Kultura

Këngët e dashurisë të viteve 1960-1990 në Amfiteatrin e Tiranës, një plejadë e mrekullueshme këngëtarësh

Këngët e dashurisë të viteve 1960-1990 në Amfiteatrin e

Amfiteatri i Tiranës është kthyer dje në një skenë muzikore për artistët më në zë në vendin tonë. Ikonat e muzikës shqiptare kanë kënduar dje këndë nga vitet 1960 deri më 1969, ndërsa nuk kanë munguar dhe artistë e rinj. Gjatë mesditës ishte kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Velaij ai i cili ftoi qytetarët që, duke respektuar protokollet e sigurisë dhe distancën, të jenë të pranishëm në këtë festë të muzikës së bukur. “Jam shumë i lumtur që në darkë, pas një dite të lodhshme pune, do ta mbyllim tek Amfiteatri i Liqenit me Bashkim Alibalin e madh, me Luan Zhegun, me Irma Libohovën, me Liljana Kondakçiun, me këngët e gjeneratës së tyre dhe këngët e tyre, por edhe me këngë të vjetra të miksuara, që i dedikohen shumë artistëve të cilët, ose nuk janë më mes nesh, ose jetojnë jashtë vendit. Fatmirësisht, tek Amfiteatri kemi mundësi ta ruajmë distancën sociale, por edhe mund të shpërndahemi në të gjitha rrethinat përreth amfiteatrit për këngët e dashurisë, për këngën shqip, për atë që kemi më shumë nevojë në këto kohë. Patjetër, kemi nevojë për infrastrukturë në qytet, për investime, por kemi nevojë edhe për kulturë për shpirtin”, tha Veliaj. Sipas kryebashkiakut, kjo është arsyeja pse në skenë ngjiten disa nga yjet e muzikës shqiptare. “Sepse siç ka nevojë për ushqim stomaku, ashtu edhe mendja ka nevojë për art. Për muzikën më të mirë të gjeneratës së prindërve tanë, mezi pres të shihemi tek Amfiteatri i Tiranës”, u shpreh ai.

Flasin artistët

Teksa i siguroi qytetarët se do të kalojnë një mbrëmje magjike, këngëtari i njohur, Bashkim Alibali, i ftoi që ta ndjekin këtë shfaqje të bukur. “U them të gjithëve, ejani sepse na ka marrë malli për ju. Edhe juve besoj ju ka marrë malli për ne. Sonte në orën 20:00 takohemi në shfaqjen që do të japim për ju”, tha ai. Irma Libohova vlerësoi mbështetjen që kryebashkiaku Veliaj u jep artistëve dhe artit. “Dëshira për të dëgjuar muzikë nuk është vetëm e njerëzve, por edhe e jona sepse kemi dëshirë të performojmë. Projektet që mbështeten na bëjnë mirë dhe ne artistëve, aq më mirë kur sot do të shikoni disa breza artistësh që sjellin këngët edhe të brezit tonë, por edhe të një brezi më të ri”, tha Libohova. Ndërkohë, ata që nuk do të mundën të jenë të pranishëm në Amfiteatër për shkak të rregullave të protokollit për parandalimin e COVID-19, e ndoqën direkt në rrjetet sociale. Amfiteatri i Tiranës u inaugurua në pranverën e vitit 1974, duke u kthyer në një arenë aktivitetesh. Amfiteatri është i pajisur edhe me skenën, podiumin, dhomat e zhveshjes së artistëve, gjithashtu edhe me sallën teknike nga ku projektohet në skenë. Pas viteve nëntedhjetë fama e teatrit veror erdhi duke u zbehur, jo vetëm në repertorin e aktiviteteve, por edhe në mirëmbajtjen fizike! Ulëset prej betoni u degraduan nga viti në vit duke shkuar drejt rrënimit. Bashkia e Tiranës, pasi testoi për dy vjet rresht interesin e publikut me aktivitete të shumëllojshme, nisi rehabilitimin rrënjësor të tij në vjeshtë të vitit 2017. Nga 30 maji 2018, Amfiteatri i Tiranës i rindërtuar, pajisur me një skenë të mbuluar e me ndriçim të përshtatshëm, mirëpret artëdashësit me një kalendar të pasur aktivitetesh artistike e kulturore në të katër stinët, duke e shndërruar këtë pjesë të parkut në një pikë të rëndësishme për qytetarët.