BREAKING NEWS

Ervin Bushati i jep mesazhin e fortë Bashës dhe Kryemadhit: Pas gabimit të pafalshëm që...

Ervin Bushati i jep mesazhin e fortë Bashës dhe Kryemadhit: Pas
x

Kultura

Klodian Hoxha: Pandemia na la projektet pezull, duhej një plan mbështetës për artistët e pavarur dhe jo nënvlerësim

Klodian Hoxha: Pandemia na la projektet pezull, duhej një plan

Në skenën e teatrit dhe në kinematografinë shqiptare aktori Klodian Hoxha tashmë ka ndërtuar një aktivitet artistik të vlerësuar. Me role të ndryshme në teatër apo dhe në filma, si aktor ai ka marrë vlerësimin e publikut. Një karrierë e suksesshme deri tani artistike, ku aktori i njohur Klodian Hoxha tregon se vazhdon të ketë në vëmendje projekte të reja. Në intervistën për gazetën “SOT” aktori flet për punën e tij me teatrin dhe filmin ndër vite, vlerësimet me rolet por dhe vështirësitë me të cilat është përballur. Në këtë rrëfim të tij aktori tregon dhe për fillimet e tij me aktivitetin artistik, që pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve vite më parë për të qenë sot një nga aktorët e dashur për publikun. Filmat ku ai ka marrë pjesë janë shfaqur dhe jashtë vendit tonë, ku sipas tij ishte një prezantim me shumë rëndësi. Në jetën artistike aktori Klodian Hoxha ka një bashkëpunim të mirë jo vetëm me regjisorë shqiptarë në fushën e kinematografisë, por edhe me ata të huaj. Aktori tregon se është në pritje të një tjetër premiere filmi me regjisor të huaj, ndërsa thotë se për shkak të pandemisë projekte të ndryshme janë lënë pezull. Duke folur për jetën artistike në vendin tonë aktori Klodian Hoxha flet dhe për problemet, që përballen artistët. Sipas tij sot artistët vuajnë mungesën e sallave të teatrit, ndërsa thekson se ata që janë të sektorit të pavarur kanë më pak hapësira në teatrot tona.

-Si aktor keni ndërtuar një aktivitet artistik me teatrin dhe filmin, por në fillime çfarë keni synuar me punën tuaj?

Është e vërtetë që kam pasur një aktivitet të gjerë artistik dhe jam munduar që të ecin paralelisht si filmi edhe teatri, por kur kthej kokën pas edhe shikoj rrugën dhe sakrificat që kam bërë për këtë profesion them se kanë qenë të vështira. Por në fund jam i kënaqur me veten, sepse të gjitha këto i kam arritur me forcat e mia pa ndonjë suport dhe për këtë jam i lumtur, gjithsesi mendoj se mund të arrija më shumë, duke njohur veten time.

-Pas kaq vitesh sa ka qenë për ju e vështirë puna me teatrin dhe filmin, me çfarë jeni përballur ndër vite me aktivitetin tuaj në jetën artistike?

Me thënë të drejtën kanë qenë pak të vështira, sepse në periudhën që ishim në Akademinë e Arteve mendonim se ishte e thjeshtë edhe mezi prisnim të dilnim në jetë, sepse na dukej fushë me lule. Por kur mbaruam Akademinë e Arteve ishte komplet ndryshe, ti e shikoje veten mes një kryqëzimi që nuk dije nga të shkoje, kishe frikën a do e vazhdoje dot rrugën që ti nise edhe që e kishe ëndërruar. Po për fat të mirë mua më shkuan gjërat siç i doja falë edhe këmbënguljes time. Rrugëtimi im nisi me një shfaqje private, të cilën e dhamë në Durrës dhe që aty u formuam një grup solid, të cilët e deshën këtë profesion dhe që atëherë nuk jemi ndarë më. Kanë qenë të shumtë festivalet që kemi marrë pjesë për tre vjet në teatrin e Metropolit dhe kemi sjellë 23 çmime.

-Herë pas herë artistë të ndryshëm kanë folur dhe për xhelozitë sipas tyre në jetën artistike. Ju duke qenë se jeni pjesë e komunitetit artistik çfarë mund të na thoni?

Me thënë të drejtën ka shumë xhelozi në art. Nuk e di a ndodh kjo në vende më të zhvilluara se Shqipëria, por mendoj se është një mënyrë për të treguar veten duke sharë apo ulur tjetrin. Por këto nuk janë në karakterin tim, sepse ashtu jam edukuar çka është e imja është e imja dhe nuk bëhem xheloz përse miqtë e mi ecin përpara, por jam i lumtur për ta.

 

-Në galerinë tuaj të roleve të ndryshme në kinematografi kë veçoni?

Do të veçoja rolin e Tomorrit në filmin (Internment), që është një dedikim për babain tim të ndjerë, i cili u na nga jeta para disa muajsh. Mendoj se është roli më i dashur për mua, duke qenë se në realizimin e rolit kam pasur edhe ndihmën e tij, sepse duke qenë ushtarak më ka dhënë shumë informacione, që më nevojiteshin për rolin.

-Po në skenën teatrore cilin personazh veçoni si aktor me interpretimin tuaj?

Për në shfaqje teatri nuk mund të veçoj dot ndonjë, sepse çdo rol ta bukurën e vet. Por unë them që roli pasardhës do jetë më i bukur, sepse kështu duhet ta shohim veten të mësojmë nga gabimet edhe të mirat e roleve që kemi realizuar edhe roli pasardhës të jetë sa më i mirë.

-Në momentin që ju propozohet një rol në kinema, çfarë shikoni te personazhi dhe a është e vështirë për ta realizuar?

Tani kur na ofrohet roli në fillim mundohem të gjej të përbashkëtat që kam me personazhin ose të zgjoj brenda vetes ato cilësi që ka personazhi, pastaj filloj me punën siç bën çdo aktor kur merr tekstin. Mundohem të jetoj me të për aq kohë sa më nevojitet edhe kaq jo më shumë pastaj se të bënë dëm, sepse ka artistë që përfshihen shumë me rolin dhe e kanë të vështirë të ndahen prej tij.

-Në Amerikë u shfaq filmi me regjisorin Kast Hasa, ku ju jeni dhe me rol? Filmi “Internimi” na çon në Shqipërinë e viteve ’80. Sipas jush si aktor, sa rëndësi pati kjo shfaqje e filmit?

Filmi u shfaq në një nga platformat më të njohura digjitale, që është në Amerikë edhe në mbarë botën siç është Amazon. Kjo është një arritje e madhe për filmin edhe për ne duke qenë se një prodhim i yni shfaqet në Amerikë e Kanada, sepse vetëm për këto shtete ka qenë kontrata, por tani besoj mund të shtrihet edhe më gjerë në Europë. Kam pasur komente pozitive nga miq shqiptarë edhe amerikanë dhe për këtë më vjen mirë, sepse të vlerësohet puna.

-Filmi aksion “Balkan blood” me regjisorin kinez Chen Shu Hao gjithashtu u shfaq premierë një vit më parë në vendin tonë. Çfarë mund të na thoni për filmin me aktorë shqiptarë dhe të huaj në role dhe si e patë këtë herë personazhin tuaj atë të një mafiozi?

Filmi “Balkan blood” është një produksion kinez. Unë kisha rolin e një krye mafiozi, i cili komandonte një nga bandat më të mëdha të qytetit. Për mua është një rol ndryshe nga të tjerët, por që e kam shijuar shumë, pastaj ky është fati i aktorit se duhet të jetojë shumë personazhe në jetë.

-Sa ju pengoi pandemia në aktivitetin tuaj artistik, me teatrin dhe kinematografinë?

Me thënë të drejtën më ka penguar shumë. E nisëm vitin shumë mirë, me shfaqjen "Mbledhje e jashtëzakonshme në Parlament", e cila prit jashtëzakonisht mirë nga publiku, ku edhe nga kritikat u quajt shfaqa e vitit. Më pas më duhet të ikja për tre muaj në Kinë për realizimin e një projekti, por që u pezullua dhe nuk e di çdo bëhet me të, ndërkohe kisha edhe disa projekte të tjera në vijim këtu në Shqipëri, kështu që po presim shtatorin dhe të shohim se si do shkojë vazhdimi. Por për sa i përket punës individuale na ka ndihmuar, sepse kam hedhur disa ide skenari që do të mundohem ti realizoj në të ardhmen.

-Jo pak artistë gjatë kësaj kohe kanë folur për problemet që solli pandemia, duke kërkuar ndihmë nga institucionet. Ju si aktor çfarë kërkoni?

Besoj se të gjithë artistët e kanë hequr nga kalendari vitin 2020, sepse ka qenë një vit për tu harruar dhe shumë projekte janë pezulluar dhe nuk dihet. Pastaj të flasim për anën monetare shumica e artistëve janë të varur nga projektet, dhe pandemia ka një ndikim të drejtpërdrejtë tek ne. Duhej parë një plan për artistët e pavarur dhe jo të nënvlerësohemi në këtë mënyrë, sepse ne jemi ata që e pësojmë më shumë nga kjo pandemi.

-Jeni shprehur dhe më parë për problemet e teatrit, çfarë mendoni se duhet të ndryshojë dhe sa mundësi kanë sot artistët e pavarur të jenë në skena?

Për artistët e pavarur është e vështirë që të bëjnë teatër, sepse mundësitë janë të vogla dhe teatrot kanë kalendarët e tyre dhe nuk gjejmë dot hapësira për ne. Unë e kam shprehur edhe më përpara që kemi nevojë për hapësira, nuk ka rëndësi vendi por duam salla për të ushtruar aktivitetin tonë.

 -Si e mendon nisjen e sezonit artistik në vjeshtë?

Se di, por i vështirë më duket. Pa u qetësuar situata e vështirë më duket, por edhe për publikun besoj se do duhet një kohë e gjatë për t’ju afruar teatrit, sepse duke qene ambient i mbyllur mund të ketë më shumë frikëra ose edhe pasoja të lëna nga covid. Gjithsesi unë uroj që të normalizohet sa më shpejt situata, që ne ti kthehemi jetës normale.

-Çfarë mund të na zbuloni për projektet artistike, ku do të vijojë aktiviteti juaj me teatrin apo filmin?

Tani jam në pritje të premierës së një filmi horror, që xhirova vjet me një produksion amerikan që quhet "Castel freak" dhe po e pres me padurim. Pastaj në pritje të situatës si do shkojnë gjërat, sepse siç e thashë edhe më sipër shumë punë janë shtyre dhe nuk e dimë se si do të procedohet. Por lutemi, që kjo situatë të kalojë sa më shpejt edhe pa pasoja.

- Jemi në verë, cili është vendi juaj i pushimeve këtë sezon?

Më pëlqen shumë jugu dhe këtë vit besoj të shkoj në Livadh. Më pëlqen shumë aty, sepse është qetë.

Intervistoi: Julia Vrapi