BREAKING NEWS

Pëllumb Pipero optimist jep mesazhin që na qetëson të gjithëve: Vetëm këto do jenë ditët e pikut, ndërsa lajmi i mirë është se numri i të prekurve do të ulet...

Pëllumb Pipero optimist jep mesazhin që na qetëson të
x

Kultura

Kineastët njëzëri: Institucionet vëmendje periferike ndaj kinemasë, mungon festivali i filmit shqiptar

Kineastët njëzëri: Institucionet vëmendje periferike ndaj

Festivali i filmit shqiptar duket se është harruar nga institucionet. Nuk është folur më për këtë festival, që nga viti 2012 kur u zhvillua për herë të fundit. Festivali i filmit shqiptar për kineastët duhet të vijojë dhe nga institucionet duhet të jetë me një platformë të qartë. Regjisori i njohur Bujar Alimani shprehet se moszhvillimi i tij tregon se deri tani institucionet nuk kanë treguar vëmendje për filmin shqiptar dhe festivalin, që duhej të kishte vazhduar traditën e tij. “Festivalet e filmit shqiptar kanë ardhur duke u rralluar. Festivali mbarëshqiptar i filmit u bë për herë të fundit në vitin 2012. Kjo tregon mungesën e vëmendjes karshi promovimit të filmit shqiptar dhe sigurisht, që duhet të zhvillohet”, pohon regjisori Alimani. Për kienastin Petrit Ruka, një nga emrat e vlerësuar në kinematografinë shqiptare, festivali duhet të jetë organizim i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe i mbështetur nga Ministria e Kulturës. “Festivali është një moment, për të bërë një bilanc të prodhimit të filmave të viteve të fundit. Festivali kombëtar i filmit duhet të bëhet, sepse është i domosdoshëm dhe duhet të organizohet nga shteti, strukturat përkatëse, siç është QKK si dhe Ministria e Kulturës. Problemi qëndron, që festivali i fundit me sa mbaj mend unë është bërë, që këta ia deleguan një shtëpie filmike. Kjo ka të mirat e veta, por dhe problemet, sepse atë e bën një individ. Dikur këtë e organizonte QKK. Para saj, dikur e organizonte Kinostudio, pra strukturat që përgjigjen për filmin shqiptar. Mendoj se është më mirë, që QKK ta organizojë vetë këtë festival”, thotë kineasti i njohur Petrit Ruka.

Filmi dhe zhvillmi dhe i tij

Për kineastin Petrit Ruka, një festival i filmit mbarëshqiptar, që duhet të ketë një platformë të qartë nga institucionet, mund të jetë edhe një bashkëpunim mes Kosovës dhe Shqipërisë. “Një festival ku shfaqen filmat dhe të diskutohet mbi strategjinë e filmit, temat, rezultatet që janë krijuar, mbi shkollat e kinemasë dhe drejtimet që merr filmi, mbi kërcënimet që filmi ka sot, etj. Një festival, ku duhet të jenë dhe filmat nga trevat, Kosova, etj. Shumë mirë festivali mund të bëhet dhe i përbashkët, me buxhet të përbashkëta nga dy qendrat e filmit, Kosovë dhe Shqipëri. Vendi se ku organizohet nuk ka rëndësi, një pjesë këtu dhe tjetra një në Prishtinë. Mungesa e festivalit tregon mungesë vëmendje nga institucionet, një vështrim periferik ndaj kinemasë”, pohon kineasti Ruka. Me projektin “Open cinema”, kineasti Skënder Jaçe e çon filmin shqiptar, në disa qytete të vendit. Në lidhje me filmin shqiptar ai shprehet se mirëpritet nga publiku. Sipas Jaçes, një festival për filmin shqiptar i shërben edhe promovimit. “Kur themi festival i filmit duhet të jenë në konkurrim filmat, që janë brenda trevave shqiptare, të gjithë filmat shqipfolës, jo vetëm nga Kosova, por dhe nga Maqedonia. Unë se di çfarë kanë bërë institucionet, por për mua si kineast duhet bërë festivali i filmit shqiptar. Ne kemi gjithë ato prodhime filmash, që duhen promovuar në mënyrë dinjitoze. Filmi shqiptar kur ne shkojmë në qytete të ndryshme pritet jashtëzakonisht shumë mirë, janë shumë të interesuar ndaj filmit shqiptar dhe duan të dëgjojnë dhe shikojnë zhvillimet e reja të kinematografisë shqiptare”, pohon Jaçe. Festivali i filmit shqiptar i zhvilluar për herë të fundit në vitin 2012 për kineastët shqiptarë është një event i harruar nga institucionet, që duhet të zhvillohet patjetër. Festivali i filmit shqiptar është harruar nga institucionet, por tradita e tij ka nisur që në vitin 1976.