BREAKING NEWS

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën pedagogut të njohur

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën
x

Kultura

Kalaja e Beratit, nga janari deri në nëntor 136.313 vizitorë

Kalaja e Beratit, nga janari deri në nëntor 136.313 vizitorë

Kalaja e Beratit nga muaji i parë i këtij viti dhe deri në muajin nëntor, ka pasur 136.313 vizitorë. Të dhënat janë publikuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat, sipas të cilës ky është një numër më i madh vizitorësh krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë. “Numri i turistëve që vizituan kalanë në qytetin e Beratit gjatë periudhës janar- nëntor 2019 ka qenë 136,313 vizitorë. Krahasuar me të njëjtën periudhë me një vit më parë kemi rreth 9785 vizitorë më shumë prej të cilëve 70.800 janë me kombësi të huaj”, shprehet DRKK Berat, që herë pas here publikon të dhëna mbi numrin e vizitorëve. Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Me emrin e lashtë Antipatrea përmendet në vitin 216 p.e.s. Nga romakët u quajt edhe Albanorum oppidium (fortesa e Arbërve). Në të kaluarën siguria e kësaj kështjelle ka qenë maksimale, sepse projektuesit e saj e ndërtuan pikërisht në këtë kodër ku ana jugore bie thikë mbi Osum, anët lindore dhe perëndimore kanë pjerrësi të madhe ndërsa në anën veriore kodra ulet ëmbël drejt qafës së Biftës, duke siguruar komunikimin. Muret kanë një perimetër prej 1400 metra brinja lindore e këtij trekëndëshi është e gjatë 620 metra, ndërsa dy tjerat janë të barabarta dhe janë të gjata 410 metra. Ndryshe nga kështjellat e tjera kalaja e Beratit ka qenë e pajisur me 24 kulla, të cilat emërtohen sot me emrin turk TABJE, së bashku me muret ato i përkasin periudhave të ndryshme të ndërtimit që nisin qysh nga shekulli IV p.k dhe përfundojnë gjatë kohës së sundimit të Ali Pashë Tepelenës (1813-1821). Brenda sipërfaqes prej 9.6 hektarë të kalasë ndodhen disa kisha, një pjesë e të cilave rrënojë, sarajet turke, rrënojat e dy xhamive, sternat e ujit të quajtura Saranxha, sheshi i Sallabandës, sheshi i quajtur fusha e madhe etj. Ndërkohë që pjesën më të madhe të këtij oborrit të brendshëm e zënë një sërë rrugicash, kopshtesh, baçesh dhe shtëpi banimi të cilat përbëjnë lagjen e quajtur kala. Gjithsej ky monument ka katër porta komunikimi. Njëra prej tyre dhe pikërisht ajo, që paraqet më shumë interes për shkak të elementeve përbërës të saj është ato e anës juglindore.