BREAKING NEWS

“Shpërthimi u dëgjua në të gjithë Durrësin”/ Dalin detaje të reja të rënda nga atentati me eksploziv ndaj efektives së Policisë (DYSHIMET)

“Shpërthimi u dëgjua në të gjithë
x

Kultura

“Këngëtarja tullace”, me aktorët nga Shqipëria në festivalin Tournee në Itali

“Këngëtarja tullace”, me aktorët nga Shqipëria

“Këngëtarja tullace” kryevepra e autorit Eugene Ionesco, komedia absurde e sjellë mjeshtërisht në skenë nga regjisori Spiro Duni u prezantua në festivalin teatror Tournee, në teatrin Curci Barleta, Itali. Në festival merrnin pjesë trupa të ndryshme teatrore jo vetëm nga Italia, por dhe nga shtete të tjera. Në netët e tij nuk mungoi dhe shfaqja teatrore “Këngëtarja tullace”, që u mirëprit nga publiku i huaj. Vepra shënoi më herët premierën në skenën e teatrit “Bylis” në Fier, dhe në rolet në skenë janë aktorët Fatmir Xhelili, Miola Sitaj, Flaura Kureta, Astrit Hasani, Doriana Çaushi dhe Margent Caushi. Shfaqja ishte e përkthyer edhe në gjuhën italiane me titra, që u shfaq në një skermo gjatë gjithë kohës, që aktorët nga Shqipëria në këtë festival luanin në skenë. Aktore në shfaqje me rolin e zonjës Martin, Flaura Kureta shprehet se publiku i mirëpriti dhe  ishte një sukses në këtë festival, që u zhvillua në Barleta të Italisë. ““Këngëtarja tullace” nga Ionesco me regji nga Spiro Duni ishte në kuadrin e festivalit Tournee, dhe u shfaq me sukses në teatrin Curci, në qytetin e Barletës. Për mua ishte kënaqësi të luaje në atë sallë teatri, një teatër i mrekullueshëm, magjik do të thoja. Për mua do të jetë një kujtim i paharrueshëm”, pohon aktorja Kureta. Por kjo pjesëmarrje në këtë festival, sipas saj ishte si një festë për artistët. “Festivali Tournee ishte një festë e bukur artistike, ku artistë nga Italia, Shqipëria dhe Mali i Zi performuan. Shfaqja jonë u prit shkëlqyer dhe ishte një prezantim dinjitoz”, shton më tej aktorja Flaura Kureta. Kjo shfaqje teatrore deri tani ka qenë dhe në skena të tjera dhe është mirëpritur nga publiku, ku së fundmi ishte publik italian ai që vlerësoi këtë herë artistët nga Shqipëria, me një nga kryeveprat e Ionescos.

 Vepra në skenë

Regjisori Spiro Duni është shprehur më herët se “Këngëtarja tullace”, është një vepër për çdo kohë. ““Këngëtarja tullace” është një vepër e teatrit absurd (Eugene Ionesco), një vepër për çdo kohë, pasqyrë e falimentit moral dhe mendor të shoqërisë njerëzore. Njëkohësisht pasqyrimi i një bote njerëzish që gjenden në udhëkryq, sepse nuk mund të komunikojnë më as me veten. Vlerat janë kthyer në antivlera, gjuha nuk është më një mjet komunikimi por mjet gënjeshtre dhe mashtrimi. Fjalët janë kthyer në lëvozhga tingujsh pa kuptim, brenda një bote që ka humbur identitetin, që ka humbur çdo gjë njerëzore, ku njerëzit pa ndjenja tashmë, nuk kanë më arsye të komunikojnë”, pohon regjisori Spiro Duni. Eugene Ionesco lindi më 26 nëntor 1909 nën emrin Eugen Ionescu në Slatinë të Rumanisë. Transferuar një vit më vonë në Paris me prindërit, pas Luftës së Parë Botërore ai u shpërngul në Majenne, në fshatin e vogël Chapelle-Anthenaise, edhe për shkak të anemisë së tij. Kthehet në Paris dhe shkruan një dramë patriotike, vepra e tij e parë, në kulmin e adoleshencës. Më vonë prindërit e tij u divorcuan. Më 1925, Eugene u kthye në Rumani, ku kryen arsimin e mesëm dhe mëson rumanisht. Në vitin 1929, ndonëse dëshira e tij ishte të bëhej aktor, me impulsin e babait të tij, ai u regjistrua në Universitetin e Bukureshtit. Në vitet në vijim ai iu kushtua shkrimit, artikujve kritikë dhe vargjeve poetike. Dalluar në gjysmën e parë të viteve tridhjetë si një eksponent premtuese i avantgardës rumune, në vitin 1934 Eugene Ionesco publikon esenë “Nu”. Midis 1941 dhe 1944 ai ishte i punësuar nga ambasada Rumune në qeverinë kolaboracioniste të Vichy. Në vitin 1950 ai përfundoi dramën e tij të parë, me titull “Këngëtarja tullace”, e cila u vu në skenë për herë të parë në maj të atij viti në Teatrin des Noctambules.  

 Nga Julia Vrapi