Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Kultura

Kalaja e Krujës, nisin ndërhyrjet shpëtuese dhe restaurimet

Kalaja e Krujës, nisin ndërhyrjet shpëtuese dhe restaurimet

Në kalanë e Krujës kanë nisur ndërhyrjet shpëtuese dhe restaurimet pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit. Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti inspektuan së fundmi punimet, që kanë nisur në kalanë e Krujës. Sipas kryeministrit Rama, paketa e shpëtimit të monumenteve të dëmtuara, e cila financohet nga Bashkimi Europian dhe donatorë të përveçëm, do të ngrejë cilësinë e hapësirave të trashëgimisë kulturore, për t’i bërë ato më të vizitueshme dhe më të qëndrueshme edhe financiarisht. Ministrja e Kulturës Elva Margariti, duke folur për punën e bërë në kala tha se gjatë muajve të pandemisë, duke qenë se edhe vizitorët kanë qenë të paktë vëmendja ka qenë te pastrimi i vegjetacionit, ndërsa në pjesën e brendshme shumë shpejt do të jetë një hapësirë të re që mund të jetë infopoint. Ministrja vijoi se në muajt pandemisë u bë një marrëveshje me Bashkinë e Krujës, ku Ministria e Kulturës dhuroi një numër të madh biletash falas njësive akomoduese. “Kjo ka pasur impakt pozitiv dhe numër të shtuar të vizitorëve shqiptarë sidomos të rinjtë”, tha ministrja Elva Margariti. Sipas saj, Kruja pas procesit të rindërtimit do të fillojë të flasë me një tjetër vizion atë të rijetëzimit. “Kemi hartuar disa paketa projektesh që nuk ndalen vetëm në restaurimin e monumenteve por duke identifikuar ato objekte, ato hapësira, ato lloj shërbime, që do sjellin më shumë vizitorë”, vijon ministrja e Kulturës. Duke folur për Teqen, ministrja Margariti tha se ajo ishte një nga monumentet më të rrezikuara pas tërmetit dhe janë hartuar projekte për ndërhyrje. “Projekti u hartua në kohë rekord. Punimet janë realizuar përmes fondit të Prince Klaus, është bashkëpunim shumë i mirë i institucioneve shtetërore me donatorët e huaj që janë përgjigjur edhe pas konferencës së Brukselit me ndihma konkrete”, tha ajo. Kjo kala me trajtë eliptike dhe me perimetër 804 m, zë një sipërfaqe prej 2.5 ha tokë dhe është ngritur në një kodër shkëmbore. Gërmimet arkeologjike të vitit 1978 dëshmojnë se kodra ka qenë e banuar që në shek e III p.e.r. ndërsa kalaja është ngritur në shek. V-VI e.r. Pranë saj është zbuluar një varrezë e madhe e kulturës arbërore. Përmendet me emrin e sotëm në shek. e IX bashkë me qytetin e Krujës si qendër peshkopale. Në shek. XIII-XIV ishte qendra e shtetit të Arbrit.