çfarë vështirësish jeni përballur me aktivitetin artistik?

Jam përballur me vështirësi nga më të ndryshmet, por njeriu mundohet ti kalojë. Tani nuk kam ndonjë inat. Janë si kujtime të hidhura dhe kaq. Por kjo gjë nuk më shëron, sepse vazhdon dhe sot e njëjta gjë. Ka reminishenca shumë dhe janë të gjithë në punë e marrin rogën, çfarë rëndësi ka nëse unë jam i talentuar dhe tjetri i patalentuar, sepse rrogën e marrim njësoj. Prandaj ka ngecur puna e teatrit. Pastaj fillojmë dhe flasim për problemet, jo bashkia e jo ministria, e cila kjo e fundit na ka shkëputur fare prej vitesh.

-Ju mendoni se teatrot në rrethe duhet ti marrë ministria, sipas jush çfarë përfitojnë?

Nëse do të na merrte Ministria e Kulturës, atëherë do të ishte më mirë dhe do të bëhej art. Teatri i Vlorës ka 3 muaj pa drejtor. Kush do vijë drejtor? Të gjithë rrinë, takohen aktorët, do marrin leje në gusht dhe kaq. As nuk i shqetëson fare se kush do vijë drejtori. Kur nuk ka drejtor çdo bëhet?

-Aktor dhe regjisor për dekada me radhë keni dhënë një kontribut të madh në jetën artistike të teatrit, si dhe me angazhime dhe në kinematografinë shqiptare. Kur kanë kaluar dekada, si i kujtoni fillimet tuaja?

Fillimet në fushën e artit janë të vështira jo vetëm për mua, por për të gjithë. Por ne kemi pasur një trupë teatri në Vlorë, që për fat të keq nuk rroi, por që la gjurmë te spektatori vlonjat, që ka qenë shumë dashamirës. Po marrim shembull 4 parodistët e Vlorës, që janë mjaft të vlerësuar, por ne duhet të kemi dhe të rinj që ta vazhdojnë me tutje këtë aktivitetet, por nuk ka asnjë. Kanë dalë disa djem që thonë 4 parodistët e rinj, por atje nuk luajnë. Unë po ju them kur unë isha regjisor në estradë kemi marrë aktor Mane Lumanin, që atë kohë punonte në Komunale dhe ishte elektricist. Unë shkova bëra një shfaqje atje me ata dhe aty ishin dhe Elektriku e Komunalja, që ishin bashkë ku unë pikasa talentin e Mane Lumanit. E mora nga Komunalja që punonte elektricist dhe e afruam në trupën profesioniste. Duke qenë në një ambient profesionist u kultivua. Po kështu dhe Muhamet Lika ndjesë pastë, që punonte në përpunim druri. Kur shkonin aktorët profesionistë që vinin shfaqje me ndërmarrjet e pikasën si talent dhe e sollën aty. Por kështu punohej atëherë, ndërsa tani nuk ka.

-Kur thoni sot nuk ka aktivitete si atëherë, çfarë bëhej ato vite me festivalet?

Atë kohë bëheshin festivalet e teatrove dhe estradave të ndërmarrjeve dhe ne ishim të shpërndarë e takonim direkt me talentet e reja, me amatorët. Ne kur shikonim ndonjë që ishte me talent e afronim dhe dalëngadalë ai bëhej profesionist si puna jonë. Sot nuk ka më si dikur. Tani edhe konkurset e shkollave të mesme, që organizoheshin dikur siç ka qenë traditë nuk janë, aty ku dilte dhe talenti i ri. Këto hallka janë këputur sot për elementin e ri në art.

-Si artist, sa janë për ju problem kushtet e punës?

Para viteve ‘90 ne vinim 4 premiera në vit teatër dhe 4 ishin nga estrada. Por unë si regjisor vija dhe një shfaqje tjetër për muajin korrik, që shkonim fshat më fshat sipas porosisë së partisë. Viheshin 9 premiera në vit si edhe një shfaqje kukullash, që bëheshin 10 premiera. Ne kalonim shumë kohë në teatro dhe shumë pak në shtëpi me familjen dhe fëmijët. Ndaj bëhej dhe ajo punë aq e madhe në teatër, por edhe për filmin. Atë kohë jepte shfaqje teatri dhe estrada dhe kur teatri rrinte jepte estrada, por kur rinte estrada jepte shfaqje teatri. Salla ishte gjithmonë plot, e mbante aktorin në formë ajo punë që bëhej. Por sot nuk kemi kushte pune. Kanë hequr dhe grimiorin për teatrin, kabinat janë shumë të varfra. Ne që e kemi jetuar atë kohë dhe këtë kohë, sot mezi e gjen një llampë të ndriçohesh brenda.

-Çfarë mund të na zbuloni për projektet e reja si aktor?

Unë kam një projekt me Skënder Jaçen për një film të ri dhe presim në shtator, që të fillojmë punën.