BREAKING NEWS

Vdekja e mistershme e 4 turistëve rusë në Qerret të Kavajës, zbardhet dosja e Prokurorisë: Çfarë u zbulua nga pamjet filmike dhe këqyrja e pishinës

Vdekja e mistershme e 4 turistëve rusë në Qerret të
x
BREAKING NEWS

Super-operacioni anti-drogë i SPAK/ Zbardhen emrat e policëve të arrestuar, nga nënkomisari deri tek kryeinspektori. SHÇBA-ja zbulon detajet (EMRAT)

Super-operacioni anti-drogë i SPAK/ Zbardhen emrat e policëve të
x
BREAKING NEWS

Pse hesht Ilir Meta? Ish-kreu i SHISH Fatos Klosi tregon pse është i shqetësuar presidenti: Ndodhet në një pozitë të vështirë, pritet...

Pse hesht Ilir Meta? Ish-kreu i SHISH Fatos Klosi tregon pse është i
x
BREAKING NEWS

Dhunohet kryetari i bashkisë në Vlorë, dalin dyshimet e para, vihet në pranga një 57-vjeçar (DETAJE)

Dhunohet kryetari i bashkisë në Vlorë, dalin dyshimet e para,
x
BREAKING NEWS

Prapaskenat si vetingu do burgosë pushtetarët, pas zbulimit të pasurive korruptive nis menjëherë ndjekja penale, 223 politikanë në lupën e SPAK

Prapaskenat si vetingu do burgosë pushtetarët, pas zbulimit të
x
BREAKING NEWS

Luftë e ashpër në PD, Basha i prerë se beteja e Berishës është e humbur, akuzon ithtarët e ish-kryeministrit se u pasuruan kur ishin në pushtet

Luftë e ashpër në PD, Basha i prerë se beteja e
x
BREAKING NEWS

Integrimi i Shqipërisë në BE, ambasadorja Yuri Kim del me reagimin e rëndësishëm: Të nisin negociatat pa vonesa!

Integrimi i Shqipërisë në BE, ambasadorja Yuri Kim del me
x

Kultura

Jorgo Papingji: Aktivitetet muzikore të kenë identitetin e vet, kënga pa mesazh defekti më i madh, vulgariteti nuk mund të sjellë sukses

Jorgo Papingji: Aktivitetet muzikore të kenë identitetin e vet,

Autori i mijëra teksteve, poeti i këngëve shqiptare Jorgo Papingj “Mjeshtër i Madh” është një nga emrat më përfaqësues të muzikës shqiptare, qoftë asaj të lehtë, popullore dhe për fëmijë. Shumë prej nesh dimë përmendësh çdo rresht që ka shkruar, janë fjalë të thjeshta dhe kuptimplotë. Këto ditë vjeshte poetin e gjejmë në vendin ku takon miqtë, kolegët dhe ata që duan këngë prej tij. Në një lokal afër banesës së tij me bllokun, ku shkruan tekstet e këngëve. Në intervistën për gazetën “SOT” poeti i njohur Jorgo Papingji tregon se kënga duhet të ketë mesazh dhe shprehet se vulgariteti nuk është i suksesshëm. Poeti autor i mijëra teksteve thotë se jetëgjatësia e këngës të jep kënaqësinë më shumë se sa pagesa për të. Në lidhje me aktivitetet muzikore në vend, Papingji thotë se duhet të kenë identitetin e tyre dhe kjo do të rrisë cilësinë.

-Ju gjejmë në lokalin afër shtëpisë suaj, që është dhe vendtakimi me miqtë dhe shokët. Në tavolinë dhe blloku, ku shkruani tekstet e këngëve. Si po kalojnë këto ditë vjeshte për ju?

Unë kohën më të bukur e kam në periudhën e takimit me shokët dhe miqtë e mi, në një lokal afër shtëpisë që nuk është i imi, por vij pi kafe. Nuk jam mirë nga këmbët dhe ky është vendtakimi për të gjithë shokët e mi. Këtu vijnë jo vetëm ata që më duan, por dhe ata që unë iu duhem, që duan të bëjnë këngë. Adresa këtu është dhe për mua është edhe si studio pune dhe takimi. Ky ambient që shikoni këtu për mua është kinema, teatër, shoqëri, etj. Në këtë bllok shënimesh të gjitha këto që janë shkruar janë vetëm tekste këngësh.

-Teksti më i fundit, që keni shkruar në këngë?

Teksti më i fundit për këngë është ai që kam dërguar në Festivalin e Këngës në RTSH. Së shpejti këngët do ti nënshtrohen seleksionimit dhe më pas do ta bëj publike se çfarë kënge është.

-Këtë vit është dhe 60 -vjetori i festivali në RTSH, çfarë ka përfaqësuar për ju në jetën artistike?

Festivali i RTSH për mua është piedestali i aktiviteteve muzikore. Mund të bëhen sa të duash aktivitete muzikore të çfarëdo lloj natyre, por Festivali i Këngës në RTSH është një piedestal, ku lum ai që e shkel. Ky vit është i 40 që marr pjesë në festivalin e RTSH pa shkëputje. Në festivale kam ndjerë edhe kënaqësinë e prekjes të fillimit edhe kënaqësinë sublime të çmimeve. Kam marrë 5 çmime të parë, 5 të dyta dhe 6 çmime të treta. Një vit më parë kënga me tekstin tim u vlerësua me çmim të tretë. Unë e kam vjel kënaqësinë. Nuk shkoj atje për kënaqësi, por shkoj për traditën se është i vetmi aktivitet që ruan traditën e këngës shqiptare.

-Cila ka qenë kënga e parë me tekstin tuaj, në festivalin e RTSH?

Kënga e parë që unë kam marrë pjesë ka qenë “Kur jemi bashkë ne të dy”, kënduar atë vit në 1980 në festival nga Liliana Kondakçi dhe Luan Zhegu. Ky debutim ka qenë ai që më bëri të mos shkëputem nga festivali në RTSH, sepse ishte debutimi i parë ku shkonin emra të mëdhenj kompozitorë, tekstshkrues, etj. Unë mora në fund çmimin e tretë atë vit. Çmimi i tretë për mua ishte debutim i parë në festival kombëtar si autor teksti, më pas për të vijuar dhe me çmime të tjera. Festivali atë kohë ishte me dy variante, kënga njëherë këndohej nga një këngëtar dhe natën tjetër këngëtari tjetër. Ata që prezantoheshin në finale zgjidheshin dhe varianti më i mirë. Por kënga me dy variante nuk zgjati shumë. Për mua çdo mënyrë që prezantohet festivali ka lezetin e vet. Por dhe ai variant ishte i bukur, sepse aktivizonte më shumë këngëtarë dhe kishte konkurrencë më shumë. Kishte dhe marrëdhënie shumë të bukura festivali.

-Po tani çfarë ndodh në aktivitetet?

Tani nuk ka më ato marrëdhënie si dikur mes krijuesve dhe ekzekutueseve. E para atëherë nuk ishte ideja e vlerës materiale të asaj që bëje, por ishte ideja e vlerës si vlerë të veprës që shkruaje, sa këndohej, pëlqehej, sa vazhdonte, jetonte dhe kur vdiste. Ishte një linjë, e cila ta testonte punën që bën në të gjitha variantet. Në fund testoje dhe veten, që jeton apo jo kënga. Është gjë e bukur për krijuesin të dijë sa jeton kënga. Jetëgjatësia e këngës të jep kënaqësinë disa herë më shumë se sa pagesa e këngës, aq më tepër kur në një aktivitet eliminohet logjika e pagesës ngelet vetëm vlera. Pra ishte festivali i vetëm vlerave muzikore, të kompozicionit, tekstit, vlerave të këngëtarit.

-Me ndryshimin e sistemit, çfarë pësoi kënga nuk këndohen më si dikur?

Një pyetje që nuk është e thjeshtë ti përgjigjesh, sepse jeta vazhdon. Kërkesat e njerëzve ndryshojnë dhe ambienti, hapësira ku shkruhet, marrëdhëniet ndryshojnë të gjitha dhe praktikisht kënga nuk mund të jetë njëlloj. Por sharmi i këngës duhet të ngelet, përshembull dëgjon një këngë greke thua është greke, sllave është sllave, pra kënga ka identitetin e vet. Kështu kishte dhe kënga jonë identitetin e vet. Tani ka dalë një këngë e cila mund të pëlqehet, dëgjohet, përdoret në disko dhe ambiente dëfrimi, por nuk ka mesazh kënga, që kjo është defekti për mua më i madh.

-Një këngë pa mesazh, si është për ju?

Duke mos pasur mesazh është vështirë të unifikosh tekstin me muzikën, dhe me zërin e këngëtarit dhe nga orkestracioni. Kur ka mesazh, kur ka trishtim orkestracioni bëhet ndryshe, kur ka dasëm bëhet ndryshe, kur ka dashuri që nuk përfundon është ndryshe. Pra janë të gjitha këto por kanë brenda një temë, kanë një mesazh që fillon dhe mbaron. Tani është koha që shumë këngë mbështeten në 3-4 fjalë të përsëritura disa herë, që pëlqehen nga një grup dëgjuesish shumë i madh, rinia më tepër dhe që nuk mund ti thuash kurrë që e ke gabim këtë këngë. Por jam i mendimit që duhet të ketë një tip censure artistike, që të thuhet kjo bën për të hyrë këtu. Më pëlqen mua festivali në RTSH, sepse që të hysh aty ka qenë një arritje e madhe për kompozitorin, këngëtarin, autorin, jo se sa lekë merr, por hyra e nuk hyra në festival. Piqej kënga atëkohë kur ishte e pjekur, tani ka dhe këngë që piqen pa pjek. Ne tani mund të bëjmë gjëra shumë më moderne, por vështirë të ketë identitetin. Jam i mendimit të bëhen sa më shumë aktivitete dhe secili të ketë emrin e vet. Nëse është festival i muzikës së lehtë është i muzikës së lehtë, nëse i xhazit është xhaz, etj. Unë dua që të gjitha aktivitetet muzikore të kenë identitetin e vet dhe kjo do të rrisë cilësinë, dhe krijimtarinë do e kategorizojë për atë që gjë që ke filluar ta shkruash. Nuk është puna sa e këndojnë këngën, por sa jeton kënga. Për mua e vetmja vlerë e këngës është jetëgjatësia.

-Nga bashkëpunimet tuaja me autorë të muzikës para ’90 kë veçoni?

Kam bashkëpunime të vazhdueshme të zgjatura. Përshembull bashkëpunimi më i madh me mua është ai me Aleksandër Lalon. Pothuaj e gjithë krijimtaria që kemi bërë bashkë me të, qoftë për muzikë të lehtë, filmat, këngë për fëmijë apo teatrot janë të gjitha këngë që dhe sot këndohen. Ndërsa sa i takon këngëtarëve bashkëpunimi më i gjatë që vijon dhe sot është Aurela Gaçe, por që ka zgjatur shumë dhe që bëmë dhe vjet këngë është dhe ai me Luan Zhegun edhe si këngëtar dhe si kompozitor. Unë kam 72 bashkëpunime me këngëtarë, që ti numëroj tani emrat si mbaj mend.  

-Sa tekste këngësh keni deri tani?

Janë mbi 3500 këngë.

-Sa çmime keni ndër vite, në aktivitetet që keni marrë pjesë?

Kam 16 çmime, të para, të dyta dhe të treta, prej të cilëve 5 të para dhe të tjerat janë të dyta dhe të treta vetëm në festivalin e RTSH. Kam çmime në festivalin e pranverës, por ka dhe 38 çmime te festivali i fëmijëve nga të cilat 8 janë të para. E rëndësishme është që të gjitha këngët e fëmijëve janë të këndueshme sot edhe pse koha ka ecur.

 -Ju keni mijëra tekste dhe në këngë popullore. Kush e dëmton këngën popullore sipas jush?

Çdo ditë e më shumë shtohen emrat e atyre që merren me këngën qoftë të kompozitorëve, qoftë këngëtarë dhe autorëve të teksteve. Tani ka filluar në mënyrë të gjerë që dhe tekstin dhe muzikën e ka bërë një njeri dhe thonë me kënaqësi që teksti është i imi, por çfarë ka bërë? Problemi është që është shumë vështirë të mbash këngën popullore dhe qytetare të gjallë. Madje nuk është e kotë, që kalojnë vite dhe të rinjtë që janë këngëtarë vazhdojnë të këndojnë këngët e vjetra popullore. Unë vetë jam përpjekur të shfrytëzoj një thënie, një fjalë të urtë popullore, kur populli e dëgjon në këngë thotë: qenkam unë. Sa më shumë të tilla të ketë aq më vlerë ka kënga.

-Më parë jeni shprehur që teksti ti largohet vulgaritetit, çfarë ka ndodhur këto vite?

Unë shoh dy fenomene të kundërta. Një është që muzika këto 10 vitet e fundit nuk është më ajo që degjeneroi dhe ka filluar të gjejë veten. Është rritur një gradacion nga ajo që ishte para 10 vitesh. E dyta është që po pakësohet vulgariteti i teksteve megjithëse paralelisht ecën dhe vulgariteti, dhe nuk e di pse kanë mendim se është i suksesshëm vulgariteti në këngë.