BREAKING NEWS

Marrëveshja për Zgjedhoren përfshin votën e emigrantëve? Ja si përgjigjet Damian Gjiknuri

Marrëveshja për Zgjedhoren përfshin votën e
x

Kultura

Kineastët: Ministria, QKK dhe Arkivi i Filmit të mendojnë një platformë online për shfaqjen e filmave

Kineastët: Ministria, QKK dhe Arkivi i Filmit të mendojnë

Ministria e Kulturës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit këto kohë duhet të tregojnë më shumë vëmendje për filmin shqiptar, për të gjetur mënyrën se si mund të shfaqen këto kohë prodhimet kinematografike shqiptare për publikun. Për kineastë të ndryshëm në Arkivin e Filmit ruhen prodhimet e filmave shqiptarë artistikë, dokumentarë dhe ata vizatimorë, të cilët përmes një platforme online mund të shfaqen këto kohë për publikun në rrjetet sociale. Kineastët shprehen se në këto kohë kur institucionet janë mbyllur, Ministria e Kulturës së bashku me QKK dhe AQSHF që merren me filmin shqiptar duhet të bëjnë të mundur që të shfaqen prodhimet kinematografike jo vetëm ato realizime para viteve ’90, por dhe pas këtyre viteve. Kineasti Valmir Tertini thotë se kjo mund të bëhet dhe duke bashkëpunuar me regjisorët dhe producentët e filmave. “Ministria e Kulturës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Arkivi i Filmit duhet të kishin bërë një platformë online deri më tani. Dhe qytetarët të kishin mundësi qasje në forma të ndryshme për të parë produktet, që po sjellin kineastët edhe pas viteve ‘90. Kjo të jetë e mundur me pajtimin e regjisorëve e producentëve. Kuptohet jo ato më të rejat, që po ecin nëpër fesivale, por ato që kanë kaluar disa vite”, shprehet regjisori Valmir Tertini.

Një program për filmat

Regjisori Artan Maku pohon se shfaqja e filmave online për qytetarët gjatë kësaj kohe shërben jo pak për kinematografinë tonë. Në reagimin e tij regjisori thotë se deri tani është treguar dhe një mungesë strategjie për ta bërë këtë. Prej dekadash me aktivitetin e tij me filmin, kineasti Artan Maku vijon se duhet të ndërtohet një program nga institucionet ku gjithsecili të gjejë veten. “Pronare e filmave dhe administratore është Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe në Arkivn Qendror Shtetëror të Filmit prodhimet filmike ruhen. Por në këtë situatë, që ne jemi sigurisht që duhet të ishte menduar për një projekt, ndërtimi i një platforme ku të shfaqen online filmat sipas një programi të menduar për këtë. Filmi artistik para viteve ‘90 është parë në televizione dhe madje është thënë dhe që ka mungesë strategjie për ti shfaqur, ku unë e kam disktuar këtë më parë dhe me RTSH. Por për situatën që ne jemi duhet një tjetër strategji, të orientohen njerëzit për filmin. Të jetë një program special, por sipas moshave që secili të gjejë vetveten”, pohon mes të tjerave regjisori Artan Maku. Nëse bëhet kjo platformë për shfaqjen online të prodhimeve kinematografike, sipas kineastit kjo i shërben shumë filmit shqiptar. Problem për kineastin Maku është se institucionet deri tani janë vonuar për ta bërë këtë. “Nëse bëhet kjo transmeton kulturën, nuk e njohin kinematografinë shqiptare. Të njohësh vetveten nuk është keq. AQSHF dhe QKK duhet ta kishin bërë këtë, ka njerëz që duhet të merren për përmirësimin dhe dixhitalizimin e filmit. Kjo gjë është minimizuar nuk është si në parametrat dikur”, shprehet kineasti Artan Maku. Gjatë kësaj kohe kineasti Artan Maku tregon se po mundohet vetë duke shfaqur filmin e animuar, në rrjetin social Facebook për fëmijët. Ai pohon se kjo ka rëndësi, sepse krijon mundësinë që fëmijët të njihen me prodhimin e animuar realizuar para viteve ’90.