BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Kultura

Kineastët: Filmi i kërcënuar nga pirateria, ligji pothuajse inegzistent, Ministria e Kulturës indiferente

Kineastët: Filmi i kërcënuar nga pirateria, ligji pothuajse

Pirateria me filmat vazhdon të jetë një problem shqetësues për kineastët shqiptarë. Sipas tyre, përballë kësaj situate ligji për të drejtën e autorit është pothuajse inegzistent dhe pirateria me filmat vazhdon. Ata shprehen me kritika për punën e institucioneve, që janë marrë me ligjin dhe pohojnë se është një situatë shqetësuese. Regjisori i njohur Vladimir Prifti shprehet se institucionet nuk kanë mundur dot të zgjidhin problemet, me të cilat po përballen krijuesit shqiptarë prej disa vitesh. “Është folur që Forumi i Mbrojtjes për Autorë të Audiovizualit ( FMAA) kërkon të marrë drejtimin e SUADA-s, por me sa duket vazhdojnë të jenë përpjekje për tu kristalizuar pak vonë nuk shihet rezultati tani. Janë disa shoqata tek SUADA dhe më bazë është filmi artistik shqiptar, thelbi është aty. Por meqë ata i kanë të gjitha artet, interpretimin, muzika etj, i janë shkulur disa të drejta që i kishte FMAA. Tani vështirësitë nuk janë të vogla”, pohon regjisori i njohur Vladimir Prifti “Mjeshtër i madh”. Në reagimin e tij ai pohon se problemet ligjore nuk janë të pakta dhe shprehet se përballë kësaj gjendje edhe Ministria e Kulturës ka qëndruar indiferente, ndërsa kineastët vazhdojnë të përballen me këtë situatë, që po ndikon jo pak te e drejta autorit. “Duhet të bëhen zgjedhje të reja të Sportelit Unik për Administrimin e të Drejtave të Autorit (SUADA), por dhe Ministria e Kulturës ka qëndruar pak indiferente. Kjo lloj mënyre që u trajtua këto vite nuk ka ecur, ose ka ecur për një grup njerëzish. Po bëhen përpjekje nga Saimir Kumbaro si kryetar i FMAA, që të zgjidhen dhe pagesat e filmit televiziv”, pohon ai. Edhe regjisori Kujtim Gjonaj gjithashtu shprehet se është një situatë qesharake, kur kineastët nuk po marrin dot as paratë që iu takojnë me filmat. “Nuk marrim lekët tona është qesharake, që të përfitosh nga një mund 30 apo 50 vjeçar të kineastëve. Ka kineastë që kanë filluar punë që në ’47- ’48, që iu takon e drejta e autorit dhe më duket e pandershme që të hyjnë shoqatat përmbi shoqatat. Çfarë mbeti për të drejtën e autorit? Jemi aq shumë të mërzitur dhe të revoltuar. Nuk po gjen zgjidhje kjo situatë, është e pandershme që ndodh”, pohon Kujtim Gjonaj “Mjeshtër i madh”.

Problemet ligjore

Kineasti Skënder Jaçe thotë se problem mbetet ajo çfarë ndodh sot në terren, ku rregullat për filmat shqiptarë nuk zbatohen. Me kritika drejtuar dhe institucioneve, kineasti Jaçe pohon se është krijuar një kakofoni, që ka sjellë mjaft probleme me të drejtën e autorit në filmin shqiptar. “Televizionet piratojnë gjithmonë dhe problemi vazhdon tek ne me të drejtën e autorit. Ngaqë janë fuqi e madhe me ta nuk merret njeri. Ligji për të drejtën e autorit tek ne është pothuajse inegzistent. Problemi është çfarë ndodh në terren, ku ne shikojmë një pirateri që lulëzon në të gjitha anët që nga televizionet, interneti, dhe akoma nuk po e kuptojnë që në Europë nuk hyhet me kokën tonë, siç bëjmë ne. Ka disa rregulla loja, tek ne nuk zbatohen. Ka shumë shoqata që merren me të drejtën dhe krijojnë një lloj kakofonie, por duhet parë praktika siç e ka bota”, pohon kineasti Skënder Jaçe. Duke folur për gjendjen në vendin tonë Jaçe shprehet se prodhime të dokumentarëve i mban kyçur, sepse e drejta nuk respektohet si duhet dhe kjo sjell pasoja për filmin. “Filmi shqiptar është gjithmonë i kërcënuar nga pirateria. Unë filmat e mi i mbaj kyçur s’ia kam dhënë asnjë televizioni. Kam mbi 15 dokumentarë, që i mbaj në sirtar vetëm nga kjo frikë, sepse dhe nëse ia jep një televizioni bëjnë pelihvanllëqe. Mendoj që ka ardhur koha që ne duhet të respektojmë këtë vlerë intelektuale, sepse ndryshe nuk mundet të ecet”, pohon ai. Forumi për Mbrojtjen e Autorëve Audiovizualë sipas kineastit Skënder Jaçe po përpiqet për të drejtën e autorit në vend, por shumë shqetësues ai shikon dhe çfarë ndodh në rrethe me filmat shqiptarë. “Ligji për të drejtën e autorit çalon në vendin tonë. FMAA përpiqet të mbrojë filmin shqiptar, por SUADA-n se kuptoj se kërkon të marrë disa të drejta. Tek ka një dallavere të madhe, janë kabllorët në rrethe, etj. Kur dal në rrethe i shikoj, por është një rrëmujë e madhe”, thotë Jaçe. Herë pas here kineastë dhe krijues të tjerë janë shprehur për mosrespektimin e të drejtës, duke kërkuar më parë dhe ndryshime ligjore.