Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Kultura

Jorgo Papingji: Zanati do ustain, sot ka këngë me tekst të pakuptueshëm, shumica janë pa fabul dhe pa mendim

Jorgo Papingji: Zanati do ustain, sot ka këngë me tekst të

Poeti Jorgo Papingji është autor teksti i mijëra këngëve ndër vite. Pjesëmarrës në festivale të ndryshme të këngës, si për të rritur dhe për fëmijë ku vlerësimet nuk kanë munguar. “Mjeshtër i Madh” Jorgo Papingji vazhdon aktivitetin me krijimtarinë e tij në këngë, duke marrë vlerësimin e publikut dhe të kritikës. Por përballë asaj krijimtarie me vlera artistike, që shkruhet dhe interpretohet nga profesionistët është dhe një pjesë tjetër, që po e dëmton jo pak artin. Në intervistën për gazetën “SOT” poeti i njohur Jorgo Papingji thotë se problemi sot në këngë është se një pjesë e teksteve nuk kanë fabul, nuk vlera artistike dhe se si sot ka prej tyre që vetë shkruajnë tekstin, bëjnë muzikën, orkestracionin, etj, duke mos përcjellë atë që quhet vlerë në krijimtari. Me probleme sipas poetit të njohur Jorgo Papingji është dhe fakti se këngët sot bëhen sipas tregut në vend dhe dihet që tek ne ka jo pak probleme. Jorgo Papingji është një nga emrat më përfaqësues të muzikës shqiptare, qoftë popullore apo asaj të lehtë, ku me anë të teksteve të shumta, të shtrira në kohë prej shumë vitesh në festivalet e RTSH-së dhe në audicionet e tjera muzikore për të rritur e fëmijë, ka krijuar një profil të veçantë poetik e artistik.

-Flitet për probleme të ndryshme nga artistët në krijimtarinë muzikore. Ju si autor tekstesh që ndër vite jeni me vlerësime të shumta, çfarë ju shqetëson sot në krijimtari?

 Në këtë kohë është kontradikta ndërmjet tregut dhe krijimtarisë. Tjetër gjë shitet në treg, përshembull tekstet kohët e fundit nuk thonë gjë, nuk kanë një fabul, nuk kanë një mendim, nuk i fillojnë nga fillimi deri në fund. Është përsëritje disa herë e të njëjtës fjalë, nuk kanë muzikalitetin e duhur, nuk kanë as domethënien e duhur. Kam shumë për të thënë për sa i takon teksteve, por ajo që është më e rëndësishme është që teksti ka humbur shumë nga vetja e vet gjatë këtyre viteve të fundit në këngë.

-Disa ditë më parë autori Xhahid Bushati tha se një pjesë e teksteve sot nuk kanë vlerë artistike dhe estetike. Ju sa bashkoheni?

Teksti ka humbur këto të dyja, që ka thënë ai dhe ajo që është më e rëndësishmja ka humbur fabulën. Tani i vihet më shumë rëndësi një fjale që ngjit aty, sjena mo, sjena mo, sjena mo... dhe vazhdon dhjetëra herë nga fillimi deri në fund. Kënga stërzgjatet. Kënga për mua ka dy strofa dhe një refren dhe për mua e tërë bota e asaj kënge përfshihet në këto dy strofa dhe një refren. Kur u hap Shqipëria u hapën dhe dyert e festivaleve të këngës. Kështu që i miri dhe i keqi hynë dhe tani nuk munden dot me dalë. Tani ka rryma të ndryshme, që nuk janë në vazhdim të këngës sonë të mirëfilltë. Tani është e vështirë të thuash se cila është kënga jonë, sepse kënga ka humbur dhe vlerën estetike dhe artistike.

-Me krijimtarinë e këngës së lehtë ju pohoni probleme, po te kënga popullore çfarë ju shqetëson?

Edhe kënga popullore ka shumë deformime, të cilat janë dhe abuzive duke menduar tek ndonjë fjalë e mirë që ngjit në popull dhe pastaj luhet me atë gjatë gjithë kohës, por pa mendim poetik dhe muzikor. Por vetëm ritmi dhe rrafja pa e ditur që thotë teksti i këngës, por vetëm mund të këndosh trala, trala...,por nuk ke ndonjë mendim që fillon nga fillimi deri në fund dhe e zhvillon. Këngët tona popullore sidomos ato të vjetrat fare kanë një tekst shumë të thjeshtë, shumë të kuptueshëm dhe shumë të këndueshëm. Por tani tekstet jo vetëm nuk janë të kuptueshëm dhe nuk dinë çfarë thonë, por janë dhe shumë të vështira për tu kënduar. Kënga kuptohet këndohet apo nuk këndohet. Nëse kënga nuk këndohet e ka marrë pasaportën nuk bën ose bën. Gjithmonë e më shumë po shtohet numri i kantautorëve, që bëjnë tekstin, muzikën, ka dhe të tjerë që bëjnë orkestracionin por dhe videon kanë filluar ta bëjnë, kështu që marrin përsipër shumë gjëra. Por që të marrin përsipër shumë gjëra sigurisht, që nuk dot kryejnë dot se nuk janë të profesionit. Zanati do ustain.

-Sipas jush sa vlerësohet artisti i vërtetë në muzikë sot nga institucionet?

Krijuesit e kanë zgjidhur vetë me njëri -tjetrin punën e vlerësimit, sepse sa i takon shtetit boll të mendojmë që ka tetë muaj që nuk bëhet asnjë aktivitet. Atëherë çfarë do të krijosh kur nuk bëhet asnjë aktivitet?

-Do të merrni pjesë në festivalin e këtij viti në Radio Televizioni Shqiptar?

 Nga Radio Televizioni Shqiptar është bërë lajmërimi, që deri më datë 3 tetor duhen dorëzuar këngët, pra është bërë i njohur me krijuesit, si do prezantohen dhe deri në çfarë date. Unë për vete jam njohur me këtë. Mund të kem unë dëshirë të marr pjesë, por nuk kam këngëtarin duhur, mund të jetë këngëtari, por nuk jam unë ai që do i bëj tekstin. Pra akoma nuk i kemi krijuar bashkëpunimet, sepse ishim pas pushimeve verore dhe tani jemi në kërkim të anëtarëve të këngës, të këngëtarit, të orkestruesit, të atij që do bëjë muzikën. Unë jam me mendje, që do marr pjesë.

 -E drejta autorit, sipas jush sa vazhdon të jetë me probleme për autorët?

E drejta autorit ka funksionuar edhe këtë vit dhe të gjithë njerëzit kanë marrë një sasi të vogël të lekëve, që kanë për të marrë. Është ajo ideja ngaqë nuk merrnim fare dhe tani marrim ndonjë lek dhe quhesh i kënaqur. Por ka filluar të funksionojë e drejta autorit. Po a është e mjaftueshme, a është e saktë, a është i plotë likuidimi i punës me të ardhurat, kjo lë shumë për të dëshiruar.

-Një aktivitet me krijimtarinë prej dekadash me këngën. Sot çfarë mund të na thoni si autor për pjesëmarrjen tuaj?

Janë 40 festivale të këngës të Radio Televizionit Shqiptar, pa shkëputje nga puna. Janë 40 festivale fëmijësh pa shkëputje nga puna. Jam pjesëmarrës dhe fituesi i 5 çmime të para të Festivalit të Këngës në RTSH dhe 14 çmime të festivalit të fëmijëve. Jam 3 herë pjesëmarrës i “Junior Eurovision Song Contest”, që Shqipëria ka vajtur tre herë me këngë me tekstin tim. Më vjen mirë që vazhdoj të jem pjesëmarrës, që vazhdoj të shkruaj në mënyrën time pa rënë në

 

-Kur flitet për censurë artistike në krijimtarinë me këngët që dhe ju e keni pohuar më parë, mos e keqkuptojnë disa krijues?

Mendoj se censura artistike duhet të jetë dhe të thellohet. Kjo jo vetëm keqkuptohet, por abuzojnë, keqpërdoret nga disa autorë. Ku vjen puna që nuk kanë bërë gjë, thonë: nuk do të bëjmë censurë tani. Por unë mendoj që të paktën ekranet të cilët kanë një dinjitet, kanë një traditë dhe që duan ta ruajnë emrin e tyre duhet të kenë dhe kontrollin artistik të gjërave, që pranojnë për tu transmetuar. Ekrani nuk është një gjë që i jepet çdo njeriu në dorë dhe përdore si të duash ti. Duhet të jenë 4-5 ekrane televizive, të cilët duhet të japin modelet e këngës, jo kopjimet. Por modelet e asaj që quhet muzikë e lehtë, muzikë popullore e jona. Sot në Shqipëri ka këngëtarë të mirë, ka kompozitorë të mirë, ka autorë tekstesh që janë të mirë, por është politika e tregut që e prish punën.

-Kur thoni këtë çfarë keni parasysh sot me këngën dhe tregun me probleme?

Politikë e tregut do të thotë, që kënga e njërit tërhiqet nga tregu dhe kënga e tjetrit nuk pëlqehet dhe nuk tërhiqet në treg. Kjo detyron që ta bëjmë këngën si kjo që tërhiqet nga tregu. Dhe kjo që tërhiqet nga tregu nuk është kënga e duhur e muzikës sonë shqiptare. Unë me kënaqësi po shikoj këto kohët e fundit, që ka filluar të vihet dorë, të kenë më shumë kujdes muzikantët dhe këngëtarët në përzgjedhjen e këngëve. Por ka dhe një mani të jashtëzakonshme, që të kemi dhe ne një rep te kënga jonë, një hip-hop dhe kjo mua nuk më pëlqen. Kjo nuk tregon se je i afërt ti të këndosh rep. Kjo tregon që dikujt i pëlqen repi dhe dua ta çoj atje. Po të jetë puna kështu, për mendimin tim dhe të bëhet një festival i veçantë për rep, festival i veçantë për jazz, dhe i veçantë për muzikën e lehtë kombëtare. Po marr shembullin e Sanremos, ku ai bëhet që të ruhet dhe zhvillohet muzika italiane, kantoneta italiane. Me këtë gjë që dhe festivali joni duhet të ketë një linjë, që të ruhet dhe zhvillohet kënga shqiptare. Nëse vihet dorë dhe nëse shtrembërohet linja e festivalit kjo tregon që shtrembërohet linja e këngës sonë shqiptare dhe që largohemi nga tradita. Që ta kapësh traditën dhe ta ruash duhet që të gjitha televizionet tona ti bëjnë jehonë këngës sonë popullore dhe këngës së muzikës së lehtë.

-Tre dekada që krijimtaria e para ’90 edhe sot dëgjohet dhe vlerësohet. Sipas jush çfarë e mban këngën e asaj kohe?

Është një jetëgjatësi. Nëse ka jetëgjatësi dhe pëlqehet dhe sot e kësaj dite do të thotë, që ajo e ka kaluar testin e provës si këngë. Ky është një fenomen sot, sepse është zor që mund të këndojmë ndonjë këngë. Kur dilnim nga festivalet jo se isha unë pjesëmarrës, por dhe publiku i thjeshtë i këndonte këngët e asaj kohe që në sallë. Por sot vështirë të gjesh këngë ta mbash mend. Nëse pyes kush fitoi vjet, zor se e mbajnë mend. Edhe tekstet e asaj kohe nuk ishin të gjitha të politizuara.

-Estrada e Tiranës për vite me radhë ka pasur një aktivitet të vlerësuar dhe sot nuk është më. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?

Më vjen shumë keq që Estradat e Tiranës nuk është, dhe që po shuhet në të gjithë Shqipërinë. Nganjëherë ka disa abuzime, sepse thonë bëhej në kohën e Enverit, etj, por estrada ishte një skenë që jepej humorit shqiptar. A është në atë kohë dhe në këtë kohë, nuk ka asnjë arsye sepse këto të ndërpresin njëra-tjetrën. Humori duhet të vazhdojë jetën e tij në fushën e humorit. Që të jetë një jetë pa humor kjo është absurditet i kohës.